Supremja refuzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë lidhur me paraburgimin e Veselit

Supremja refuzon  kërkesën  për mbrojtje të ligjshmërisë lidhur me paraburgimin e Veselit

Paneli i Gjykatës Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë lidhur me paraburgimin të parashtruar nga ana e mbrojtjes së ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po akuzohet për krime lufte. Pas vendimit në shkallën e parë dhe Gjykatës së Apelit, ankesën e mbrojtjes së Veselit për lirim nga arresti e ka refuzuar edhe Gjykata Supreme.

Ndryshe, më 30 qershor 2022, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, kishte caktuar Panelin e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesën e dorëzuar nga mbrojtja e Kadri Veselit më 29 qershor 2022, lidhur me mbajtjen e tij në paraburgim.

Gjykatësi, të cilët kanë vendosur për këtë kërkesë janë Ekaterina Trendafilova (kryesuese), Kristinë van den Vijngart dhe Mihael Bolander.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Shpërndaje në: