Analistët: Nëse PAN-i pranon kushtin e Listës Serbe, më mirë zgjedhje

Analistët: Nëse PAN-i pranon kushtin e Listës Serbe, më mirë zgjedhje

Kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do të bisedojnë edhe me Listën Serbe dhe me pakicat e tjera për themelimin e institucioneve, pasi që koalicioni PDK-AAK-Nisma, e cila është e para parti që do të provojë themelimin e institucioneve, nuk do të mundë të arrijë qëllimin e saj pa votat e Listës Serbe.

Sa i përket kësaj, analistët kanë vlerësime të ndryshme. Ata mendojnë se nga kjo situatë serbët do të provojnë të përfitojnë.

Sipas tyre, më mirë do të ishte të shkohet sërish në zgjedhje sesa të jenë shantazhuar nga Lista Serbe.

Po ashtu, analistët mendojnë se Lista Serbe përpiqet ta shantazhojë Haradinajn, duke shtuar se presin nga LDK-ja ta votojë Qeverinë si parti opozitare.

Analisti politik Imer Mushkolaj mendon se serbët në këtë situatë do të provojnë të përfitojnë sa më shumë. Ai ka thënë për “Zëri” se mbetet te partitë shqiptare ta tejkalojnë këtë situatë dhe të mos varen nga votat e Listës Serbe.

“Serbët do të provojnë të përfitojnë sa më shumë. Mbetet te partitë shqiptare se si do ta tejkalojnë këtë situatë, në mënyrë që të krijojnë koalicion qeverisës i cili nuk varet nga votat e Listës Serbe dhe njëkohësisht të arrijnë të jenë efikas dhe efektivë në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Një koalicion më i gjerë do të neutralizonte fuqinë e Listës Serbe dhe kushtëzimet e mundshme nga ky subjekt”, ka thënë Mushkolaj.

Analisti politik Arben Rugova ka vlerësuar se koalicioni PAN nuk do ta ketë edhe aq vështirë sa duket që ta formojë Qeverinë e re.

Rugova ka thënë për “Zërin” se Ramush Haradinaj do të mundë të sigurojë më shumë se dy vota nga LDK-ja dhe nga AKR-ja.

“Duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor, koalicioni fitues nuk do ta ketë edhe aq vështirë sa duket ta formojë Qeverinë e re. PAN-i ka fituar 39 mandate dhe nëse ia shtojmë edhe numrin e mandateve të pakicave, atëherë mungojnë vetëm edhe dy vota për ta arritur numrin 61, gjë që nuk besoj se do ta ketë të vështirë t’i sigurojë koalicioni fitues nga koalicioni LDK-AKR-AL. Madje pres që i nominuari i PAN-it për kryeministër Ramush Haradinaj të sigurojë më shumë se dy vota nga LDK-ja dhe nga AKR-ja”, ka thënë Rugova.

Rugova më tutje ka thënë se disa deputetë nga LDK-ja dhe nga AKR-ja do të binden ta votojnë kabinetin e Haradinajt.

“Disa deputetë të këtyre dy partive do të binden ta votojnë kabinetin e Haradinajt pa pasur nevojë t’u premtohen tenderë e as terminalë deputetëve ashtu sikurse ka ndodhur në të kaluarën. Haradinaj do të marrë mbështetjen e tyre duke u nisur nga rrethanat në të cilat ndodhet Kosova dhe në nevojën për t’i kapërcyer sa më shpejt disa procese që po e mbajnë vendin peng prej më shumë se dy vjetësh”, theksoi Rugova.

Ndërkaq ai ka shtuar duke thënë se Lista Serbe mund të fitojë dy pozita ministrore nëse bashkohet me koalicionin PAN.

“Sa i përket Listës Serbe, ajo mund t’i fitojë dy pozita ministrore dhe të tjera më të ulëta me koalicionin PAN, ndërsa me koalicionin tjetër eventual e të mundshëm për formimin e Qeverisë, pra të LVV-së me LDK-AKR-AL serbët do të fitojnë edhe më pak, ngase vota e tyre është e panevojshme. Megjithëkëtë, unë nuk pres që të ketë rast të dytë pasi nëse Lista Serbe përpiqet ta shantazhojë Haradinajn, pres nga LDK-ja ta votojë Qeverinë si parti opozitare”, tha Rugova./Zeri/

Shpërndaje në: