Si synuan njerëzit e Vetëvendosjes në Gjilan t’i punësojnë gratë e tyre nëpër shkolla (Dok)

Si synuan njerëzit e Vetëvendosjes në Gjilan t’i punësojnë gratë e tyre nëpër shkolla (Dok)

Një konkurs për mësidhënës nga Drejtoria e Arsimit të komunës së Gjilanit ka bërë që të shpërfaqë nepotizmin  e punësimet partiake nga radhët e Vetëvendosjes. Ndonëse konkursi u anulua nga kryetari Alban Hyseni dhe procesi u kthye në pikën zero, listave me më së shumti pikë të testimeve u prinin gratë e njerëzve të VV’së.

Është këshilltari i kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe anëtari i Vetëvendosjes, Edon Buca që synoi ta rehatojë gruan e tij Njomza Maliqi – Buca si mësuese e nivelit klasor në njërën nga shkollat e atij rajoni. Nga listat e rezultateve që ka parë Periskopi, zonja në fjalë ishte renditur si e katërta me 121 pikë, pas testimit teorik dhe atij me gojë. Njomza Buca pra ishte renditur në listën e të pranuarve.

Këtë  e ka konfirmuar për Periskopin vet Edon Buca.

‘Gruaja ime ka apliku për mësimdhënëse dhe nëse nuk gaboj është pranu te orët e drejtorit në Sërrnicë. Jo nuk është e punësume. Ndonjë ankesë nuk ka bë. Qatëherë është pranu, por realisht me anulimin e konkursit nuk ka bërë asnjë ankesë’’, është përgjigja e Bucës.

Duke qenë se janë ngritur dyshime se gruaja e tij, Njomza ishte në mesin e atyre që kishte manipuluar me testin teorik, Buca përgjigjet:

‘’Për besë nuk e di atë far pune. Njerëzit munden me thanë çkado aty.’’, shtoi ai për Periskopin.

Edhe drejtori i Shërbimeve Publike synoi rehatimin e gruas në arsim!

Diskursin, zotimin, e besa edhe premtimet për luftimin e nepotizmit nga Vetëvendosje në të kaluarën, nuk po ia përfillë fare komuna e Gjilanit. Në mesin e atyre që deshën t’i bëjnë vend pune grave, pikërisht në kuadër të konkursit të fundit në arsim, ishte edhe drejtori i Shërbimeve Publike në këtë komunë, Mentor Mihovci.

Gruaja e tij Hazbie Mihovci figuron po ashtu në listën e kandidatëve me më së shumti pikë për arsimtare të Gjeografisë në njërën nga shkollat e Gjilanit.

Siç ka parë Periskopi, ajo kishte grumbulluar hiç më pak se 125.6 pikë dhe ishte renditur e katërta në listën e rezultateve.

Periskopi ka provuar të kontaktojë zotëri Mihovcin për versionin e tij, por ka qenë i paqasshëm. Tek më vonë u lajmërua vet Hazbie Mihovci, e cila sqaroi se nuk ishte pranuar fare në dy shkollat ku kishte aplikuar.

‘’Nuk jam pranu në asnjërën shkollë ku kam aplikuar.  As në shkollën në Dobërçan, as në ‘Mulla Idrizi’ në Gjilan’’, ka thënë ajo për Periskopin.

Ndërkohë, Periskopi mëson prej burimeve të veta se edhe gruaja e Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Gjilanit, Arianit Sadikut, Elma Rexhepi synonte të zinte një pozitë si mësidhënëse diku, por ja që konkursi u anulua dhe njëherë për njëherë nuk e pati atë fat. As Sadiku nuk ishte i qasshëm në thirrjen tonë.

Periskopi po ashtu ka siguruar  listën e anëtarëve vlerësues të këtij konkursi. (Shih më poshtë)

 

Nepotizmi në drejtorinë e arsimit në Gjilan është denoncuar javë më parë  nga deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku.

Ajo shkroi se drejtoresha e Arsimit, Selvete Sylejmani e ka punësuar motrën e vet në çerdhe. Si rezultat, kryetari Alban Hyseni e shkarkoi nga pozita dhe e zëvendësoi me një tjetër.

Po ashtu, deputeti i LVV-së, Luan Aliu sipas Bunjakut, e ka rehatuar bashkëshorten dhe “balltëzkën” në Komunën e Gjilanit, pra bëhet fjalë për Miranda Aliun dhe Mimoza Alidemën,  gjë të cilën e konfirmojnë edhe burimet e Periskopit.

Për të dalë me faqe të bardhë, Kryetari Hyseni, pas shkarkimit të drejtoreshës së Arsimit, Selvete Sylejmani, ka thënë se konkursi për rekrutim të mësimdhënësve do të anulohet dhe kthehet në pikën zero.

Sipas tij,  barazia dhe drejtësia janë dy parimet që përcjellin punën e kabinetit të tij, duke garantuar se nuk do të lejojë shkeljen e tyre.

“Disa ankesa janë të mjaftueshme për të ngjallë dyshimin se një proces nuk po shkon siç duhet, andaj konkursi për rekrutim të mësimdhënësve në Drejtorinë Komunale të Arsimit anulohet dhe kthehet në pikën zero, duke ju mundësuar të gjithë aplikuesve vlerësim të drejtë” –  ka shkruar ai në Facebook.

Kujtojmë që këto janë veç disa nga rastet e zbuluara të nepotizmit në nivel lokal.  Lëvizja Vetëvendosje që nga ardhja në pushtet s’ka ndalur punësimet familjare e partiake në plotë institucione qendrore. Një përmbledhje të atyre rasteve nga Periskopi, mund t’i gjeni në këtë link./PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: