Skandali me ngjyrosjen e automjeteve të blinduara: Pse ndodhi një veprim i tillë?

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duket se ka shkaktuar një krisje tjetër të raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një kërkesë të çuditshme të shtruar më 18 shtator, në kohën e fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit.
Sipas burimeve të Albanian Post, ministri Mehaj i kishte kërkuar në mënyrë jozyrtare komandantit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, që t’i lyente me ngjyrë të kaltër katër mjete të blinduara që i ishin dhuruar Kosovës nga ShBA-ja.
E gjithë kjo po bëhej në kohën e fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit, e të cilat partia në pushtet megjithatë do t’i humbiste.
Po në atë kohë do të ndodhte aksioni policor në Veri, që nga shumë opinionistë vendorë u pa si përdorim i aseteve shtetërore për përfitime partiake.
Komandanti i FSK-së tashmë mësohet që është në procedurë shkarkimi, pasi që kishte refuzuar kategorikisht t’ia plotësonte kërkesën ministrit Mehaj me arsyen se një gjë e tillë përbënte shkelje të marrëveshjes me Qeverinë e ShBA-ve.
Por, ministri kishte ngulmuar që t’i lyente këto automjete që të dukej se nuk i përkisnin Ushtrisë së Kosovës, dhe kishte shkëmbyer mesazhe edhe me atasheun ushtarak të Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë, Stephen Rose, i cili po ashtu kishte refuzuar kategorikisht dhe e kishte lajmëruar rastin në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Lyerja me të kaltër e automjeteve të blinduara besohet se ishte në shërbim të fushatës elektorale, veçanërisht në Mitrovicë, ku kandidat i Vetëvendosjes ishte Agim Bahtiri. Kjo do të rriste impaktin te qytetarët e Kosovës.
“Pentagoni ia ka bërë të qartë komandës së FSK-së që, nëse do të ishte pranuar kërkesa e ministrit Mehaj, do të konsiderohej shkelje e rëndë e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të gjitha mjetet e armatimet do të tërhiqeshin mbrapsht.” – shkruan Albanian Post për rastin.
Madje, ShBA ka reaguar edhe zyrtarisht me një notë diplomatike duke kërkuar haptas që mjetet ushtarake që i ishin dhuruar Kosovës të mos përdoreshin nga tjetërkush përpos Forcave të Sigurisë së Kosovës. /Periskopi