Nuk do të ketë Super Ligë Evropiane dhe Botëror çdo dy vite: Parlamenti Evropian miraton rezolutën

Periskopi.com Sporti

Parlamenti Evropian miratoi këtë të martë një rezolutë gjithëpërfshirëse mbi politikën sportive të BE-së dhe bëri thirrje për veprime ligjore për të mbrojtur sportin nga kërcënimi i garave të shkëputura siç ishte konceptuar Superliga e Europës.

E propozuar nga eurodeputeti Tomasz Frankowski, ish-lojtar i kombëtares polake, rezoluta u miratua nga shumica dërrmuese e anëtarëve të Parlamentit Europian nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit. UEFA – thuhet në një shënim – mirëpret rezolutën, një hap i rëndësishëm përpara në zhvillimin e modelit evropian të sportit të bazuar në vlera, solidaritet dhe merita.

“Raporti Frankowski” përfshin rekomandime specifike dhe të zbatueshme në fusha të rëndësishme si qeverisja e mirë, solidariteti, barazia gjinore, diversiteti dhe të drejtat themelore, integriteti, futbolli bazë, qëndrueshmëria, shëndeti dhe mirëqenia.

 

Si një institucion kyç politik, Parlamenti i Bashkimit Europian është i bindur për kërcënimet kryesore me të cilat përballet sporti në kontinentin tonë. Eurodeputetët dënojnë ashpër garat separatist, siç është e ashtuquajtura Superligë, sepse ato minojnë vlerat dhe parimet e sportit europian, duke menduar vetëm për interesat e elitës dhe përfitimin, pa marrë parasysh vendimmarrjen gjithëpërfshirëse.

Parlamenti Evropian kundërshton gjithashtu propozimin e fundit për një Kupë Bote një herë në dy vjet, duke u kërkuar organizatave sportive të respektojnë frekuencën aktuale të ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare. Rezoluta gjithashtu bën thirrje për zhvillimin e kornizave rregullatore për të modernizuar sistemet e transferimit të lojtarëve dhe për të përmbushur nevojat, standardet dhe objektivat specifike të Evropës. UEFA do të punojë së bashku me federatat e futbollit dhe aktorët kryesorë të futbollit europian – tifozët, lojtarët, klubet dhe ligat – për të arritur objektivat e rezolutës dhe për të zbatuar rekomandimet e saj.