Ish-ylli i Manchester United: Për pak u “eksitova” përkrah Ronaldos

Periskopi.com Sporti

Andy Cole ka pranuar se u mahnit kur u rreshtua përkrah Ronaldos në tunelin e stadiumit, përpara përplasjes së Manchester United me Interin më 1999. Ai pati një eksperiencë jashtëzakonisht të suksesshme në “Old Trafford”, midis viteve 1995 dhe 2001, duke shënuar 121 gola në 275 ndeshje, ndërsa ngriti me duart e tij 9 trofe të mëdhenj. “Djajtë e Kuq” u përballën me Interit në garën elitare të Europës, duke i mundur italianët 2-0 në fushën e tyre, para se të shkonin në “San Siro” në ndeshjen e kthimit.

Legjenda braziliane Ronaldo ishte në kulmin e tij. Cole thotë se ishte një përvojë surrealiste, që të sfidonte në anën tjetër të llogores fituesin e “Topit të Artë”, aq shumë sa u pushtua nga emocionet: “Më kujtohet që, kur luajtën ndaj Interit, u rreshtova në tunelin e stadiumit dhe pashë në krah Ronaldon. Unë nuk po ju gënjej, për pak u laga (eksitova)! Ishte ylli që kisha adhuruar me vite. Unë po flas për një yll, një balerin trupdrejtë. U pushtova nga emocionet dhe pyesja veten: A jam në të vërtetë në këtë nivel me këta njerëz? Unë isha në të njëjtin fushë me Ronaldon, por dyshoja nëse isha në atë nivel. Një situatë surreale. Ua tregoj këtë histori edhe djemve të mi, si për të thënë se kam qenë futbollist i mirë”.

Cole vazhdoi të shprehte besimin se dëmtimet e penguan Ronaldon të fitonte të gjitha çmimet individuale vit pas viti, në kulmin e karrierës së tij: “Nëse flisni me shumë fëmijë tani dhe iu përmendni Ronaldon brazilian, ata ngrenë supet me habi, sepse nuk e dinë kush është. Nëse ia heqim lëndimet atij, Ronaldo mund të kishte vazhduar të fitonte të gjithë “Topat e Artë”. Ai ishte një sulmues i jashtëzakonshëm, absolut”.