Hyseni: Kemi luftuar suksesshëm korrupsionin gjatë 2019

Periskopi.com Lajme

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni ka mbajtur konferencën e fundivitit ku ka paraqitur sukseset dhe sfidat gjatë vitit 2019.

Ai tha se miratimi i planit strategjik 2019-2021 ku bën pjesë edhe strategjia e krimeve të luftës si një task forcë mes një varg institucioneve është njëra prej sukseseve gjatë vitit që po lëmë pas.

Si sukses të Këshillit Prokurorial, Hyseni tha se është edhe luftimi i korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

“Nga 279 raste të korrupsionit janë zgjidhur 260 raste ose 94 përqind e rasteve të pranuara”, tha ai.

Sipas tij, njëra prej objektivave të këtij viti ka qenë llogaridhënia dhe transparenca.

Ai njoftoi se këtë vit kanë marrë edhe masa disiplinore ndaj prokurorëve.

Të gjitha këto, sipas tij kanë ndikuar në ngritjen e kapaciteteve të punës.

Hyseni: Rasti i 16-vjeçares nga Drenasi nuk është i pari, ai u bë medial

Periskopi.com Lajme

Pse janë shuar hetimet kur e mitura ka bërë kallëzim, a ka pasur neglizhencë në trajtimin e këtij rasti dhe çka është duke ndodhur aktualisht me këtë rast.

Këto kanë qenë disa nga pyetjet që deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pasur për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial për rastin e abuzimit seksual të të miturës nga Drenasi, por që nuk kanë marrë përgjigje konkrete, me arsyetimin se rasti është në procedurë dhe çdo publikim i informacioneve mund të ndikojë në rast.

Në komisionin për të drejta të njeriut sot kanë raportuar kryesuesi i Këshillit Gjyqësor Nehat Idrizi dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial Bahri Hyseni, lidhur me rastin e vajzës nga Drenasi që dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht së pari nga profesori e pastaj edhe nga një zyrtar policor.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, ka thënë se ky rast asnjëherë më parë nuk është trajtuar në institucionet gjyqësore, andaj nuk mund të komentojnë rreth detajeve të rastit, pasi sipas tij rasti është në procedurë dhe çdo koment mund të ndikojë në këtë proces.

“Meqë rasti është në procedurë hetimore, ne si përfaqësues jemi organ administrativ nuk kemi të drejtë të komentojmë, ne eventualisht e kemi përgjegjësinë disiplinore nëse gjyqtari në rastin konkret bën ndonjë shkelje të kodit etik apo sjellje të pahijshme. Vetëm atëherë rasti mund të procedohet te ne. Përndryshe, sa i përket anës vendosjes meritore do të thotë gjyqtarët janë të pavarur dhe çdo ndërhyre nga ana jonë cenon parimin e pavarësisë së punës së gjyqtarëve”, tha ai.

Të njëjtën përgjigje ka dhënë edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, i cili ka thënë se rastet penale janë raste, të cilat duhet të trajtohen në salla të Gjykatave e me dyer të mbyllura.

Ai tha se rasti i vajzës nga Drenasi nuk është i pari, por se ky rast është bërë medial.

“Meqë rasti është në procedurë penale, do të vazhdojmë me të gjitha procedurat, por pa dhënë në detaje se pse është në procedurë penale dhe çdo fjalë që do ta nxjerrim këtu do të ndikojë në procesin e hetimeve. Duke e ditur faktin që edhe ne si Këshill Prokurorial si organ administrativ nuk kemi drejtpërdrejt qasje në lëndën e prokurorit dhe gjyqtarit të procedurës paraprake, por marrim informata vetëm në rastet kur ato bëhen subjekt i trajtimit qoftë nga ndonjë gjyqtarë apo prokuror. Secili që ka ra ndesh me ligjin, dispozitat ligjore, ka neglizhuar detyrën e vet pas rezultateve përfundimtare të hetimit do të merr dënim të merituar nëse veç ka ra ndesh me ligjin, Kushtetutën. Jo vetëm për këtë rast, por për çdo rast, i cili është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale apo veprimet e rastit kanë sjellë ndonjë vepër penale siç e kemi rastin në Drenas”, tha ai.

Hyseni ka deklaruar se prokurori i shtetit është i pavarur në punën e tij dhe secili prokuror në lëndën që e ka para vetes ka pavarësi të plotë.

Derisa ka folur për atë se a ka qenë prezentë ndonjë familjarë apo përfaqësues ligjorë me të miturën kur është dhënë deklarata, Hyseni thotë se beson që dikush ka qenë.

“Në rastin konkret prokurori i rastit siç e keni marr informacionin, sepse edhe ne nuk kemi më tepër informacione përderisa ju thash nuk bëhet subjekt i diskutimit në Këshill apo në organet disiplinore që i kemi. E ka marrë rastin, e ka trajtuar rastin dhe ka vendos t’i pushojë hetimet. Te të miturit nuk ka mundësi me u marr as deklaratë, as kurrgjë me u bë pa qenë prezentë përfaqësuesi ligjor, avokati, varësisht njëri prej tyre. Por, në rastin konkret unë besoj që e ka pasur, por nuk duhet të lëshohemi tash, sepse me kohë do t’iu njoftojmë edhe masat, edhe veprimet pas përfundimit të hetimit, sepse lënda është në hetim. Për të shikuar se a ka vepruar prokurori konform legjislacionit në fuqi duhet të zhvillohet procedurë disiplinore, administrative, e performancës e kështu me radhë për të ardhur deri te konstatimi”, tha ai.

Kreu i Këshillit Prokurorial thotë se rastet e ngacmimit seksual, dhunimit trajtohen gjithmonë me urgjencë dhe nuk ka mundësi që rastet të pushojnë në sirtarë.

Sa i përket asaj se a ka pasur neglizhencë në trajtimin e këtij rasti, Hyseni thotë se do të vazhdojnë ta trajtojnë këtë rast dhe se për çdo veprim do të njoftojnë mediat.

Ndërkaq, sa i përket legjislacionit në fuqi, ai tha se legjislacioni është i mirë dhe është  i qëndrueshme. Dënimet sipas tij janë të nivelit të standardeve evropiane, kurse politika ndëshkimore sipas tij është e drejtë e gjykatave.

Kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje, ka ngritur shqetësimin se lëndët nëpër gjykata po zvarriten me vite, dhe ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje që të trajtohen më me prioritet rastet e dhunës.

“Ne si komision kemi shumë ankesa se sistemi gjyqësor shumë vonë, tash raste janë nga 5, 6, 7 vite në procedurë dhe kjo është shumë keq. Kemi marrë një rast është e njëjtë, dhuna seksuale vajzën 9-vjeçare ka marr dënimin veç 1 vit, kur ka dalë prej burgut menjëherë ka përsëritur rastin. Kemi shumë informata dhe prapë topi ka qenë te ju, në sistemin gjyqësor. Nuk jemi sot këtu për t’u përzier në punën as gjyqtarë as punën tuaj, ne ju kemi thirrur të shohim pse një rast duhet të kalojë 1, 2, 3 vjet, a mundemi më shpejt”, tha ajo.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së Lirije Kajtazi, është shprehur se në seancën e javës së kaluar kur është trajtuar po e njëjta temë, ka pasur deputetë që janë tallur dhe nuk e kanë marrë seriozisht rastin.

“Atë ditë edhe përkundër rastit të rëndë që është trajtuar ky problem në seancë ka pasur kolegë tanë të pandërgjegjshëm që janë tall me neve, kolegë a po mendoni që juve ju ka sjellë lejleku në këtë botë dhe fyerje të ulëta. Do të thotë, ne e dimë që ka kësi lloj nivelesh dhe për atë që jemi në këto nivele kjo shoqëri po dergjet dhe ka hy në udhë pa krye. Prandaj, atë shqetësim që e ju, unë e kam përcjellë në shumë raste, ne edhe ju kemi vizituar kur e kemi monitoruar ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje, e kemi pa që është brengë edhe e juaja mos funksionimi i ligjit në shumë raste dhe mos efikasiteti i gjyqësisë dhe  prokurorisë. I kam përcjell edhe paraqitjet tuaja kur ju, shpesh e përmendi një fjali që niveli i demokracisë në Kosovë është shumë sfidues për punën tonë dhe e dimë që ju sfidoheni në lloj-lloj mënyra. Kemi pasur edhe institucione tjera të pavarura përballë, i kemi py etur a keni trysni politike, është shumë interesante përgjigja, thotë s’kemi trysni, vullnetshëm i shërbejmë politikës. Ky është absurdi i shoqërisë, po të ecte më mirë puna nuk do të kishit ardhur fare në komision”, u shpreh ajo.

Ndryshe, për rastin e vajzës së mitur nga Drenasi aktualisht profesori Sh.Xh. dhe zyrtari policor V.V. që dyshohen se kanë keqtrajtuar seksualisht janë në paraburgim për një muaj, ndërsa mjeku që ka kryer abortin është në arrest shtëpiak.

 

Protagonistin e aferës ‘Pronto’ e tallin përmes grafiteve: PROkunkuruRIA

Periskopi.com Lajme

Disa mbishkrime të cilat përqeshin kryesuesin e ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, janë shfaqur këtyre ditëve në murin e ndërtesës së Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“PROkunkuruRIA” dhe “PROntoKURORIA” janë dy mbishkrimet e vëna me ngjyra kuq e zi në mur.

Bahri Hyseni, i cili u zgjodh këtë javë në krye të KPK-së ka qenë protagonist në një nga përgjimet telefonike të aferës ‘Pronto’.

Në një bisedë telefonike me të, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i përmend një mundësi punësimi në bordin e KOSTT, por merr përgjigjen nga Hyseni se nuk kishte konkurruar fare për atë pozitë.

 

Molliqaj: Emërimi i Bahri Hysenit në krye të KPK’së – dëshmi se po vazhdon kapja e shtetit nga Klani Pronto

Periskopi.com Lajme

Deputeti i PSD’së, Dardan Molliqaj thotë se me emërimin e Bahri Hysenit në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës, dëshmon se ‘po vazhdon kapja e shtetit nga Klani Pronto’.

Ai thotë se nuk mund të ketë shtetndërtim, pa vendosjen para drejtësisë të Klanit Pronto.

Mesazhi i plotë i Molliqajt në Facebook:

VAZHDON KAPJA E SHTETIT NGA KLANI PRONTO

Emërimi i Bahri Hysenit në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës dëshmon atë që e kemi thënë qe sa kohë: nuk ka çlirim të shtetit pa vendosjen para drejtësisë të Klanit Pronto.

Bahri Hyseni është një prej protagonistëve të Klanit Pronto. Kjo u dëshmua nga përgjimet që iu bënë këtij klani. Emërimi i tij në krye të Këshillit Prokurorial është vazhdimësi e kapjes së shtetit e në veçanti sistemit të drejtësisë.

Nuk mund të ketë drejtësi as zhvillim në Kosovë, përderisa krimi e korrupsioni ka uzurpuar çdo pore të shoqërisë. Nuk mund të ketë shtetndërtim, pa vendosjen para drejtësisë të Klanit Pronto.

 

Zgjedhet kryesuesi i ri i KPK’së, i njohur nga afera Pronto

Periskopi.com Lajme

Bahri Hyseni është kryesuesi i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ai ka marrë 10 vota, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, raporton Koha Ditore.

Në një fjalim para KPK-së, Bahri Hyseni ka folur për prioritetet e tij nëse merr besimin e anëtarëve të KPK-së.

Hyseni ishte kandidati i vetëm në garë. Ai po e pason Blerim Isufaj të cilit i përfundon mandati sot.

Hyseni në opinion është bërë i njohur nga afera ‘Pronto’.