Lypsarët në Kosovë bëhen milionerë

Lypsarët në Kosovë bëhen milionerë

Policia identifikon lypsarët fëmijë

Policia e Kosovës pardje e lëshoi një komunikatë ku deklaroi se i kishte identifikuar 58 fëmijë lypsarë që i kishte hasur në rrugë. Ky ‘operacion’ ishte pjesë e një angazhimi më të madh, por që si dukej nuk përfshinte identifikimin e plotë dhe gjurmimin e trafikimit.

Shkurtimisht, Policia tha se fëmijët e identifikuar i kishte referuar në Qendrat për Punë Sociale dhe se asnjëri prej tyre nuk rezultonte të ishte ‘viktimë e trafikimit’.

Më pas, në fjalinë vijuese që mund të shërbejë si ilustrim i këtij raporti, Policia e Kosovës deklaron: “Fëmijët të cilët nuk kanë rezultuar viktima të trafikimit me njerëz janë ndërmarrë disa masa.” Lexojeni edhe një herë nëse doni. Edhe dy. Tri. Njëqind. S’ka kuptim.

Kjo fjali dhe ky raport i lodhët nuk e ilustron vetëm ndarjen e policisë me sintaksën, por ndarjen e policisë me botën e njerëzve të shtypur. Sa herë që duhet të merret raste të tilla, ajo del krejtësisht e mpirë dhe e përfjetur. Me një fjalë, në këtë rast Policia e Kosovës, më konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore [DHTQNj] e ka bërë punën shkel-e-shko.

E para, është e logjikshme të pyesim pse duhej që identifikimi i lypsarëve të bëhej në mënyrë kaq spontane? Policia me fjalë të veta deklaron se këta lypsarë i ka hasur nëpër rrugë, dmth nuk i ka gjurmuar paraprakisht. Thjesht ata që i ka hasur duke lypë në një moment të dhënë, i ka ‘identifikuar’. Për këtë arsye, numri del aq i ulët, vetëm 58 në krejt Kosovën. E ne të gjithë e dimë se numri është shumë më i lartë.

E dyta, Policia konkludon se “asnjëri nuk është viktimë e trafikimit”. Këtë e bën përmes metodës “marrje në pyetje”. Me kaq mjaftoi që të nxirrej e vërteta dhe të pezullohej kërkimi i mëtejmë për një rrjet eventual trafikuesish me qenie njerëzore. Edhe në kohën e inkuizicionit hetimi përfshinte më shumë punë. Kishim marrjen në pyetje të shoqëruar nga një torturë e gjatë, durimi ndaj së cilës e dëshmonte të vërtetën e të hetuarit ndërkaq mosdurimi ndaj së cilës e dëshmonte të vërtetën e policisë. Që nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se dyqind vjet. Por ja që, Policisë së Kosovës i ka ikur një gjë e tillë.

E treta. Qysh dje, më 3 korrik 2019, vetëm duke bredhur në disa prej kafeneve të kryeqytetit do të mund t’i shihje dhjetëra lypsarë fëmijë. Dhe po ashtu, të rritur.

Çka ndodhi pas gjithë këtij angazhimi policor? Kurrgjë. Disa prej prindërve të fëmijëve lypsarë u paditën dhe të cilëve ose do t’iu duhet të paguajnë gjobë ose do t’iu duhet të mbajnë burg. Kjo nënkupton se gjendja e këtyre njerëzve me të cilët policia nuk lodhet, mbetet po e njëjtë, në mos u rëndoftë edhe më zi. Por, policia do ta shënojë si të kompletuar këtë mision. U krye identifikimi. Me kaq, përfundoi kjo çështje.

Ngucja morale

Sa herë që një lypës fëmijë ose i rritur të qaset në tavolinë duke kërkuar lëmoshë, e ngucë keq sensin tonë moral. Nuk mund t’i thuash asnjërit se duhet të rrëzohet sistemi që të bëhet mirë. Se bamirësia është e keqe dhe i shërben mirëmbajtjes së sistemit. E të tilla. Por, në anën tjetër, ka shumë njerëz që e bëjnë pikërisht një gjë të tillë. Ata thurin konspiracione të ngjashme dhe tregojnë se si këta njerëz të degdisur në një fat të tmerrshëm, në të vërtetë fitojnë më shumë se të gjithë ne së bashku (prandaj, edhe këtë shkrim e titullova kështu). Ose, se duke iu dhënë para atyre, ne po e fuqizojmë krimin e trafikantëve. E vërteta është se asnjëra nuk qëndron. Të paktën jo për aq sa nuk ka të dhëna serioze mbi këto çështje, e jo vetëm thashetheme si në raportin e Policisë.

Lypsarët ekzistojnë, na pëlqen ose jo. Dhe natyrisht, mënyra se si sillemi me ta na përcakton moralisht. Nëse nuk i ke dhënë pare asnjë lypësi, e në anën tjetër nuk ke bërë asgjë në prapavijë që e ardhmja ekonomike e tyre të ndryshojë, atëherë je një qenie meskine me të cilën nuk ia vlen të ndahen as dy sekonda. Ky nuk përbën as individualizëm. Sepse, në këtë rast kurrfarë rëndësie nuk kanë bindjen. Lypsarët evokojnë empatinë themelore për një qenie tjetër njerëzore. Njësoj si në rastin kur e sheh një njeri me plagë e duke u gjakosur në rrugë ndërsa ti thjesht i kthen shpinën.

Le të shpresojmë që pas 50 vitesh lypsarët përnjëmend nuk do të ekzistojnë. Që do të mbeten në histori ashtu si viktimat e skllavërisë. Dhe që po njësoj, me ekzistencën e tyre historike do të ndjellin përçmim për indiferentët e asaj kohe dhe të kësaj kohe./Periskopi

Shpërndaje në: