Pjetër Shala e thotë fjalën përfundimtare në gjykimin ndaj tij në Hagë

Pjetër Shala e thotë fjalën përfundimtare në gjykimin ndaj tij në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, me fjalën përfundimtare të Pjetër Shalës është mbyllur çështja gjyqësore ndaj tij.

Pas deklaratave përmbyllëse të palëve, fjalën e mori Shala, por pjesa më e madhe e saj ishte me përmbajtje të redaktuar për publikun.

“Kisha shumë për të thënë, por shumicën e fjalëve i shprehën avokatët e mi dhe i falënderoj shumë. Kanë ngelë disa gjana për t’i thënë. Besoj që do të jem i qartë. Unë e di që do t’i përgjigjem mas pari…”, tha Shala.

Më pas seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar për publikun deri në përfundim të deklaratës së tij përmbyllëse.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia e deklaroi këtë çështje gjyqësore të mbyllur.

Përpara kësaj, palët i paraqitën parashtrimet e tyre sa i takon zhdëmtimit të viktimave.

Përfaqësuesit e mbrojtjes së viktimave thanë se nuk do t’i thonë sërish parashtrimet e tyre që tashmë i kanë bërë me shkrim, mirëpo do t’i kundërpërgjigjen mbrojtjes në një pikë sa i takon kësaj çështjeje.

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws tha se analiza ligjore sa i takon zhdëmtimeve është kuptuar gabim nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit.

Laws theksoi se i akuzuari duhet të mbahet përgjegjës për zhdëmtim për dëmet e shkaktuara nga një krim që mund të dënohet.

Ne mendojmë se kjo është e zbatueshme sepse në momentin kur trupi gjykues arrin tek çështja e zhdëmtimit, i akuzuari të paktën është dënuar për një krim dhe në këtë pikë i takon që trupi gjykues të shqyrtojë ndikimin e krimit mbi viktimat dhe të marrë parasyesh zhdëmtimet që janë të përshtatshme”, tha ai.

Laws tha se kjo gjë thuhet në ligj dhe se nuk është e nevojshme të jepen shpjegime të tjera lidhur me këtë.

Shpërndaje në: