‘Stenta 1’: Ferid Agani dhe Gani Shabani lirohen nga akuzat për korrupsion

‘Stenta 1’: Ferid Agani dhe Gani Shabani lirohen nga akuzat për korrupsion

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues për Ferid Aganin, ish-ministër i Shëndetësisë dhe Gani Shabanin, ish-sekretar i kësaj ministrie, të akuzuar për korrupsion në rastin e njohur si “Stenta 1”.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të hënën nga gjykatësi Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas gjykatësit Krasniqi, nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë, pasi që paraprakisht prokurorja kishte ndryshuar dispozitivin e aktakuzës.

Andaj, ai tha se në mungesë të provave të akuzuarit Agani dhe Shabani, lirohen nga akuza.

Sipas këtij aktgjykimi, shpenzimet procedurale bien në barrë të gjykatës.

Ndryshe, në fjalën përfundimtare më 29 korrik 2022, prokurorja Florie Shamolli ndryshoi dispozitivin e aktakuzës dhe këtë e bëri konform nenit 350 të Kodit të Procedurës Penale dhe atë për sa i përket pjesës ku thotë se “nuk ju kanë nënshtruar ligjit të prokurimit” dhe vlerës së dëmit të shkaktuar.

Arsyeja pse unë jam tërhequr nga pjesa ku thotë se “nuk ju kanë nënshtruar ligjit të prokurimit”, ne kemi një ekspertizë të prokurimit e cila konstaton se subvencionet nuk i nënshtrohen ligjit të prokurimit dhe kjo ka qenë arsyeja pse unë e kam bërë tërheqjen në atë pjesë”, ka thënë prokurorja Shamolli.

Ndërsa, vlera e dëmit sipas saj nuk është 4 milionë e 555 mijë e 553 euro siç ishte përcaktuar më parë në aktakuzë, por 11 mijë e 450 euro, shumë kjo për të cilën prokurorja tha se ishte sipas ekspertit financiar.

Ndryshe, ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.

Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”./betimi pwr drejtwsi/

 

Shpërndaje në: