Kuvendi nuk po arrin të votojë asnjë pikë, fillon e përfundon pa kuorum
Pa kuorum ka filluar dhe ka përfunduar vazhdimi i seancës plenare të nisur javën e kaluar. Asnjë prej pikave të diskutuara gjatë tërë ditës së martë nuk ka arritur që të hidhet në votim, shkruan sot Koha Ditore.
.Në mungesë të kuorumit kanë mbetur pa u votuar edhe disa pika të bartura nga seancat e mbajtura nga fillimi i këtij muaji.
“Në sallë nuk kemi kuorum për të vazhduar me tri pikat që janë për votim, por po fillojmë me pikën e rendit të ditës që ka ngelur, kur të bëhet kuorumi i mjaftueshëm për votim do të kthehemi për të votuar”, ka thënë kryesuesi i seancës Xhavit Haliti, me të nisur vazhdimi i seancës.
Por gjatë tërë ditës, as në diskutimet që janë zhvilluar paradite e as pas pauzës, në votim nuk janë kthyer. Votimi i asnjë pike nuk është kryer as në orën 17:30, kohë që Haliti gjatë zhvillimit të diskutimeve e ka caktuar për votim. Nuk ka pasur votim as në fund të seancës, ndonëse diskutimet kanë zgjatur deri pas orës 18 dhe zilja që thirr deputetët për të votuar është dëgjuar rreth gjysmë ore në ambientet e Kuvendit, në kohën kur ka përfunduar seanca në sallë kanë qenë vetëm 51 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi.



