Sot iu bastisen zyret: Këto janë rastet kur Ministria e Pecit u përfshi në skandale
Sot Krimet Ekonomike kanë zbarkuar në Ministrinë e Bujqësisë të udhëhequr nga ministri, Faton Peci.
Krejt kjo bastisje ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorimet që kishin ndodhur për largimin e mobiljeve të Alancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nga objekti i ministrisë.
Shteti kishte paguar 66 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës së Ministrisë së Bujqësisë, ku ishte vendosur AAK-ja në bodrumin, në katin e dytë dhe në koridoret e objektit.
Periskopi në vazhdimësi ka raportuar për skandalet që kanë ndodhur gjatë katër viteve mandat në ministrin, Faton Peci.
Peci ishte treguar duar shlirë për bashkëpartiaken e tij, Fitore Pacolli. Ai e kishte shpërblyer vëllain e koleges me 100 mijë euro grant nga ministria e Bujqësisë.
“Alda Farm Ria”, kompania nën pronësinë e Blerim Pacollit, u bë përfituese e grantit vetëm ditë pasi ai kishte regjistruar biznesin e tij.
Periskopi kishte gjetur se edhe këshilltari i Pecit, Naim Huruglica kishte marre grant për projektin 100 mijë eurosh.
Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ishte thelluar me skandale rreth përfituesve të granteve. Pas një sërë hulumtimesh të Periskopit në këtë Ministri, dyshohet për një skemë të organizuar rreth këtyre granteve.
Periskopi në bazë të e-mail(it) që kishte siguruar, kishte gjetur edhe mënyra se si zv.Drejtori Arban Hoxha, obligon të gjitha grupet tjera vlerësuese të aplikacioneve, t’ia dorëzojnë dosjet me letrën e informimit për miratimin e granteve, grupit të themeluar nga ai.
Në këtë e-mail thuhet ndër të tjera; Në Letër-informimi për miratimin e projektit, Grupi vlerësues do t’u bjerë me laps kimik investimeve të cilat refuzohen. Investimi e refuzuara do të miratohen nga zv.Drejtori i DMPZHR, i cili do të vendosë nënshkrimin e tij anash çdo investimi të refuzuar.
Ndërsa, Faton Peci kishte hezituar t’i bëjë publikimin e emrave të përfitueseve të granteve në faqen e ministrisë.
Periskopi më 16 nëntor kishte raportuar se që nga viti 2019, listat e emrave të përfituesve të granteve nuk publikohen. Me këtë praktikë të ndjekur nga ministri Peci, është shkelur ligji Nr. 08/L72, neni 17, pika 5.
Një skandal tjetër që e ka përcjellur Pecin, ishte avancimi i Venera Çerkinit, vajzës së tezes Presidentes, Vjosa Osmani në postin “Sekretarit të Përgjithshëm në MBPZHR”.
Që nga fillimet e avancimit nëpër pozita të ndryshme në Ministrinë e Pecit për rastin e Venera Çerkinit.
Donika Gërvalla dhe Faton Peci kishin nisur të bëjnë ‘pazare’ mes stafit nëpër ministritë që ata drejtojnë. Asistenti i Gërvallës bëhet zyrtar i lartë në ministrinë e Pecit, teksa këshilltari i Pecit bëhet Drejtor i Departamentit për Evropë dhe Rajon në ministrinë e Gërvallës.
Periskopi kishte siguruar disa e-mail ku dëshmohet se ministri Peci ka intervenuar e ka pasur ndikim vendimtar që për disa fermerë që i kishte refuzuar Drejtoria e Miratimit të Projekteve të Zhvillimit Rural, ministri ka bërë kërkesë që të rikthehen në vlerësim.
Kurse, ministria e udhëhequr nga Faton Peci, dyshohej se në fund të mandatit kishte shkelur ligjin në shpalljen e dy konkurseve për punë për pozitën Inspektor i Pylltarisë dhe Inspektor për Toka Bujqësore.



