Historia e rrallë e fëmijëve afrikanë që erdhën në Shqipëri në vitet ’60

Historia e rrallë e fëmijëve afrikanë që erdhën në Shqipëri në vitet ’60

Ishin vitet ’60-’70 kur disa femije afrikane erdhen ne Shqiperi.

Uvil Zajmi sjell ne nje speciale te botuar ne gazeten “Panorama” historine e rralle te femijeve nga Kinsasha te cilet i shpetuan grushtit te shtetit dhe gjeten strehe ne vendin tone.

Në mesvitet ‘60-‘70, një tufë fëmijësh afrikanë, të zënë përdore e me sy të zmadhuar nga frika dhe kureshtja, vunë këmbë në Aeroportin e Rinasit. Ata ishin fëmijë, djem e vajza 7, 8, 9 e 10-vjeçarë që fshehurazi nga Kinshasa, kishin braktisur vendin e tyre dhe me pantallona të shkurtra zbritën në Rinas, pa ditur gjuhën dhe pa asnjë njohje për vendin ku do të qëndronin për shumë vite. Ata nuk e dinin.

Ishin shumë të vegjël për të kuptuar dhe besuar se do të izoloheshin në atë vend të largët e të panjohur. Do të sistemoheshin, shkolloheshin, do të rriteshin, do të argëtoheshin në vende “të ndaluara” për shqiptarët, ndonjë do të quhej edhe agjent, shumë do të iknin, por pati edhe ndonjë që qëndroi, u martua e vazhdon të punojë në Shqipëri.

I vetmi që ka qëndruar në Shqipëri, që jeton në Tiranë dhe punon si mjek reumatolog në Ambulancën e Vorës, është Urbain Massena. Djalë i një funksionari të lartë në qeverinë e Kongos, që u detyrua të largohej fshehur nga vendi për të shpëtuar jetën, duke u kthyer në një banor të pazakontë të Lezhës…

NGA KINSHASA NË TIRANË

Gjithçka fillon pas vitit 1965 me grushtin e shtetit dhe ardhjen në fron të diktatorit Mubuto, kur shumë kundërshtarë bashkë me familjet e tyre, mes tyre shumë fëmijë, largohen me ndihmën e Kryqit të Kuq dhe sistemohen në shtete të tjera, kryesisht në Europë. Janë dy grupe, djem e vajza 10-12- vjeçarë që nisen nga Afrika me destinacion Shqipërinë, që u preferua nga afrikanët si një vend europian ndryshe nga Kina, Kuba që iu propozua. Në dhjetorin e vitit 1967 u nisën fshehurazi me anije nga porti i Brazavillit deri në Tripoli të Libisë, pastaj me avion në Romë dhe prej andej zbresin në Rinas.

Është dimër, bën ftohtë dhe afrikanët e rinj janë ende me pantallona të shkurtra, pasi kanë lënë temperatura të larta në vendet e tyre. Ndërsa grupi nga Kenia do të sistemohet në Elbasan, ai prej 17 vetash nga Zaire, pasi ka qëndruar gjashtë muaj në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë, transferohet në Vlorë, në konviktin e Shkollës Mjekësore. Por pas pak muajve, nga ky i fundit largohen tre të parët, pasi nuk arrijnë të ambientohen dhe grupi reduktohet në 14 të rinj.

Një vit më vonë, tjetër ndarje: Në Vlorë qëndrojnë vetëm 9, ndër të cilët Zhak Jambu me tri motrat e tij, Maria, Nikolet dhe Klodina, si dhe Liljana e Elisabeta Mukeda, ndërsa pjesa tjetër nisen për në Lezhë.

AFRIKANËT NË LEZHË

Nisur nga kushtet atmosferike, u mendua që afrikanët të vendosen në qytetin e Lezhës dhe fillimisht aty shkuan, Charl Moneng, Charl Devis e Urbain Massena. Pas dy vitesh (1973), me ta do të bashkohen edhe Izhen Mulele dhe Fosten Mynene. Ardhja e tyre ishte surprizë për banorët dhe në ditët e para e gjithë Lezha gumëzhinte.

Qytetarë të shumtë qëndronin në bulevard, kureshtarë për t’i parë kur ata dilnin për shëtitje. Ndërkohë, të ardhurit u këshilluan të mos dilnin në foto e të mos i tregonin askujt se ku ndodhen, nga frika se i vrisnin familjarët e tyre. Për t’u ambientuar e integruar në jetën e përditshme, secili prej tyre u mor në patronazh nga një bashkëmoshatar, në mënyrë që të mësonin për gjuhën.

Ata u sistemuan në konviktin e qytetit, që ndodhej në kodër, poshtë kalasë, ndërsa merrnin edhe një pagesë mujore prej 1000 lekësh, si dhe veshje e ushqim, gjithçka të garantuar nga shteti.

MUZIKË E PANTALLONA BLUE JEANS “COWBOY”

Duhet thënë se afrikanët nuk e kishin kuptuar se sistemi diktatorial që ata lanë në Zaire, ishte edhe më i ashpër në vendin ku zgjodhën për të qëndruar. Sidoqoftë, të trajtuar ndryshe dhe më të lirë se shqiptarët, në veshje, shije, preferenca, patën ndikim në rininë dhe jetën e qytetarëve lezhianë. Sipër në konvikt, bashkë me konviktorët shqiptarë ata i kalonin netët pa gjumë, me një magnetofon “Philips” dhe një radio “Sondra”, si të vetmet mjete argëtuese.

Izheni mbante një kitarë në dhomë, të blerë në Tiranë dhe këndonte bukur këngët e Bitëllsave, Elvis Preslin, ato të Sanremos apo që dëgjonin te Radio Luxemburg. Shpeshherë, afrikanët ishin problem në shkollë, pasi të premten largoheshin nga ora e fundit e mësimit për të dëgjuar Hit Parade-n e famshëm të muzikës italiane të viteve ‘70.

Aq i pasionuar ishte Izheni pas muzikës, saqë një herë, gjatë zborit njëmujor, ndërsa ishte dhënë sinjali për gatishmëri, në apel mungonin tre nxënës: Izhen Mulele, Agim Lubonja dhe Kastriot Kodheli. E shqetësuar, komanda dha alarmin për gjetjen e tyre, por shumë shpejt u zbuluan se ishin futur në një vend të fshehtë, duke kënduar këngën e njohur të Rollingstonsave “I can’t get no”. Ndërsa pantallonat e para blue jeans “Cowboy” i ka sjellë në Lezhë, Yrben Massena në vitin 1972.

Nga një dajë e tij, por edhe me interesimin e nënës, shpeshherë i vinin pako me veshje nga Gjermania. Kështu mbërritën në Lezhë edhe një palë pantallona të tilla, të ngushta te gjuri dhe të gjera poshtë, tipike “Cowboy”, me inicialet e një këngëtari të famshëm italian, Don Baki. Yrbeni si askush tjetër kishte një zemër të madhe, falte gjithçka. Kështu e mbajnë mend në Lezhë miqtë e shokët e tij.

DATËLINDJA, SEKRET

Ka qenë një enigmë e madhe datëlindja e afrikanëve. Të ardhur pa asnjë dokument nga vendi i tyre, për shumë kohë e kanë mbajtur sekret këtë fakt, në veçanti, disa prej tyre, që aktivizoheshin e luanin me skuadrën e të rinjve të futbollit “Besëlidhja”, duke vënë në vështirësi edhe federatën e futbollit. Vetëm vite më vonë, kur kanë dashur të marrin viza për të udhëtuar jashtë Shqipërisë, janë detyruar apo kanë deklaruar datën e saktë të lindjes.

Ndërkohë, prania e tyre jo vetëm në Lezhë, por në çdo qytet që shkonin për të kaluar pushimet verore, krijonte një atmosferë ndryshe. Kurioziteti niste që në tren, ndërsa udhëtonin, për të vijuar në hotelet, ku vendoseshin, rrotull të cilëve mblidheshin shumë kureshtarë.

E DREJTA E STUDIMIT, E GARANTUAR NGA SHTETI

Ndryshe nga maturantët që kishin përfunduar shkollën e mesme dhe aplikonin për atë të lartë, afrikanët e ndodhur në Shqipëri, përfitonin të drejtë studimi dhe bursë nga Ministra e Arsimit në fakultetet ku ata preferonin.

“Yrbeni si kripa në gjellë”, kështu ka dëshirë ta përkufizojë kohën kur ka qëndruar dhe jetuar në Lezhë, ku u trajtua me shumë dashuri. Madje edhe të drejtën e studimit e siguroi ndryshe nga afrikanët e tjerë. E ka marrë nga Komitetit Ekzekutiv, dega e arsimit e qytetit të Lezhës. “Ia kanë hequr një familjeje lezhjane, për të ma dhënë mua të drejtën e fakultetit”, thotë ai me mirënjohje.

Paskëtaj erdhi në Tiranë, braktisi sportin, iu përkushtua studimeve në Fakultetin e Mjekësisë. Ka qenë një student shumë i mirë dhe i përfundoi studimet me rezultate shumë të larta.

VALLËZIMI I DYSHIMTË NË TAVERNËN E “DAJTIT”

Ndërsa ishin në fakultet në Tiranë, të gjithë afrikanët ndiqnin modën dhe preferonin tavernën e hotel “Dajtit”. Ishin të privilegjuar, nuk i pengonte askush të futeshin brenda, ndonëse ishin të survejuar. Ata mund të argëtoheshin mes të huajsh çdo fundjavë, çka nuk lejohej për shqiptarët.

Por filluan dyshimet e para deri në akuza për lidhje spiunazhi me të huajt. Ai që do ta pësonte i pari ishte dhe Zhak Mulele, i cili u mbajt për tre muaj në hetuesi. E liruan me kushtin se duhet të largohej nga Shqipëria. I thirrën nënën, e cila erdhi për ta marrë në Tiranë, ndërsa motrat i lanë të vazhdojnë fakultetin. Po kështu, edhe Charl Momeng e detyruan të lërë fakultetin që e përfundoi në Austri dhe sot jeton e punon si dentist në Gjermani.

I treti i dyshimtë që u largua, ishte Vitali Pakasa, afrikan i grupi të Vlorës që u kthye në Kongo. Pasi përfunduan universitetin, të gjithë u larguan, ndërsa Urbain Massena, Yrbeni apo doktor Beni, ishte i vetmi që qëndroi në Shqipëri.

YRBENI DHE E KALUARA E TIJ

Quhet Urbain Massena. Ka ardhur në Shqipëri kur ishte vetëm 7 vjeç, pikërisht në atë fund dhjetori, kur duhet të festonte datëlindjen dhe jo të merrte rrugët.

Urbain ishte fëmijë i një familjeje të privilegjuar, madje i ati ishte anëtar të kabinetit qeverisës, deri para ardhjes së regjimit të Mabutos. Ka lindur në një ditë të shenjtë, më 25 dhjetor të vitit 1956, ditën e Krishtlindjes. Duhet të ishte me shumë fat, por jeta e tij nuk ka qenë e tillë.

Djali i ministrit të Punës, Zhuasen (dikur edhe trajner futbolli), Yrbeni është i dyti nga gjashtë djemtë e familjes Massena (nuk kishin motër). Të gjithë të fesë katolike, frëngjishtfolës, të larguar nga Zaire në fundvitet ‘60.

KUR I BLINTE LIBRA TË DASHURËS

Ishte në gjimnaz kur ra në dashuri me një shoqe të klasës, por që nuk ia kishte shprehur dhe ajo nuk kishte kuptuar asgjë. Ndërsa luante futboll me të rinjtë, kishte konstatuar se çdo ditë rrobat e lojës apo të stërvitjes i gjente të lara dhe të hekurosura. Mendonte se ishte pikërisht ajo, shoqja e klasës që ia bënte fshehurazi këtë surprizë, kur papritur zbulon se nuk ishte ajo, por shoqja e ngushtë e saj.

Por, Yrbeni mendjen e kishte tek ajo që donte dhe jo tek ajo që e ndihmonte. “Ishte e zgjuar dhe kishte dëshirë të lexonte e të mësonte”, tregon ai. Dhe për t’i demonstruar simpatinë, me paratë që merrte, i blinte libra dhe ia dhuronte, por dashurinë nuk ia shprehu asnjëherë.

TRAZIRAT E ‘97, TAKIMI ME NËNËN DHE AMANETI I SAJ

Deri në mbarim të shkollës së mesme, afrikanët nuk kishin të drejtë të aplikonin dhe të dilnin jashtë Shqipërisë. Gjithçka ndryshoi gjatë kohës së fakultetit dhe pas viteve ‘80. Kur ishin në fakultet iu dha e drejta të dilnin një herë në dy vjet dhe duke qenë se gjatë kohës si studentë merrnin një pagesë mujore 7000 lekë, i jepte mundësinë për të jetuar dhe për diçka më shumë. “Kurseja nga paratë dhe me to blija biletën”, thotë Yrbeni.

Vetëm një herë ka menduar të largohet nga Shqipëria, gjatë trazirave të ’97-s. Por kur u takua për herë të parë dhe të fundit me nënën, Alfonsinë, gjatë tre muajve qëndrimi në Gjermani, amaneti i saj do të ishte i paharruar: “Mos e moho asnjëherë atë popull!”. U kthye në Shqipëri për të vazhduar jetën, punën, por nënën nuk e pa më.

SHUMË KUJTIME

Kanë kaluar shumë vite prej kohës së gjimnazit, e megjithatë ai ruan shumë kujtime prej asaj kohe. Shumë momente të gëzuara të kaluara në shkollën e mesme “Hydajet Lezha”, me drejtor Mark Vujin, por edhe shumë njerëz të mirë që iu bënë si të familjes. Një ndër to ishte edhe Antoneta Ristani, mësuesja e matematikës, për katër vjet mësuese kujdestare, që u kthye në një nënë të dytë për të.

Duke qenë se të ardhurit flisnin frëngjisht e për koincidencë edhe në shkollë gjuha e dytë ishte frëngjishtja, kujton me nostalgji mësuesen e lëndës, Antoneta Kolën (Kame). E me radhë mikun Kastriot Kodhelin, shtëpia e të cilit ishte bërë e dytë për të, si dhe kujdestarin e konviktit, Ferid Ramadanin, apo Petrit Rrapajn në Vlorë, Besnik Baren, deputetin aktual të Parlamentit shqiptar. Nuk mund të harrojë ishtrajnerët, shokët e skuadrës, Nikolin Lorencin, Vasil Bicin, pa harruar Zhakun që aktualisht ndodhet në Gjermani, tri motrat e tij në Francë, Austri e Itali, si dhe Charl Moneng, me të cilët mban një lidhje sistematike.

PASIONI PËR SKULPTURËN, MUZIKËN DHE BOKSIN

Artet figurative, skulptura është një tjetër hobi i tij. Mund të ishte bërë një skulptor i mirë, por e ka të kufizuar kohën dhe mundësitë për ta ushtruar këtë profesion. “Jam një admirues dhe punoj diçka, por gjithmonë në nivelet e një amatori. Ndjek ekspozitat që hapen dhe artisti që më pëlqen, është skulptori Odhise Paskali. Veprat e tij kanë art dhe ndjenjë”, thotë.

Ndërsa në muzikë ka mbetur tek Elton Xhon. Ndonëse vitet kalojnë, mbetet këngëtari idhull për të. Nuk e zëvendëson me asnjë, pasi shumë kujtime të kohës i ka të lidhura me muzikën e tij. Një tjetër idhull është Kasius Klei, pasi në Kinshasën e tij është zhvilluar sfida në boks e shekullit, ajo midis Kleit dhe Foreman në vitin 1974. Kur ai ishte në Shqipëri, ishte e pa mundur ta ndjekur, por që ruan një video kasetë të takimit.

JETA NË TIRANË E DOKTOR MASSENËN

Ai është i vetmi afrikano-jugor i ardhur në vitet ’60, që nuk u largua nga Shqipëria. U rrit, u martua, u arsimua dhe sot punon si mjek në Shqipëri, që e konsideron atdheun e dytë. Thotë se as artist, as sportist, as mësues, nuk do ishte bërë më shumë se një mjek, që ka qenë dhe mbetet pasioni i tij kryesor.

Një jetë e nisur me dëshirën për t’u bërë mësues gjuhe, pastaj ardhja në një vend të panjohur, sistemimi në Lezhë, më pas student në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, specializim në Spital dhe prej shumë vitesh në Vorë në poliklinikën e qytetit, ku punon si mjek reumautolog. Nuk është kthyer asnjëherë në Kongo, ndërsa pasioni, korrektesa për punën janë të rëndësishme për të. Marrëdhëniet me vajzën Eden kanë qenë dhe mbeten shumë të rëndësishme, madje jetike për dr.Massenën.

E lindur nga një bashkëjetesë me një vajzë shqiptare, pas divorcit, vajza bashkë me nënën është zhvendosur në Greqi. Këtu fillon edhe kalvari i problemeve pa fund për Massenën që prej kohësh vazhdon proceset gjyqësore, në kërkim të rikthimit të mundësisë për ta përqafuar vajzën, pasi ka shumë vite që nuk e takon atë.

Çdo mëngjes është ndër qytetarët e parë të Vorës që në orën 7 e gjen në një lokal duke pirë kafen, pastaj në klinikë. Jeton në Tiranë në rrugën “Bardhyl”, ka një jetë të thjeshtë e modeste, nuk përdor makinë dhe nëse sheh fotot e viteve kur ka qenë student, dëgjon historinë e tij, të vjen në mëndje shprehja “C’est la vie”, që doktor Beni e thotë gjithmonë.

 

 

Shpërndaje në: