Mourinho, ky trajner mesatar

Mourinho, ky trajner mesatar

U bë i njohur në vitin 2004 kur arriti që me skuadrën e Porto-s, ta fitonte Ligën e Kampionëve. Dhe përgjithësisht mendohet se Porto ishte e dobët. Por kjo nuk është e vërtetë. Mourinho e drejtoi skuadrën portugeze për dy vjet, nga 2002 deri më 2004 – kur skuadra po e përforconte vazhdimisht veten me transferime të mëdha. Porto që u bë Kampione e Evropës kishte futbollistë të cilët kishin shkëlqyer në Kampionatin botëror të vitit 2002.

“Special One” kishte në atë skuadër emra si Deco, Ricardo Carvalho, legjenda e Afrikës Jugore Benni McCarthy, Paulo Ferreira, Nuno Maniche apo edhe Costinha. Dhe të mos harrojmë që në atë periudhë, skuadrat e mëdha si Barça, Real Madrid apo Bayern, nuk e kishin as gjysmën e fuqisë së sotme. Pra, nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme. Titulli i Ligës së Kampionëve, u fitua nga transferet që u bënë, nga lojtarë që më vonë përfituan edhe transferime tjera. Për shembull, Deco kishte kaluar te Barcelona ndërsa Carvalho e Ferreira shkuan me Moun te Chelsea. Ndër tjerë. Po Chelsea?Para kalimit të Mourinho-s te Chelsea, skuadrën nga Stamford Bridge e drejtonte Claudio Ranieri, aktualisht trajner i Leicester City-t. Trajneri italian ka drejtuar të kaltërit e Londrës nga viti 2000 deri më 2004. Ai arriti që me skuadrën e tij në vitin 2004 ta zinte vendin e dytë në tabelë, pas kampionit Arsenal. Pra ai kishte ndërtuar një skuadër të mahnitshme, me lojtarë si Damien Duff, Claude Makelele, Frank Lampard e John Terry. Por megjithë punën e mrekullueshme Claudio u shkarkua. Në vend të tij erdhi Mourinho – fitues i Ligës së Kampionëve me Porton.

Por sa ka merita “i veçanti” në triumfin e Chelseat në vitet 2005 dhe 2006 në Premier Ligë – nëse merret parasysh fakti që e trashëgoi një super skuadër në njërën anë, dhe në tjetrën, të gjithë ata yje që ia solli pronari miliarder Roman Abramovich? Abramovich i zbarkoi në Stamford Bridge shumë lojtarë të mëdhenj si Drogba nga Marseille për 24 milionë funte, shifër kjo tepër e lartë për atë kohë. Erdhi edhe Robben, Ferreira, Carvalho, Cech e shumë të tjerë. Futbolli anglez ndryshoi. Nuk ishte më e rëndësishme sesi punoje brenda skuadrës, por se sa transferoje. Dhe Chelsea transferoi më së shumti. Edhe Ismet Munishi, megjithë respektin, nëse ia bëjmë bashkë Messin, Ronaldon dhe të gjithë lojtarët më të mirë, do ta fitonte çdo kampionat. Por në vitin 2007, Mourinho me skuadrën e tij pati një fillimsezon tepër të keq në Premier Ligë. Ky ishte fundi i tij. Nëse do të ishte trajner vërtet i mirë, a do ta shkarkonte Chelsea? Jo. Ai ishte thjesht imazh – ashtu siç mbeti.

Në vitin 2008, Mourinho mori përsipër detyrën e trajnerit te një skuadër e madhe evropiane, Inter. Te zikaltërit, portugezi gjeti një skuadër fantastike me super-yje si Zlatan Ibrahimovic, Patrick Vieira, Walter Adrian Samuel, Julio Cesar, Douglas Maicon. Interi i asaj kohe ishte si Juventusi i sotëm. Vetëm Roma e kërcënonte ngapak në luftën për titull – të cilën gjithmonë e fitonte. Pra e fitonte edhe me Mancinin, të cilin e shkarkuan. Portugezi përgjatë dy sezoneve sa qëndroi në Giuseppe Meazza, arriti të ruajë trofeun e Serie A. A ishte e zorshme? Aspak. Në sezonin e dytë, ai shkroi historinë duke fituar tripletën me këtë skuadër. Viti 2010 ishte shumë i frytshëm për skuadrën e drejtuar nga ai, ku arriti të fitonte Serie A, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Italisë. Kush është meritori për këto suksese? Massimo Morati. Transferimet. Lojtarët. Askush tjetër. Se çka bëri Mourinho tregojnë sezonet e ardhshme të kësaj skuadre. Interi u rrëzua si një shtëpi prej letre – sapo i ikën yjet. 2010-a, ishte viti i fundit i Mourinhos te Interi, pasi ai kërkoi një tjetër aventurë te një tjetër skuadër e madhe, Real Madrid.

Nga viti 2010 deri më 2013 ai drejtoi Los Blancos, klub ky i cili historikisht njihet për investime gjigante në merkato të transferimeve. Te skuadra nga Santiago Bernabeu, Mourinho gjeti superyllin Cristiano Ronaldo dhe yjet tjerë si Sergio Ramos Xabi Alonso dhe Gonzalo Higuain. Por para së gjithash, e gjeti Florentino Perezin. Por, ai prapë nuk ishte i sigurtë se skuadra e tij mund të garonte me Barcelonën në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve. Në vitin e tij të parë te madrilenët, klubi i drejtuar nga Florentino Perez transferoi yje të njohur si Mesut Ozil, Angel Di Maria dhe Sami Khedira. Pra, Reali tashmë ishte shndërruar në një super-fuqi sa i përket yjeve. Nga babai Morati kaluam te babai Perez. Në sezonin e parë te kjo skuadër ai arriti të fitojë Copa del Rey. Uh, çfarë arritje. Megjithatë, me tërë këto yje në skuadër, Mourinho nuk arriti të fitonte titullin në La Liga në sezonin e parë te Reali. Këtë e bëri në sezonin e dytë, ku mposhti në garë, Barcelonën. Real Madridi nuk arriti të fitonte titullin e Spanjës as në vitin 2013, madje në fund të sezonit mbeti plot 15 pikë prapa vendit të parë, Barcelonës. Në fund të sezonit të 2013-tës, ai u pajtua me klubin mbretëror për shkëputjen e kontratës, kështu që u largua, për t’u rikthyer te Chelsea. Ku është Liga e Kampionëve? Askund. Megjithë yjet, ai nuk ia doli mbanë të fitonte të paktën një trofe të Ligës së Kampionëve.

Rikthimi i tij te Chelsea ishte i veçantë. Tifozët e mirëpritën rikthimin e tij ani pse e kishin mirëpritur edhe largimin e tij gjashtë vite më parë. E shihnin atë si shpëtimtar për të fituar titullin e pestë të Premier Ligës në histori të klubit, sukses ky i cili iu mungonte nga viti 2010, qe tri vite. Tashmë në transferime e konkuronte Unitedi dhe City. Edhe ato i kishin miliarderët e tyre. Mourinho e arriti suksesin në sezonin e tij të dytë te londinezët, pra në sezonin 2014/15. Por, as këtu nuk munguan blerje të yjeve. Fabregas erdhi nga Barcelona dhe ishte kreatori i atij titulli. Kishte ardhur edhe Diego Costa por edhe të tjerë. Sezoni 2015/16 ishte i tmerrshëm për ‘Special one’. “Të kaltrit” e Londrës patën një sezon tejet të padëshirueshëm, duke dështuar për të fituar në shumë ndeshje radhazi në ligë, gjë e cila shtyu edhe drejtuesit e klubit nga Stamford Bridge t’i tregonin derën e largimit në janar ‘strategut’ të njohur.

T’i kthehemi përsëri pyetjes së mëparshme: a largohet pas vetëm një sezoni të dështuar, një trajner i madh? Jo, por Mourinho nuk është i madh. Madje, ai thuhej se ishte faktori kryesor që te lojtarët të ndryheshin pakënaqësi të mëdha. Pas gjashtë muajsh pushim, Mourinho mori detyrën e trajnerit të Manchester United. Me të marrë këtë detyrë te gjiganti nga Old Trafford, portugezi kërkoi transferimin e superyjeve si Zlatan Ibrahimovic, i cili kaloi te kjo skuadër me parametra zero dhe Paul Pogba, rikthimi i të cilit i kushtoi Unitedit me një shifër rekorde, rreth 110 milionë euro. 20 herë kampioni i Premier Ligës shpenzoi në këtë verë mbi 200 milionë euro për transferime të yjeve të futbollit, përfshirë edhe Henrikh Mkhitaryan dhe Eric Bailly. Pra, si përfundim mund të bëjmë një pyetje të thjeshtë: Çfarë strategu mund të jetë ai, i cili në çdo skuadër që drejton ka pasur futbollistët më të mirë dhe ka pasur një mori dështimesh?

 

B.Sejdiu  /Periskopi.com

Shpërndaje në: