Pas daljes së ngjashmërive tronditëse, kërkohet bashkimi i Kosovës me Gambinë

Pas daljes së ngjashmërive tronditëse, kërkohet bashkimi i Kosovës me Gambinë

Pasi Periskopi gjatë ditës së djeshme njoftoi popullin për ngjashmëritë tronditëse mes shtetit të Gambisë që ndodhet në perëndim të Afrikës dhe Kosovës tonë që ndodhet në perëndim të Ballkanit, kanë pasuar reagime të ndryshme.

Disa nga ngjashmëritë marramendëse të paraqitura nga Periskopi janë si vijon: “Kosova i ka 10 mijë e 908 kilometra katrorë. Gambia i ka 10 mijë e 689 kilometra katrorë. Kosova i ka rreth 2 milionë banorë. Gambia po ashtu i ka rreth 2 milionë banorë. Kosova e feston Pavarësinë më 17 shkurt. Gambia e feston Pavarësinë më 18 shkurt”.

Po ashtu, mbi 90 për qind e popullsisë në këtë shtet të quajtur Gambi identifikohen si myslimanë sunitë, njëjtë si në Kosovë. Dhe po si në Kosovë, shumica e gambianëve edhe pse myslimanë nuk kryejnë praktikat tradicionale të kësaj feje përveç bajramëve.

Dhe, komentet ishin të shumta.

Njëri kërkonte që Kosova të bashkohej me Gambinë.

“Duhet të bëjmë bashkimin e dy shteteve! Vetëm të bashkuar do të shkojmë përpara!” – është shprehur njëri komentues.

Një tjetër ka kërkuar që ambasador në Gambi të dërgohet Ramush Haradinaj.

Kujtojmë që Gambia e kishte njohur Kosovën më 7 prill të vitit 2009, por mediet serbe në vitin 2019 kishin raportuar se ky shtet e kishte tërhequr njohjen për pavarësinë e shtetit tonë. /Periskopi

Shpërndaje në: