Gucati e Haradinaj u dënuan edhe me nga 100 euro gjobë, deri këtë ditë kanë afat t’i paguajnë

Periskopi.com Lajme

Dy drejtuesit e OVL e UÇK’së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë shpallur sot fajtorë nga Gjykata Speciale dhe janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim, dënim në të cilin do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Përveç dënimit me burgim, Specialja u ka shqiptuar atyre edhe nga një gjobë prej 100 euro.

Ata kanë afat që të paguajnë këto gjoba deri më 18 korrik 2022.

Gucati dhe Haradinaj janë shpallur të pafajshëm për veprën penale të hakmarrjes, derisa për veprat e tjera janë shpallur fajtorë.

“Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, tha gjykatësi Charles Smith III.

Gucati dhe Haradinaj u akuzuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.