Si po ndikon Inteligjenca Artificiale në punë

Si po ndikon Inteligjenca Artificiale në punë

Kompania anketoi 31,000 punonjës në 31 shtete për të pyetur se si po përshtaten me inteligjencën artificiale në punë

Punonjësit e zyrës po i drejtohen inteligjencës artificiale kur nuk duan të pyesin kolegët e tyre, sipas raportit të ri të Microsoft.

Kompania anketoi 31,000 punonjës në 31 shtete për të pyetur se si po përshtaten me inteligjencën artificiale në punë. Ndërsa më shumë njerëz po i drejtohen teknologjisë për aftësitë e saj unike, shumë prej tyre po e përdorin për të shmangur ndërveprimin njerëzor.

Shtatëmbëdhjetë përqind e të anketuarve thanë se përdorin inteligjencën artificiale nga frika e gjykimit dhe ngaqë kërkojnë komunikim më privat. Një tjetër 16% raportoi se e përdorin atë për të shmangur tensionet e punës me një koleg. Pesëmbëdhjetë përqind përmendën kërkesat e kolegëve si një arsye për t’iu drejtuar teknologjisë, pasi kërkon më pak “mbështetje”. Dhe 8% thanë se përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë që të marrin të gjitha meritat për punën dhe të shmangin citimin e një kolegu, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Përgjigje të tjera më të njohura për përdorimin përfshinin 42% që e vlerësojnë inovacionin meqë është i disponueshëm 24/7, 30% që thonë se kryen detyra më shpejt se njerëzit dhe 28% që e pëlqejnë “rrjedhën e pafundme të ideve sipas kërkesës”.

Raporti vjen ndërsa Microsoft njoftoi një zgjerim të madh të mjeteve të inteligjencës artificiale. Lançimi pranveror i 365 Copilot Wave 2 ka të bëjë me “agjentë” të projektuar për të funksionuar si kolegë digjitalë, që mund të kryejnë detyra komplekse në vendin e punës përmes arsyetimit të thellë.

Microsoft ka thënë se dëshiron që teknologjia të shërbejë më shumë se thjesht si një mjet dhe të bëhet një bashkëpunëtor integral në punën e përditshme.

“Po shfaqet një plan i ri organizativ, që përzien inteligjencën e makinerive me gjykimin njerëzor, duke ndërtuar sisteme që operohen nga IA, por të udhëhequra nga njeriu. Ashtu si Revolucioni Industrial apo epoka e internetit, këtij transformimi do t’i duhen dekada për të arritur premtimin e tij të plotë dhe për të përfshirë ndryshime të gjera teknologjike, shoqërore dhe ekonomike,” thuhet në raport./Periskopi/

Shpërndaje në: