Qeveria bllokon Projektligjin për Bankat, ato sillen si në ‘bahçe të babës’

Qeveria bllokon Projektligjin për Bankat, ato sillen si në ‘bahçe të babës’

“Në kohë krize bankat rrisin profitin e tyre”. “Është rritur çmimi i mirëmbajtës së llogarisë bankare”, “Një bankë ka hequr thuajse të gjithë bankomatët në qytet”. Këso dhe plot fjali tjera dëgjohen shpeshherë për bankat në Kosovës. Krejt kjo ngase BQK nuk ka kontroll të mjaftueshëm për to.

Ligji që do t’i jepte pushtet më të madh Bankës Qendrore të Kosovës për të kontrolluar bankat në veprimet e tyre, është stopuar nga Qeveria e Kosovës. Periskopi ka mësuar se Ministria e Financave qëllimshëm e ka bllokuar Projektligjin për shkak të telasheve që i janë shfaqur në strukturat udhëheqëse aktuale të BQK-së.

Bëhet fjalë për ndryshime të rëndësishme në dokument që ndërlidhen me mbrojtjen e konsumatorit në kuptim të produkteve dhe shërbimeve bankare e financiare.

“Në vitin 2019 BQK-ja ka draftuar Ligjin për Bankat, i cili është proceduar për aprovim të mëtutjeshëm në Ministrinë e Financave. Për këtë qëllim, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve tashmë ka emëruar një ekip përgjegjës për të hartuar dhe finalizuar Projektligjin për Bankat”, thuhet në një deklaratë të BQK-së për Periskopin.

Të pyetur tutje pse ka kaq vonesa në procedimin e mëtejmë të Projektligjit, në BQK kanë thëne se “përgjigje duhet të kërkohet tek Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”.

Ka disa ditë që Periskopi ka drejtuar pyetje në ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve e cila udhëhiqet nga Hekuran Murati, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Sipas BQK’së, në hartimin e draft Ligjit për Bankat, kanë marrë pjesë grupi punues i krijuar në kuadër të  institucionit të  tyre, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me ato ndërkombëtare si Zyra e Thesarit Amerikan, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”.

Cilat janë disa prej ndryshimeve kryesore të Projektligjit që nxisin kontroll më të madh tek bankat

“Projektligji për Bankat është përditësuar konform standardeve bashkëkohore ndërkombëtare në fushën bankare dhe pasqyron kërkesat e përcaktuara nga institucionet që vendosin rregullat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, Bazeli, etj. Përveç përgjegjësisë ekzistuese të BQK-së për licencim, rregullim dhe mbikëqyrje të bankave, projektligji përcakton BQK-në edhe si autoritet përgjegjës për aspektin e mbikëqyrjes makroprudenciale, rikuperimit dhe përmbylljes, si dhe mbrojtjes së konsumatorit në kuptim të konsumatorëve të produkteve dhe shërbimeve bankare, dhe financiare. Ndryshimet më të rëndësishme në Projektligj ndërlidhen me funksionin e rikuperimit dhe përmbylljes, ku përdoren gjerësisht praktikat e Bashkimit Evropian”, thuhet tutje në përgjigjen e BQK-së për Periskopin.

Qytetarët e Kosovës për rreth katër muajt e parë të këtij viti, kanë deponuar në Bankën Qendrore të Kosovës 305 ankesa ndaj industrisë financiare, në mesin e tyre 164 ankesa janë pranuar për sektorin bankar.

Në Kosovë operojnë 11 banka të licencuara, prej të cilave në pronësi të huaj janë nëntë. Referuar të dhënave të BQK-së, vetëm në muajin prill, të hyrat e tyre kanë qenë në vlerë prej 111 milionë euro. Të hyra nga interesit kanë pasur 80 milionë euro, kurse shpenzimet i kanë pasur në vlerë prej 67 milionë euro. Fitimin neto ishte 44.6 milionë euro. /PERISKOPI/

Shpërndaje në: