Editorial | Në kërkim të punëtorëve

Editorial | Në kërkim të punëtorëve

Sot është 1 maji – Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Si rëndom, edhe sivjet në Kosovë kjo ditë u shënua me një shpirt festiv që i çoi njerëzit në parkun e Gërmisë, por e la bosh sheshin ku ishin thirrur tri protesta.

Njëra prej tyre, ajo e thirrur nga BSPK-ja, mori përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Grupit të Pavarur të Deputetëve [GDP] por jo edhe të punëtorëve. Vetëm 500 vetë dukej se po protestonin. Një tjetër, e thirrur nga një grup që defilonte me flamuj anarkistë, zor se e kishte bindur ndonjë punëtorë që të dilte e të protestonte me ta. Pra, një dështim kolosal. Një dështim për të zgjuar të shtypurin nga dremitja e tij e gjatë.

Të drejtat e punëtorit në Kosovë shkilen vrazhdë, sidomos në sektorin privat. Kemi dëgjuar lajme të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës. Jemi dëshmitarë të mungesës së kontratave të punës. Të mungesës së sigurimeve shëndetësore. Por, megjithëse kushtet e punës janë të mjerueshme kjo nuk mjafton që të ndillet nevoja për protestë e konfrontim me pushtetin.

Një gjë që kontribuon në vazhdimin e kësaj dremitjeje është edhe puna disadekadëshe informale ose ‘në të zezën’ që kryhej nga kosovarët në vendet e zhvilluara perëndimore. Edhe kjo punë kryhej pa kontratë, pa sigurim shëndetësor dhe pa benefitet e tjera, por të paktën me paga të majme për standardet e Kosovës.

Shteti duhet të forcojë funksionalitetin e mekanizmave shtetërorë dhe të zgjerojë e ta bëj më efikas rrjetin e inspektoriateve të punës. Poashtu, duhen shumë masa sensibilizuese për punëtorët që të reagojnë për shkeljen e të drejtave, dhe të adresojnë problemet e tyre në organet kompetente.

Pse nuk kemi pasë fushata të tilla deri më tash? Kjo ndoshta shpjegohet nga gravitimi i bizneseve të mëdha në Kosovë rreth partive politike në pushtet [sidomos rreth tyre, por fatkeqësisht jo vetëm]. Duke qenë se shumica e medieve janë në pronësi të njerëzve që kanë kompani të fuqishme ndërtimore e të profileve tjera, dhe që përfitojnë nga lënja e punëtorëve në informalitet, do të ishte vetë-dëmtuese që të kishim një prioritetizim të të drejtave të punëtorëve.

Mosforcimi i funksionalitetit të mekanizmave shtetërorë i kontribuon jo vetëm interesit financiar të bizneseve por edhe interesit politik të partive në pushtet. Dremitja e gjatë e punëtorëve iu shërben atyre që të thurrin rrjetën e klientelizmin dhe që t’i mbajnë në një varësi të plotë madje edhe për punët më të pafavorshme në tregun e punës. E si mund të ketë punë të këqija ose të pafavorshme në një vend me papunësinë mbi 30%?

Pra, të kesh një vend pune përjetohet si një privilegj në vendin tonë të varfër me atë shkallë alarmante papunësie. Edhe kjo e ndihmon vazhdimin e dremitjes. Vazhdimin e punës së padinjitetshme që përkthehet në shtim të përfitimit financiar për zotëruesit e mëdhenj të mjeteve të prodhimit. Pastaj kemi shpërndarjen e privilegjeve dhe të shtypjeve – e cila shkaku i një moskualifikimi të përgjithshëm të shoqërisë – është ende e pabazuar në meritokraci.

Dhe faktori i fundit e mbase edhe më i rëndësishmi është pozicionimi ende shumë i gjallë, shumë lëvizës social. Njerëzit mund ta shohin veten si kompetentë madje edhe për të qenë kryeministër apo president vendi – duke marrë parasysh që këto pozicione politike aktualisht mbahen nga njerëz të pakualifikuar. Identiteti i tyre si punëtorë të një pune të caktuar nuk krijohet – duke qenë se kjo punë shihet si e përkohshme, jeta është mosvet e zgjeruar, dhe mundësitë e depërtimit më lart ndodhen aty.

Ku janë punëtorët e Kosovës që kanë kushte të mjerueshme dhe nuk protestojnë? Pra, ekzistojnë një varg shkaqesh ekonomike, politike e kulturore që e pamundësojnë lidhjen dhe përveçimin/identifikimin e tyre si punëtorë. Në një realitet të tillë socio-politik ata nuk i shohin ende diferencat klasore/ekonomike sepse fare lehtë mund të ishin/jenë në vend të shefit të tyre. Kjo mungesë e plotë etablimi marrëdhëniesh, pozicionesh, kjo dinamikë e madhe, ka bërë që koncepti i punëtorit dhe lidhja e tij ndjenjësore me punën të jenë të pamundura.

Punëtori kosovar nuk është i lidhur me fatin e tij si punëtor. Kjo bën që njerëzit e tjerë nga një pozitë superioriteti të kërkojnë prej tij që ta lidhë veten me atë fat. Të kërkojnë prej tij që të jetë më i dinjitetshëm sesa që është. Të protestojnë për të. Duke mos e lënë të lirë as në festën e tij të sotme – një ditë më tepër për t’u çlodhur nga puna e mundimshme.

Ajo që duhet të bëhet është e thjeshtë: të rriten fushatat sensibilizuese dhe të funksionalizohen inspektoriatet e punës. Kaq.

Shpërndaje në: