Nxënësja në një shkollë të Malishevës u ngacmua seksualisht nga profesori i Fizikës

Periskopi.com Lajme

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet reportazhi për ngacmimet seksuale.

Në qershor të këtij viti në një fshat të Malishevës është hapur një rast me pretendimin se një nxënëse ishte ngacmuar seksualisht nga arsimtari i lëndës së Fizikës.

Shënimet në dosjen e lëndës tregojnë se nxënësja ishte ankuar se mësuesi i kishte dërguar mesazh, i kishte kërkuarr të dalë nga ora, e më pas gjatë takimit e kishte përqafuar.

Pak minuta pas ngjarjes, nxënësja i kishte raportuar këto sjellje të mësimdhënësit dhe te përgjegjësi i shkollës, i cili tutje kishte njoftuar Policinë dhe Prokurorinë.

“Rasti në fjalë ka ndodhur më datën 10.06.2021 ku jam informuar nga kujdestari i ditës përgjegjës për paralelen tonë se nxënësit e kanë një problem. Kur kam shkuar të klasa, vajza bashkë me nxënësit e tjerë ma kanë rrëfyer ngjarjen se si ka ndodhur dhe si ka ardhur deri këtu”, thotë përgjegjësi për KALLXO.com.

“Me insistim të vajzës edhe nxënësve të tjerë, vetë vajza e ka bërë një deklaratë si dëshmi për ngacmimin në fjalë. Atëherë bashkë me kujdestarin e klasës kemi ardhë këtu në zyrën time dhe ka dhënë deklaratën e protokolluar dhe pas kësaj rastin  në fjalë me dokumente tjera shtesë që janë këtu me dëshmitë në telefon ia kam dorëzuar drejtorit të shkollës”, thotë më tej ai.

Deklarata e nxënëses në të cilën pretendonte që ishte ngacmuar seksualisht nga mësuesi ishte alarm për Policinë.

Këta të fundit u përfshinë në rast duke intervistuar palët. Dëshmitë tregojnë se një dosje penale u hap për mësuesin nga ana e Policisë.  Ngjarjet tutje janë zhvilluar në mënyrë të mistershme në Prokurorinë e Gjakovës.

Rasti i rëndë ku një mësues pretendohet se ngacomi një nxënëse ishte dorëzuar në Prokurorinë e Gjakovës. Këta të fundit sipas të dhënave, pas disa javësh kishin vendosur që çështjen ta dërgonin tek ndërmjetësuesi privat, një procedurë kjo e zbatueshme për vepra të lehta penale.

Të dhënat tregojnë që ndërmjetësimi ishte zhvilluar në mes përfaqësuesit të vajzës që në këtë rast ishte vëllai i viktimës dhe mes mësuesit. Në fund të këtij procesi, denoncimi  ishte vendour të mbyllej aty me një marrëveshje, e cila është sekrete për publikun.

Prokuroria e Gjakovës nuk ka dhënë detaje se si është mbyllur procesi duke u fshehur prapa parimit që kjo dosje është konfidenciale.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftoj se bazuar në nenin 7 të Ligjit për Ndërmjetësim Nr.06/L-009 procedura e ndërmjetësimit është e natyrës konfidenciale, e po ashtu duke pasur parasysh faktin se palë në këtë procedurë është një vajzë e mitur, nuk mund të japim më shumë informacione”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Të dhënat tregojnë që procesi i dërguar te ndërmjetësuesi ishte mbyllur, ndërsa bashkë me të edhe procedura penale për mësimdhënësin.

Zhvillimet e mëtutjeshme janë mjaft shqetësuese. Drejtoria e Arsimit në Malishevë ka vendosur të kthejë në punë mësuesin. Ai do kthehej në punë edhe në fshatin dhe shkollën  ku pretendohej se kishte ndodhur rasti.

Por, lajmi që Drejtoria e Arsimit e kishte kthyer mësuesin në punë, ngriti në këmbë Këshillin e Fshatit. Ata me një letër të nënshkruar kishin kërkuar që mësuesi të largohet nga shkolla. Përfundimisht mësuesi u largua nga kjo shkollë, por ai vazhdon punën në një shkollë tjetër në komunën e Malishevës.

Në Drejtorinë e Arsimit nuk kanë shpjegim pse procedurat disiplinore nuk u vazhduan, ndërsa konfirmojnë që mësuesi nuk punon më në të njëjtin fshat.

“Ky është një rast që ka ndodhur para 3 muajsh që jemi njoftuar nga Policia e Kosovës për të cilin pretendohet sa ka ndodhur një gjë e tillë dhe ne konform anës ligjore ne i kemi marrë të gjitha masat dhe nuk ka shku  një periudhë e gjatë ka ardhë vendimi nga gjykata që është përmbyll ai rast si rast i lirë, e kemi vendimin përfundimtar që ai s’është i dënuar”, thotë Blerim Thaçi, drejtor i Arsimit.

Mbi bazën e raportimit të Policisë dhe vendimit të prokurorit ne e kemi marrë masën për suspendim të përkohshëm konform anës ligjore dhe në kohën kur është kthy vendimi përfundimtar si vendim lirues dhe i pafajshëm ne e kemi vendosur prapë sipas anës ligjore për mësimdhënësin”, shton ai.

I kontaktuar nga KALLXO.com, mësuesi i apostrofuar emri i të cilit nuk bëhet publik për shkak të ndalesave ligjore, është arsyetuar se ngjarja ka qenë vetëm një keqkuptim, ndërsa ka pranuar se sërish është duke ushtruar profesionin e mësuesit.

“Këtë temë e ka mbyllur gjykata. Kurrgjë s’ka ndodhë. Ka qenë një keqkuptim, me familje, me të gjitha i kemi kryer me gjykatë, gjithçka në rregull është. Është keqkuptuar ai mesazh për puthje dhe përqafim dhe s’ka pasë kurrgjë. Unë s’kam kërkuar puthje por përqafim prindëror, të gjithëve mundem me ju dhënë që kanë kontribu për vajzën time”, thotë mësimdhënësi.

Mbyllja e dosjes penale për ngacmimin e pretenduar seksual është kryer me pëlqimin e familjes së vajzës.

I vëllai, i cili ka qenë përfaqësues ligjor, nuk ka pranuar të flasë për arsyet pse vendosën të shkojnë në ndërmjetësim, ndërsa shpjegime nuk kanë dhënë as drejtuesit momental të shkollës, ku është i punësuar mësuesi.