Irani dhe BE-ja bien dakord për rifillimin e bisedimeve për marrëveshjen bërthamore me ShBA-në

Irani dhe BE-ja bien dakord për rifillimin e bisedimeve për marrëveshjen bërthamore me ShBA-në

Irani dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord, gjatë një vizite të shefit të politikës së jashtme të bllokut, për të rifilluar bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara. Bisedime këto që kanë ngecur që nga muaji mars.

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, dhe ai i BE-së, Josep Borrell, njoftuan gjatë një konference për shtyp, pas një bisede “të gjatë, por pozitive”, se ata kanë rënë dakord që bisedimet indirekte midis Teheranit dhe Uashingtonit, për të rivendosur marrëveshjen e tyre bërthamore të vitit 2015, do të rifillojnë brenda disa ditësh.

Amirabdollahian u tha gazetarëve se, për Iranin, ajo që ka më shumë rëndësi është se ai mund të gëzojë përfitimet e plota ekonomike që iu premtuan në bazë të marrëveshjes fillestare.

“Ne shpresojmë, konkretisht, që pala amerikane këtë herë do të angazhohet realisht dhe me drejtësi në veprime të përkushtuara dhe të përgjegjshme drejt arritjes së pikës përfundimtare të një marrëveshjeje”, tha ai.

Borrell përshëndeti gjithashtu rifillimin e bisedimeve, duke thënë se nga një marrëveshje e rivendosur bërthamore do të përfitonin rajoni dhe bota.

Ai tha gjithashtu se do të dëshironte të kthehej në Iran në të ardhmen, me sa duket kur të hiqen sanksionet e ShBA-së, për të diskutuar më tej “potencialin e lartë” të zgjerimit të lidhjeve tregtare dhe energjetike midis Iranit dhe BE-së.

Bisedimet e rifilluara do të synojnë “zgjidhjen e çështjeve të fundit të pazgjidhura”, tha ai në një seri postimesh në Twitter pas konferencës për shtyp, pa dhënë detaje.

Irani dhe ShBA-ja, të që në mënyrë të njëanshme braktisën marrëveshjen në vitin 2018 dhe vendosën sanksione të ashpra, kishin qenë në një ngërç se si të ringjallnin Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), siç njihet zyrtarisht marrëveshja bërthamore

Shpërndaje në: