Mbërrin në Kosovë Hilmi Kelmendi, pa përcjellje të institucioneve

Ai ka ardhur nën përcjellje të Policisë së Serbisë, së bashku me babanë e tij, Binak Kelmendi.
Ai qe arrestuar javën e kaluar nga autoritet serbe, me dyshimin për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. Me të s’ka qenë as Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme e as Valdet Sadiku, shef i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.
Kelmendi ka deklaruar se arsyet e arrestimit të tij ishin banale.
“Më kanë akuzuar për rrahje e për zhdukje por pa pasur fare dëshmi”, ka thënë Kelmendi, raporton KTV.
Lirimi i tij vjen pak ditë pas lirimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi, i cili është mbajtur në paraburgim për më shumë se një muaj.
Hilmi Kelmendi është personi i katërt ndaj të cilit Gjykata e Lartë e Kolegjit për Krime Lufte në Serbi kishte caktuar 30 ditë paraburgim më 11 prill të 2011-ës, raoprton Koha.net. Arif Shala nga Cermjani, Jahë Bushati nga Gërgoci, që të dy tashmë të ndjerë, dhe A.K. nga Rakovina e Gjakovës, së bashku me Hilmi Kelmendin, sipas aktakuzës, dyshoheshin për krime lufte.
Prokuroria për Krime të Luftës e Serbisë, më 11 prill të 2006-ës, nisi procedurat hetimore për vazhdim të hetimeve për këtë rast, me dyshimin se të akuzuarit morën nga shtëpia e tyre një rom në vitin 1998, për fatin e të cilit ende nuk dihet.
Hilmi Kelmendi u arrestua natën mes së premtes dhe së shtunës, teksa po vinte për pushime në Kosovë nga Gjermania.