Krasniqi: PDK hyn në zgjedhje nacionale për të fituar, do t’ia japim Kosovës një qeveri të re me vizion përbashkues
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se PDK është e gatshme t’i hyjë garës për zgjedhjet nacionale për të fituar.
Krasniqi ka thënë se rezultati i zgjedhjeve lokale garanton rezultat të mirë edhe në ato nacionale, i cili do t’ia mundësojë Kosovës të ketë një qeveri të re të udhëhequr nga PDK.
“Një qeveri, e cila mundohet me i bashku njerëzit e jo me i përça dhe për t’i rrëzuar muret e ndarjes, që i ka krijuar Albin Kurti për sa vjet dhe që ia jep një vizion të ri vendit tonë, për t’ia rikthyer një normalitet që ka qenë i munguar”, është shprehur Krasniqi në Klan Kosova. transmeton Periskopi.
Ai gjithashtu ka thënë se në rast se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, Partia Demokratike e Kosovës do të garojë sërish me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër.
Të ditelën e 26 tetorit, Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar Qeverinë e re, nuk i siguroi 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet.
Në një konferencë për media dje, Kurti tha pas dështimit të votimit të qeverisë, ka thënë se s’ka rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të reja.
“Dua të theksoj që unë dhe VV jemi të interesuar dhe angazhohemi të punojmë që ta zhvillojmë shtetin. Prandaj para çdo marrëveshje, ne zgjedhim zgjedhjet kjo është edhe arsyeja pse vendi, siç e pamë dje nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveç drejt zgjedhjeve të reja. Nuk ka qenë preferenca jonë”, tha Kurti dje në konferencë.



