I dënuari për plagjiaturë largohet nga Akademia diplomatike

Periskopi.com Lajme

E fundit ka qenë kjo javë për Beqir Ismailin, si drejtor i Akademisë diplomatike të Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme ka vendosur për ta larguar nga kjo detyrë, dy ditë pasi “Koha Ditore” ka raportuar se një gjykatë në Egjipt e kishte dënuar atë për plagjiaturë muaj më parë, pasi kishte gjetur se Ismaili e ka përvetësuar një punim të profesorit Muhamed Mufaku.

Studimi i profesorit Mufaku është përfshirë si i tërë në librin që është punim i doktoratës së tashmë ish-kreut të Akademisë diplomatike, shkruan sot “Koha Ditore”. Ai vazhdonte ta mbante këtë funksion në Kosovë, ndonëse verdikti i Gjykatës Ekonomike të Kajros ishte nxjerrë më 30 janar të 2019.

Ismaili në aktgjykim identifikohet si ish-ambasador i Kosovës në kryeqytetin e Egjiptit dhe me të dënohet me 15 mijë funte egjiptiane, për dëmin moral që i është shkaktuar profesorit Mufaku.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë treguar se kreu i këtij dikasteri qeveritar, ministri Behgjet Pacolli, e ka pritur të enjten në zyre Ismailin, të cilit ia ka bërë të qartë se duhet ta lërë detyrën.