Rasti Dehari: Pse Këshilli Civil e kishte kthyer në rivendosje pezullimin e kryeinspektorit Topalli?

Rasti Dehari: Pse Këshilli Civil e kishte kthyer në rivendosje pezullimin e kryeinspektorit Topalli?

Kryeinspektori i Inspektoratit në Ministrinë e Drejtësisë, Ylber Topalli, ka mbetur pa punë. Ai zyrtarisht u shkarkua para dy ditësh, lidhur me dyshimet për keqpërdorime për rastin e Astrit Deharit. Megjithatë, para shkarkimit Ylber Topalli ishte pezulluar me 50% të pagës. Megjithatë, procedura disiplinore ndaj tij ishte ndërprerë, për t’i lënë vend hetimit penal nga Prokuroria.

Në rastet kur procedura ndërprehet pa shqiptim të ndonjë mase, atëherë sipas Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës Civil krijohet pasiguri juridike.

Në vendimin e Këshillit Pavarur Mbikëqyrës Civil, thuhej se janë gjetur disa shkelje. Sipas Këshillit, nëse procedura disiplinore pezullohet pa shqiptuar ndonjë masë, atëherë Topalli në këtë rast do të duhej të kompensohej plotësisht, që në këtë rast nuk ka ndodhur (shkruan Gazeta Nacionale).

“Andaj nisur nga dispozitat ligjore të analizuara si më lartë, Kolegji i Këshillit vlerëson se KD.nr.07/2022 të datës 18.11.2022 nuk ka vepruar në mënyrë të drejtë dhe ka zbatuar gabimisht dispozitat e ligjit material, ngase përveçse e ka pezulluar procedurën disiplinore të iniciuar sipas kërkesës së datës së datës 19.09.2022 e ka lënë në fuqi edhe vendimin paraprak të datë 28.09.2022 më numër KD.nr.4/2022 për pezullim të përkohshëm nga puna me kompensimin prej 50% të pagës”, thuhet në fillim të vendim.

“Kur dihet fakti se në kuptim të nenit 58 paragrafi 4 i Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publikë, përcakton se: ‘4. Nëpunësi civil gjatë periudhës së pezullimit nuk përfiton page, me përjashtim në rastin e përcaktuar në paragrafin 1.1 të nenit 56, në rast se procedura përfundon pa një masë disiplinore ….’, nga rrjedh se sipas kësaj logjike vendimmarrëse ankuesi duhet të kompensohet plotësisht gjatë periudhës kohore përderisa Komisioni Disiplinor e ka pezulluar komplet procedurën disiplinore pa shqiptim të masës disiplinore, dhe kjo krijojnë situatë të pasigurisë juridike dhe keqmenaxhimit, çështje të cilën normat e ligjit material e kanë rregulluar krejt ndryshe, gjegjësisht Komisioni Disiplinor me rastin e pezullimit të procedurës disiplinore duke e mbajtur ankuesin edhe të pezulluar nga punë njëkohësisht, ka dal përtej mandatit dhe kompetencave të tyre ligjore”, thuhet më tutje në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës Civil.

Sipas Këshillit, në këtë rast pasi procedura nuk kishte vazhduar me qëllim për t’u hetuar nga Prokuroria, nuk dihej nëse janë kryer shkelje apo jo. Në vendimin e Këshillit Civil, përmendet edhe shefi i kabinetit të Albulena Haxhiut. Ai kishte dërguar një Email te Komisioni ku kishte sqaruar se rasti po hetohet nga Prokuroria Speciale.

Megjithatë, Këshilli ka vërejtur se për këtë nuk kishte ofruar asnjë vërtetim apo shkresë që dëshmon këtë pretendim.

“Kolegji vlerëson se Komisioni Disiplinor me rastin e pezullimit të procedurës disiplinore ndaj ankuesit, duke u bazuar vetëm në emailin e datës 11.10.2022 dërguar nga shefi i kabinetit të ministres për Kryesuesin e Komisionit Disiplinor me përmajtjtjen se: ‘eshtë përcjellë raporti në zyrën e Prokurorit të Shtetit dhe pastaj zyra e Prokurorit kanë informuar që për shkak të kompetencës të njëjtin e kanë dërguar në Prokurorinë Speciale’ është i paqëndrueshëm ligjërisht ngase në rastin konkret shefi i kabinetit së ministres nuk e përfaqëson apo nuk ka kompetencë ligjore që të përgjigjet në emër të prokurorisë apo të konstatojë zyrtarisht veprimet procedurale të prokurorisë pa bashkangjitur asnjë shkresë zyrtare të institucioneve respektive të ndjekejes penale”, thuhet më tutje në këtë vendim.

Këshilli Civil kishte kërkuar prova të tjera lidhur me faktin që rasti po hetohet nga Prokuroria Speciale, megjithatë sërish ishte dërguar vetëm ajo Email e shefit të kabinetit. Kurse, Topalli kishte ofruar dëshmi nga Policia e Gjykata që ndaj tij nuk po zhvillohet asnjë procedurë.

“Këshilli në kërkesën për përgjigje në ankesë të datës 30.12.2022, kishte kërkuar nga Ministria e Drejtësisë provat relevante për rastin me theksin e veçantë që: “Dëshmi me shkrim mbi bazën e të cilave është mbështet nxjerrja e vendimit KD.nr.07/2022 nga Komisioni Disiplinor me datë 18.11.2022 (shkresat e përcjella në Prokurorinë përkatëse)”, ndërsa kjo e fundit në cilësi të kësaj prova ka sjellë vetëm e-mailin e lartcekur, nga rrjedh se në rastin konkret nuk është përmbushur apo nuk është dëshmuar me prova relevante përmbushja e kriterit ligjor të përcaktuar me nenin 85 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative lidhur me pezullimin e procedurës disiplinore, përderisa ankuesi në cilësi të provave mbështetëse të pretendimet ankimor ka sjell Vërtetimin e datës 12.12.2022 të Policisë së Kosovës si dhe Çertifikatën me shifër PN.NR.KR.BR/1007/22 të datës 30.11.2022 lëshuar nga Gjykatat Themelore në Ferizaj, mbi bazën e të cilave dëshmohet se i njëjti nuk ka dosje penale në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës, sikurse ndaj të njëjti nuk është duke u zhvilluar procedurë penal dhe as nuk është i dënuar”, specifikohet në këtë vendim.

Duke u mbështetur në këto gjetje, Këshilli Civil me datë 20 shkurt 2023.

Pse u shkarkua Ylber Topalli?

Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar se është shkarkuar nga detyra kryeinspektori Ylber Topalli. Ky shkarkim, i cili mban vulën e Komisionit Disiplionor, ka ardhur pasi Ministria e Drejtësisë, që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, konsideron se janë bërë “një sërë gjetjesh faktike”, që dëshmojnë shkelje të rënda në rastin që ndërlidhet me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit.

Në këtë raport, thuhet se Topalli e kishte quajtur rastin e Astrit Deharit, të cilit Ministria i referohet me emër, si “vetëvrasje”.

“Për komisionin nuk është kontestuese se z.Topalli ka nënshkruar dy raporte lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm me rastin e vdekjes së të paraburgosurit A.D dhe se ka cilësime kundërthënëse, me çka i njejti ka qenë joprogresional dhe I papërgjegjshëm gjatë ushtrimit të detyrës” thuhet aty.

“Komisioni konstatotn se z.Topalli ka marr nga ish ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, kopje të video inçizimeve dhe I ka sjell në zyrën e tij, në objektin Ish Rilindja në Prishtinë, gjë që e pranon edhe vet z.Topalli se këto video inçizime janë sjell me USB, për të përpiluar raportin përfundimtar. Këto inçizime i ka marrë me datë 07.11.2016, sipas formës së informatës. Z.Topalli i ka marrë incizimet para policisë dhe në kundërshtim me ligjin, pa parashturar këkesë dhe pa aprovim nga organi kompetent”- thuhet në vendim.

 

Shpërndaje në: