Kurti – Stoltenbergut: Ne kërkojmë anëtarësimin në NATO

Kurti – Stoltenbergut: Ne kërkojmë anëtarësimin në NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë gjatë një konference të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg të mërkurën në Bruksel se Kosova kërkon anëtarësimin në NATO.

Kurti ka thënë se kërcënimet dhe rreziqet e sfidat që NATO-ja i përballon sot, ndjehen edhe nga Kosova.

“Kemi një vizion të qartë, ne kërkojmë anëtarësim në NATO dhe kjo do të na mundësojë që të japim atë që vendet anëtare na kanë dhënë ne. Kërcënimet rreziqet dhe sfidat që NATO-ja i përballon sot ndjehen edhe nga vendi jonë. Institucionet kanë arsye të jenë vigjilente ndaj agjendës së dëmshme ruse për Ballkanin dhe Evropën. Qeveria dhe populli i Kosovës e mirëpret besimin dhe përkushtimin tuaj për paqe të qëndrueshme dhe sigurinë”, ka thënë Kurti.

“Në një anë keni shtetin demokratik të Kosovës dhe policinë profesionale dhe në anën tjetër keni struktura ilegale të Serbisë që kanë ngritur barrikada. Në këtë sens s’mund të ketë tolerim për krimin e organizuar. Policia jonë ka ndërmarrë 39 operacione ku kanë arrestuar dhjetëra kriminelë të grupeve kriminale, të të gjitha komuniteteve. Policia jonë nuk i zgjedh kriminelët në bazë të përkatësisë së tyre etnike. Neve na nevojitet përkrahja nga BE dhe NATO dhe nga shtetet perëndimore”, tha Kurti.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur ato që ka thënë në takimin me presidentin serb, se KFOR-i është në gatishmëri në rast se cenohet stabiliteti.

“Misioni paqeruajtës i KFOR-it është atje dhe komandanti ka kontaktuar me organizatat e sigurisë në Kosovë dhe shefin e mbrojtjes në Serbi. KFOR-i është i gatshëm për të ndërhyrë nëse stabiliteti rrezikohet. KFOR-i ka më shumë se 3.700 trupa. Jemi plotësisht të përkushtuar ndaj mandatit tonë dhe rezolutës 1244. KFOR-i do vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë për popullin në Kosovë”, tha ai.

 

Shpërndaje në: