‘Qeveri e ngathët dhe me dro’, Maliqi intervistë për Periskopin: Kurti të sjellë propozim tjetër për Zajednicën

‘Qeveri e ngathët dhe me dro’, Maliqi intervistë për Periskopin: Kurti të sjellë propozim tjetër për Zajednicën

Analisti Shkelzen Maliqi në një intervistë për Periskopin ka shprehur opinionet e tij rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi, që parashihet që si paraprake të përmbyllet brenda javësh.

Duke qenë se tashmë diçka të tillë kanë përmendur përfaqësuesit e lartë të BE’së e Amerikës, pastaj propozimi franko-gjerman, si preliminiare mund të arrihet tash, thotë Maliqi. Megjithatë marrëveshjen finale nuk e parasheh më herët se para 10 viteve.

Shkelzen Maliqi në këtë intervistë ka folur edhe për Asociacionin (Zajednicën)  dhe kokëfortësinë e kryeministër Kurtit karshi kësaj çështje.

Tutje, ai ka komentuar  fjalimin e kryeministrit shqiptar,  Edi Rama në Këshillin e Evropës si dhe ka vlerësuar dobët qeverisjen e deritanishme të pushtetit të Vetëvendosjes.

Intervista e plotë:

 Periskopi: Po flitet mjaft shumë për  propozimin franko-gjerman rreth marrëveshjes  Kosovë-Serbi. Një të tillë pra e mbështet BE’ja dhe SHBA publikisht. A mendoni që shpejt do shohim diçka finale sa i përket marrëveshjes paraprake?

Shkelzen Maliqi: Meqë i kemi tani deklarimet e këtyre ndërmjetësuesve të cilët paralajmërojnë se marrëveshja praktikisht është gati, mund të pritet që, jo ndoshta brenda disa muajve por brenda disa javëve që të nënshkruhet  edhe Kurti e pohoi se ekziston dokumenti dhe ai tha se nuk do të zgjasë shumë nënshkrimi i saj, ka shenja se gjërat po lëvizin dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe të nënshkruhet dokumenti, por me një korrigjim që do të thoja kjo nuk do të ketë dokumenti final, por një marrëveshje për ecurinë drejt marrëveshjes finale, sepse ato përfitimet që parashihen aty, sidomos për Serbinë, janë të afatizuara, nuk është diçka që ajo menjëherë do të përfitojë, pra do të përfitojë më vonë. Esenca e marrëveshjes është se procesi do të zgjasë, ndoshta edhe 10 vjet, të them ashtu. Pra realizimi i marrëveshjes, marrëveshja paraprake do të nënshkruhet shumë shpejtë dhe do të parashihen fazat nëpër të cilat do të kalohet në ndërkohë dhe marrëveshja finale ndoshta do të bëhet pas 10 viteve, kur të krijohen kushtet, kur BE do të jetë i gatshëm që të pranojë edhe Serbinë edhe Kosovës si anëtare. Ka gjasa që edhe kjo pjesë të përshpejtohet, por janë disa variante që qarkullojnë. Me marrëveshjen preliminare, Serbia nuk kushtëzohet që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por ajo oblgohet se nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Si do të realizohet kjo, nuk e dijmë. Serbia në ndërkohë po i plotëson edhe disa parakushte që kërkohen prej saj që të vendosë sanksione Rusisë, politikat e saj me politikat e BE, etj. Serbisë sipas disa varianteve që po dëgjohen, thuhet se ndoshta Serbisë i premtohet një ecuri paksa më e shpejtë në kalimin e atyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por thjeshtë ideja është që të përdoret ky model i dy gjermanive.

Periskopi: Po me Asociacionin, çka mendoni se pritet dhe duhet të ndodhë?

Shkelzen Maliqi: Po kjo është një marrëveshje e nënshkruar, prej nga qeveritë e mëhershme. Marrëveshje obligim që del edhe nga pakoja e Ahtisarit, që është baza e Kushtetutës së Kosovës. Pra një lloj Asociacioni duhet të ketë Kosova. Nga Kushtetuesja, një datë propozimi për strukturën e Asociacionit, i ka bërë 23 vërejtje, nuk thotë se nuk duhet të pranohet Asociacioni, por i ka dhënë vetëm disa propozime apo formulime, që e lejon mundësinë që të keqinterpretohen apo të shkojnë drejt krijimit të një Asociacioni që do të jetë pushtet në vete. Kosova është dashur deri tash ta përgatisë një propozim tjetër se ai është një obligim tjetër ndërkombëtar që duhet ta bëjë Asociacionin, por se çfarë  e me çfarë kompetenca, kjo mbetet, jo e hapur por është obligim i Qeverisë të propozojë një tjetër dhe të mos lejohet që kjo autonomi të jetë brenda shtetit. Në disa fusha me qenë më fleksibile, me i dhënë më shumë të drejta pakicës serbe, por jo me qenë nivel i tretë i pushtetit, me pasë autonomi dhe republikë brenda republikës.

Periskopi: Si e shihni qasjen e Qeverisë ndaj Asociacionit?

Shkelzen Maliqi: Qasja ka qenë pak si neurotike dhe me një lloj kokëfortësie që nuk e kanë kuptu esencën. P.sh shumë marrëveshje tjera më herët  i ka refuzu, e tash pas tyre vazhdon negociatat apo vjen në të njëjtat përfundime qysh kanë ardhë qeverisjet e kaluara.

Periskopi: Si e keni parë ju fjalimin e kryeministrit Edi Rama në KiE?

Shkelzen Maliqi: Ka bërë një gjest që i takon Shqipërisë si shtet i pavarur dhe me të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Ka të drejtë me propozu një kundër rezolutë me atë pjesën skandaloze ku krerët e UÇK’së akuzoheshin se e kanë organizu trafikimin e organeve. Ky ka qenë motivi kryesor dhe ai që e ka shty që të aprovohet apo propozohet krijimi i Speciales. Tash meqë të gjitha hetimet nuk kanë gjetë asnjë provë për trafikim të organeve,dhe mendoj që kryeministri i Shqipërisë ka pasë të drejtë të plotë, edhe morale edhe politike që ta adresojë këtë çështje te Këshilli i Evropës dhe të pastrohet së paku në këtë aspekt lufta çlirimtare e Kosovës.

Periskopi: Si e vlerësoni deri tani qeverisjen e Kurtit? Po flitet shumë për një vet-rrëzim, duke marrë për bazë krizat në vend, presionin për çështje të ndryshme etj…

Shkelzen Maliqi: Nuk e di, nuk kam njohuri për ndonjë vetë-rrëzim. Por e vlerësoj si shumë të ngathët, jokompetente, është me dro dhe pa vizion. Kurti edhe si opozitë edhe që 15 vjet e ka vetreklamu Vetëvendosjen, por edhe veten si njeri shumë të dijshëm edhe si vizionar, por mendoj që ka qenë fare i përgatitur për një punë tjetër, nuk është puna si shitje e ideve, por është udhëheqje e shtetit dhe me shumë përgjegjësi dhe duhet të dihet si të realizohen gjërat. Tash viti i dytë i qeverisë dhe është tregu jokompetencë dhe vetlavdërim pa bazë.

Intervistoi: Kaltërina Misini

 

Shpërndaje në: