Dy poezi revolucionare nga Nazim Hikmet

Dy poezi revolucionare nga Nazim Hikmet

Parada e Urisë  

Fushon ushtria e urisë
me u ngopë bukë
me u ngopë mish
me u ngopë libra
me u ngopë liri

Fushon mbi urat fildishngushta e t’mbrehta shpatë
Fushon tuj zhbiru dyer hekuri
tuj rënu mure kalaje
fushon kambëpërgjakun

Ushtria e urisë fushon
Me hapa si bubullimë qielli
me kangë prej zjarri e me flamur shprese
Me shpresën e shpresave n’flamuj

Fushon Ushtria-Uri
bartë mbi krahë qytete e sokaqe t’ngushta,
qytetet me dhoma t’errësume
fabrikat me oxhaqe…
lodhjen e pashterrun të (pas)dimnimit

Fushon Uria-Ushtri
me vete ka fshatnat me pluhun
Të vdekunit e patokë t’kësaj toke

Fushon Uria-Ushtri me i ngopë t’pabukët me bukë
të robënumit me liri
fushon kambëpërgjakun…

Nazim Hikmet, 9 gusht 1962

Marshim

Me ecë;
don me thanë me i lanë t’palëvizunit si sokaqe t’braktisuna
me i ra qiellit trup m’trup, e me nda n’gjysë
si nishan mauzeri me e shiku terrin mu n’sy
me ecë!…

Me ecë;
duke i ndje krahtë e shokëve përskaj krahut tand
arkadën e rrapllume për toke
blumjen e guximit nën grushte
me ecë!…

Me ecë;
tue ditë për pusinë që flen
për kurthet mas shpine
me ecë tuj e ditë…

Me ecë;
Hapëru prej zemre
Hapëru prej shendi
me ecë…

Përktheu Fatlum Sadiku

Shpërndaje në: