KEDS dhe Oda Ekonomike e Kosovës diskutojnë rreth krizës energjetike

Periskopi.com Lajme

Kryeshefi Ekzektutiv i KEDS, Alpin Dogan, ka pritur sot në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, me të cilin u diskutua situata aktuale e furnizimit me energji elektrike, me fokus te bizneset.

Kriza energjetike që ka prekur edhe Ballkanin, ka bërë që siguria e furnizimit me energji elektrike të jetë mjaft sfidë për institucionet që janë pjesë e hallkës zinxhirore elektro-energjetike. Kësisoj, KEDS është duke realizuar takime informuese ndër institucionale me akterë të ndryshëm në vend, me qëllim që të gjendet zgjidhje për tejkalimin e kësaj krize.

Përgjatë takimit, kryeshefi i KEDS, Alpin Dogan, tha se sa i përket anës së KEDS, janë bërë përgatitjet e nevojshme për dimër, mirëpo sfidë do të jetë importi i energjisë, që sipas tij, çmimi ka arritur shifra rekorde në tregjet ndërkombëtare.

“Sa i përket rrjetit elektrik, KEDS si çdoherë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në terren. Janë ndërmarrë veprime konkrete që do të mundësojnë shpërndarje të mirëfilltë të energjisë elektrike deri te konsumatori i fundit. Mirëpo, kriza energjetike sigurisht që ka prekur edhe Kosovën. Çmimi i importit të energjisë është shumëfishuar, ndërsa furnizimi gjatë dimrit do të ndikohet nga shumë faktorë. Shfrytëzimi i energjisë për ngrohje dhe rritja e vazhdueshme e kërkesës për energji, rrjedhimisht nevoja për import më të lartë, do të jenë ndër sfidat kryesore këtë dimër”, tha Dogan.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim, në mënyrë që kjo krizë të tejkalohet sa më lehtë dhe pa pasoja për bizneset.
“Ne si Odë, gjatë kësaj kohe, do të jemi në koordinim të vazhdueshëm dhe komunikim të përditshëm me bizneset, për t’i informuar me rrjedhën e furnizimit me energji elektrike, në mënyrë që ata sa më pak të afektohen në veprimtaritë që ushtrojnë.”, shtoi Rukiqi.

Në përfundim të këtij takimi, KEDS dhe Oda Ekonomike e Kosovës u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin e deritanishëm dhe bashkërisht edhe me institucionet tjera që janë pjesë e hallkës energjetike, të shqyrtohen të gjitha propozimet dhe rekomandimet në mënyrë që kriza të tejkalohet me sukses.