Policia jep detaje për arrestimin e Dardan Molliqajt, Frashër Krasniqit e Zgjim Hysenit

Policia jep detaje për arrestimin e Dardan Molliqajt, Frashër Krasniqit e Zgjim Hysenit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për arrestimin e Dardan Molliqajt, kryetarit të Partisë Socialdemokrate.

Nëpërmjet një komunikate për media, PK-ja ka njoftuar po ashtu edhe për arrestimin e dy anëtarëve të tjerë të PSD-së, për pengim të kryerjes së detyrës zyrtare nga ana e policëve.

“Policia e Kosovës (PK), bazuar në urdhër arrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë, sot në orët e pasdites në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ka arrestuar personin D.M, i cili ishte në kërkim”, thuhet në njoftim.

“Njësitet policore, po ashtu kanë arrestuar edhe tre persona (F.K, Z.H, G.K,) të cilët kanë penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, të cilët kanë tentuar t’u pamundësojnë zyrtarëve policorë zbatimin e urdhër arrestit”, vijon komunikata.

“Të gjitha veprimet e zyrtarëve policorë janë realizuar konform autorizimeve ligjore, përderisa veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, përfundon komunikata e PK-së.

Arrestimi ndodhi pas protestës së veteranëve për përfshirjen e kësaj kategorie në rritjen e pagës minimale.

Shpërndaje në: