Analisti iu thotë shqiptarëve: Arba nuk është krenare me ju

Periskopi.com Lajme

Sot u raportua se Parlamenti Evropian do ta kishte në përbërje edhe një suedeze me origjinë shqiptare, Arba Kokolarin, mbesën e disidentes së njohur Musine Kokolarit.

Por, zgjedhjen e saj dhe urimet e shumta që iu bënë nga politikanë shqiptarë, e shfrytëzoi analisti Ilir Demalia për të sulmuar këta të fundit dhe mbarë shoqërinë shqiptare, përcjell Periskopi.

Në një postim të tij në Facebook të titulluar “Arba nuk është krenare me ju” ai thotë se eurodeputetja është produkt i shoqërisë suedeze dhe se politikës shqiptare duhet “t’i vijë turp të krenohet me Arbën apo Arbat dhe Arbrit, të cilët i largohen çdo ditë vendit shqipeve, kush ka pak dinjitet, pak intelekt, pak moral për të mos iu nënshtruar klasës politike shqiptare që prodhon vetë shoqëria shqiptare që pasqyrohet në klasën politike, mediatike, kulturore etc”

Ky është postimi i tij i plotë në Facebook:

Arba nuk është krenare me ju!

Sot që nga presidenti vendit, kryeministri, shefi opozitës, lideri historik i saj, kishin lëshuar mesazhe KRENARIE KOMBËTARE për Arba Kokalarin. Ajo u rrit në Stokolm, filloj aktivizimin e saj politik që në moshën 16 vjeçare dhe si produkt dhe shërbim i shoqërisë suedeze arriti të fitoj si eurodeputete e Parlamentit Europian në zgjedhjet dje.

Çka këtu për t’u ngazëllyer dhe për të bërë urra-burra-gra! politika, qeveria, media dhe shqiptarërt që u tëbuan ne FB me krenari pa sens?!

Politika se pari duhet ti vijë turp të krenohet me Arbën apo Arbat dhe Arbrit, të cilët i largohen çdo ditë vendit shqipeve, kush ka pak dinjitet, pak intelekt, pak moral për mos j’u nënshtruar klasës politike shqiptare që prodhon vetë shoqëria shqiptare që pasqyrohet në klasën politike, mediatike, kulturore e.t.c.

Një shkrimtare, kishte shkruar për Arbën: “Sikur Arba të qe politikane, aq e hijshme që është, siç janë gratë shqiptare në përgjithësi, qeniet më të emancipuara të kësaj shoqërie . . .”

Jo shkrimtare, këto superlativa për grate! Ato janë pjesë e së njëjtës shoqëri edhe në atë moçal notojnë se u pëlqen.

Hidhi një sy grave të Parlamentit, administratës, politikaneve, medias dhe kupton se çfarë malli është, me të lypme e të palypme! Asgje nuk është ndryshe nga burrat. Bile gratë “burrnesha” ja kalojnë dhe “burave të zamonit” në hije të trapit.

Shoqëria shqiptare është fake dhe nuk ballafaqohet me të vërtetën dhe vlerën si korruptim moral dhe intelektual.

Ju çirruni sa të doni për krenarinë e Arbës, por Arba nuk është krenare me ju.