Premtimi i Batatinës: Stadiumi i Llapit do të jetë si ‘Camp Nou’

Premtimi i Batatinës: Stadiumi i Llapit do të jetë si ‘Camp Nou’

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka dhënë një deklaratë interesante pas humbjes kundër Feronikelit, të mërkurën pasdite.

Llapi u mposht në terren të vetë nga lideri Feronikeli, me rezultat 3-1, derisa “Nikli” tani është vetëm një ndeshje larg titullit, shkruan Periskopi.

“E kam ditë që është shumë vështirë për të motivuar skuadrën ndaj Feronikelit, pas humbjes ndaj Prishtinës si dhe lëndimi i Valimr Veliut ka ndikuar tek futbollistët. Kemi dominuar në pjesën e parë, ishim më të mirë shënuam golin e parë, pastaj pranuam një gol të shpejt. Më duhet të them se arsyeja e humbjes është edhe motivimi i skuadrës mysafire. Golin e tretë nuk është dashur ta pranojmë,” ka deklaruar Batatina për “SuperSport”.

Batatina poashtu ka thënë se sezonin e ardhshëm Llapi do të ketë stadium të ngashëm me “Camp Nou”.

“Tifozët llapjanë e dijnë shumë mirë karakterin tim, sezonin e ardhshëm do të shihni një stadium komplet të ri, pasi do të përfundojnë punimet, do të jetë si “Camp Nou”. Llapi do do të luftojë për titull të kampionit dhe për daljen në Evropë, asnjë futbollistë nuk do të largohet pasi kam biseduar me ta dhe e kam parë se duhet t’i bëjmë dy apo tri përforcime.” /Periskopi.com/

Shpërndaje në: