Intervistë EKSKLUZIVE/ Udhëheqësja e forenzikës në Reçak: Kam paguar çmim të madh për misionin në Kosovë e BeH

Intervistë EKSKLUZIVE/ Udhëheqësja e forenzikës në Reçak: Kam paguar çmim të madh për misionin në Kosovë e BeH

Misioni i saj ishte  i madh në kohën e luftës në Kosovë. Raporti i saj forenzik konstatoi të vërtetën e masakrës së Reçakut, e cila vazhdon të mohohet tutje nga politika serbe. Ekspertja finlandeze e forenizës, Helena Ranta në një intervistë ekskluzive për Periskopin dhe të parën tash e 24 vite për mediat shqiptare, ka rrëfyer për rolin e saj si udhëheqëse e ekipit të BE’së në atë kohë, sfidat e punës së saj, e mospajtimet që i kishte pasur me ambasadorin e OSBE’së, William Walker.

Zonja Ranta, e cila me punën e saj ishte pjesë edhe e masakrës së Abrisë së Epërme (që e cilëson si të pasuksesshme), e në disa lokacione të tjera në Kosovë, sot pas 24 viteve të luftës shpalos detaje të padëgjuara më parë rreth rolit të saj.

Ranta në një pjesë të intervistës, me përgjigje mjaft të prera thekson se i është dashur të paguajë çmim të madh për misionin që kishte në Kosovë  e Bosnjë Hercegovinë.

Intervista e plotë:

Periskopi: Ju jeni personi kyç që kishte udhëhequr autopsinë e trupave të vrarë në masakrën e Reçakut, dhe të disa lokacioneve tjera.  Si ndodhi që Helena Ranta të vinte në Kosovë për një  mision aq të vështirë. Nga kush e morët ftesën?

Ranta: Në fillim unë isha kontaktuar nga Manfred Nowak (avokat austriak për të drejtat e njeriut) në gushtin e vitit 1998. Pas negociatave të gjata, në vjeshtën e vitit 1998 Bashkimi Evropian kishte dërguar ekipin tonë në Kosovë dhe mua më ishte lëshuar viza për gjashtë muaj. Ekipi ynë erdhi në Kosovë në nëntor dhe, pas misionit të pasuksesshëm në Abri të Epërme, ne u rikthyem në shtëpi për Krishtlindje. Pastaj në janar të vitit 1999, OSCE na kishte ftuar për ta hetuar Reçakun. Pasi që patologët tanë kishin përfunduar autopsitë, ne u rikthyem në Finlandë për ta përfunduar raportin tonë.

Periskopi: A mund të na përshkruani situatën e punës tuaj në janarin e vitit 1999. Në çfarë rrethana keni kryer autopsinë dhe a mund të ndani detaje në çfarë gjendje i patë trupat e pajetë, përfshirë  fëmijë?

Ranta: Situata në Prishtinë ishte e komplikuar për faktin se patologët serbë veçse patën filluar autopsitë që para mbërritjes sonë. Raportet tona më vonë iu dorëzuan Gjermanisë (presidencës së Bashkimit Evropian) dhe ata patën vendosur që ato t’i dorëzoheshin ICTY-së. (Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në Jugosllavi). Këto raporte janë të qasshme aty.

Periskopi: Faktet e mbledhura nga ekipi juaj i ekspertizës konfirmuan që atëherë se personat e vrarë në Reçak ishin civil dhe bëhej fjalë për masakër.  Si ndjeheni  ju sot pas 24 viteve kur  politikanët serbë edhe më tutje e mohojnë një gjë të tillë e bëjnë propagandë nëpër botë se të vrarët ishin ushtarë e jo civilë?

Ranta: Do të doja të ritheksoja se ne nuk jemi gjyqtarë. Qëllimi kryesor ishte për të parë nëse ishin civilë personat në kohën e vdekjes së tyre. Ne nuk kemi informata për të kaluarën e tyre të mëparshme. Studenti im i doktoraturës- një avokat- është duke e përfunduar temën e tij mbi misionin tonë. Ndihem e mërzituar kur shoh informacione të pavërteta që qarkullojnë në media.

Periskopi: A keni pasur ndonjëherë ju dhe ekipi juaj presion prej Serbisë apo dikujt tjetër, si në vitin 1999 ashtu edhe pas luftës që të tjetërsoni ekspertizën tuaj?

Ranta: Jo

Periskopi: Cili ka qenë bashkëpunimi juaj në atë kohë me ambasadorin William Walker. A mund të ndani ndonjë moment të rëndësishëm  lidhur me situatën e  vështirë atëherë?

Ranta: Ambasadori Walker nuk ishte i lumtur sepse unë kisha refuzuar t’i konfirmoj komentet e tij të menjëhershme mbi Reçakun. Walker priste që unë të konfirmoja deklaratat publike që ai dha pas verifikimit të viktimave në Reçak. Natyrisht, nuk mund ta bëja.

Periskopi: Ju jeni shkencëtare e cila ka dhënë kontribut për zbardhjen e krimeve të bëra ndaj civilëve, jo vetëm në Kosovë, por në shumë vende të boës.  Si  ju bën kjo të ndiheni në aspektin njerëzor kur e kemi parasysh se të vërtetën ua kemi borxh viktimave?

Ranta: Unë kam punuar për shumë vite si udhëheqëse e Ekipit të Ekspertëve Finlandezë të Forenzikës. E vërteta është viktima e parë në konflikte. Të afërmit e personave të zhdukur kanë të drejtë ta dinë se çfarë u ka ndodhur më të dashurve të tyre. Viktimat kanë të drejtë të varrosen në varrin që mbanë emrin e tyre, sipas zakoneve të tyre fetare dhe shoqërore.

Periskopi: Pas misionit tuaj gjatë luftës në Kosovë, ju shtetin tonë e keni vizituar edhe disa herë, madje keni punuar në një periudhë të caktuar këtu.  Cilat janë përshtypjet e juaja për zhvillimin e Kosovës pas tmerrit nëpër të cilin keni parë edhe vet se ka kaluar?

Ranta: Unë kam parë përparime pozitive si dhe negative.

Periskopi: Pse Helena Ranta ka qëndruar larg mediave e intervistave kur është bërë fjalë për Masakrën e Reçakut. E kemi rastin e z. Wallker që vije shpesh në Kosovë, nderohet nga institucionet etj. Ndërsa juve ju kemi parë shumë rrallë, ndërkohë që kishit një rol shumë të madh asokohe?

Ranta: Në Finlandë, ne ekspertët e forenzikës, nuk jemi mësuar me daljet publike. Në aspektin ndërkombëtar, situata është tjetër. Dikush duhet të jetë në ballë të një misioni. Në rastin e Bosnjës dhe Kosovës, unë isha në ballë të misionit dhe unë kam paguar një çmim të madh për këtë. Jam kritikuar për paraqitjet e mia publike, veçanërisht nga disa ekspertë finlandezë.

Periskopi: A keni pasë ndonjë kontakt apo takim me institucionet e Kosovës pas luftës?

Ranta:  Jo, jo në rolin e Udhëheqëses së Ekipit.

Periskopi: Vitin e kaluar është publikuar një film dokumentar për veprimtarinë tuaj, me titull “Fragments of Humanity”. Kur do të mund ta shohim edhe ne publiku nga Kosova?

 Ranta: Shpresoj që kompania filmike ta bëjë të mundur sa më shpejtë transmetimin e filmit në Kosovë. Unë kam pranuar shumë komente pozitive për filmin.

Intervistoi: Kaltërina Misini/ Përktheu: Sokol Berisha

 

Shpërndaje në: