Reagon Bekim Jashari: Pati blerje votash, shantazhe e manipulime në Skenderaj

Periskopi.com Lajme

Kandidati i pavarur për Skenderaj, Bekim Jashari ka reaguar për herë të parë pas një diference të thellë të votave mes tij dhe kundërkandidatit të PDK-së, Fadil Nura.

Përmes një postimi në Facebook, Jashari thotë se me blerje votash iu vjedh fitorja dhe e ardhmja Drenicës.

Ai po ashtu shtoi se do të kërkojnë drejtësi për manipulimet që janë bërë me vota në këtë komunë.

Postimi i plotë i Jasharit:

Të nderuar qytetarë,

Mbështetja juaj në çdo takim, sondazhet e Exit Polleve në njërën anë dhe rezultati zgjedhor sipas KQZ-së, është me mospërputhje të mëdha.

Gjatë ditës kemi raportuar për parregullsi të mëdha si blerje votash, shantazhe e presion tek votuesit.

Nga vëzhguesit tonë në vendvotime deri me tani janë raportuar për raste të fletëvotimeve të pa vulosura në rreth 11 Qendra të Votimit, situatë kjo e cila dëshmon për ekzistencën e blerjes se votës me sistemin e njohur si “treni bullgar”.

Po ashtu mungesa e komisionerëve nga subjekti jonë politik ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë votën tonë.

Idealit dhe Drenicës duket se me manipulime, blerje votash iu vjedh fitorja dhe e ardhmja nga ata që janë pasuruar duke vjedhur Kosovën.

Pas mbledhjes së fakteve të shumta për manipulime do të kërkojmë drejtësi për manipulimet e bëra në këto zgjedhje në Skenderaj.

Ne do të presim numrin e votës se fundit për të dalur me njoftimin e ri.

I juaji çdo herë Bekim Jashari!