Bashkimi Evropian i bën thirrje Kosovës që të liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë

Periskopi.com Lajme

Institucioni ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE), Komisioni Evropian (KE), ka kërkuar nga Kosova që të liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë, për t’iu dhënë konsumatorëve vendorë të drejtën e lirë për të zgjedhur furnizuesin e tyre, meqë aktualisht kompania turke KEDS e mbanë monopolin në sektor.

Institucionet e Kosovës tashmë disa vite më parë janë zotuar për të bërë liberalizimin e plotë të tregut të energjisë elektrike, në kuadër të zotimeve që kanë bërë përballë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, me seli në Lubljanë, e i formuar nga BE për vendet që synojnë anëtarësimin n¨£e bllokun Evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha për agjencinë e lajmeve dtt-net.com se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të duhej që të zbatojë zotimet e Kosovës dhe të liberalizohet tregu plotësisht, pra, edhe për energjinë elektrike me pakicë, përcjell Klankosova.tv

“Liberalizimi i tregjeve të energjisë elektrike me pakicë e rrit konkurrencën dhe inovacionin, e siguron lirinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe i fuqizon ata që të marrin pjesë aktive në tranzicionin e energjisë, përderisa masat zbutëse janë të mundshme për të mbrojtur konsumatorët në vështirësi dhe për të trajtuar varfërinë energjetike. Prandaj vazhdojmë që të inkurajojmë Zyrën e Rregullatorit për Energji të Kosovës  (ZRRE) që të zbatojë planin për liberalizimin e tregut me pakicë të energjisë elektrike në Kosovë, në përputhje me zotimet e Kosovës lidhur me Paketën e Tretë të Energjisë dhe kërkesat e tjera të Komunitetit të Energjisë”, tha Pisonero.

Thirrje drejtuar Qeverisë së Kosovës për liberalizimin e tregut së fundi ka pasur edhe nga partitë opozitare, përderisa qeveria dhe ZRRE deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë sqarim pse kjo nuk po bëhet.

Liberalizimi i plotë i tregut me pakicë të energjisë elektrike do t’i jepte fund monopolit të kompanisë KEDS/KESCO, në pronë të grupit nga Turqia, Çalik Holding, në shpërndarjen e energjisë elektrike me pakicë deri tek amvisërisë dhe bizneset në Kosovë.