Presidenti shkarkon këshilltarin që u raportua se ishte agjent i BIA-s serbe

Presidenti shkarkon këshilltarin që u raportua se ishte agjent i BIA-s serbe

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shkarkuar nga detyra këshilltarin e tij Branisllav Nikoliq i cili nga mediat është raportuar se ka qenë agjent i shërbimit sekret i Serbisë(BIA).

Në lidhje me këtë nga Presidenca është lëshuar një deklaratë për media.

Deklarata e plotë:

Zyra e Presidentit të Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të Branisllav Nikoliq në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media.

Përkundër kësaj, Zyra e Presidentit i merr seriozisht raportimet e mediave për përfshirjen e mundshme Nikoliq në aktivitete të dyshimta, qofshin ato të natyrës kriminale ose që cenojnë sigurinë kombëtare.

Nisur nga parimi i respektimit të ligjit dhe për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka liruar sot nga detyra e Këshilltarit Politik Branislav Nikoliq.

Presidenti Thaçi mbetet i përkushtuar në avancimin e të drejtave të komuniteteve joshqiptare dhe përfaqësimit të tyre në të gjitha nivelet e qeverisë qendrore dhe lokale, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rasti konkret është thjesht çështje e sundimit të rendit dhe ligjit.

Shpërndaje në: