Çollaku: Roli i SHBA-së në dialog mbetet i pazëvendësueshëm

Periskopi.com Lajme

Roli i SHBA-së në procesin e dialogut Kosovë – Serbi mbetet i pazëvendësueshëm. Bekim Çollaku, shef i stafit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në një prononcim për Radio Evropën e Lirë ka theksuar se BE-ja ka qenë drejtuese e këtij procesi në 10 vitet e fundit.

“Por, kjo nuk do të thotë që ka qenë drejtuese e mirë dhe e suksesshme. Me gjithë arritjet e limituara, ende nuk kemi marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.

Sipas Çollaku, i cili ka marrë pjesë në të gjitha takimet përgjatë këtyre viteve si pjesë e delegacionit kosovar, ka thënë se progresi i deritanishëm është në masë të madhe meritë e mbështetjes dhe angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Prandaj, sukseset dhe dështimet ndahen ndërmjet pjesëmarrësve të përfshirë në këtë proces. Megjithatë, ky proces i gjatë dhe i mundimshëm duhet përmbyllur. Interesi i Kosovës është të arrijë një marrëveshje të mirë dhe të marrë njohjen nga Serbia”, ka thënë ai.

Çollaku ka theksuar se për ta arritur këtë qëllim, Kosova është e gatshëm të punojmë me të gjithë, por më së shumti me ata që vërtetë e duan arritjen e një marrëveshjeje dhe që kanë aftësi dhe kredibilitet për të ecur përpara.

“Roli dhe lidershipi i SHBA-së mbetet i pazëvendësueshëm në këtë proces. Por, ashtu mbetet edhe roli i BE-së përderisa është e aftë ta përmbushë premtimin për liberalizimin e vizave dhe ta përshpejtojë anëtarësimin e Kosovës në BE”, ka thënë Çollaku.

Çollaku: I dërguari për dialog nga shteti jo-njohës, dështimi i radhës i BE-së

Periskopi.com Lajme

Shefi i stafit të presidentit të Kosovës, dhe ish-ministri për integrime evropiane, Bekim Çollaku ka reaguar lidhur me mundësinë e caktimit të të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, që sipas raportimeve do të jetë nga Sllovakia – shtet ky i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Çollaku përmes një postimi në Twitter ka thënë se roli i suksesshëm i BE-së në dialogun për normalizim varet nga kredibiliteti që BE-ja e ka në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se mos liberalizimi i vizave për Kosovën, përkundër përmbushjes së kushteve bashkë me caktimin e të dërguarit special nga një shtet jo njohës janë formulë për dështim.

“Roli i suksesshëm i BE-së në dialogun për normalizim varet nga kredibiliteti që e ka në Kosovë.  Mos-liberalizimi i vizave përkundër përmbushjes së kushteve të padrejta dhe asimetrike, bashkë me caktimin e një të dërguari që vjen nga një shtet jo-njohës, janë përbërësit kryesorë të recetës për dështim”, ka shkruar Çollaku.

Nga Bashkimi Evropian është paralajmëruar caktimi i Miroslav Lajcak si i dërguar special i BE-së për dialogun Kosovë Serbi. Pas caktimit të Josep Borrell shef të politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së, caktimi i Lajcak për t’u marrë me dialogun me Serbinë, tashmë bën që dy figurat kryesore në këtë institucion për procesin e dialogut të jenë nga vende që nuk njohin Kosovën.

Thaçi del në natyrë bashkë me këshilltarin dhe mikun e tij

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duket se pasditen e sotme po shijon natyrën e bukur të hapësirave të gjelbëruara në Kosovë – raporton Periskopi.

Një fotografi bashkë me të dhe këshilltarin e tij Bekim Çollakun, e ka publikuar shkrimtari Ismail Syla, i cili po ashtu është këshilltar i Thaçit.

“Duke shijuar bukuritë e natyrës sonë me miqtë e mi më të mire”, ka shkruar ai në përshkrimin e fotografisë./PERISKOPI

Çollaku: Ideja për bashkim kombëtar paralajmërim serioz për BE-në, poshtërimi ndaj nesh ka një fund

Periskopi.com Lajme

Për shefin e kabinetit të Presidencës së Kosovës, Bekim Çollaku, ideja e kreut të shtetit të Kosovës për bashkim kombëtar, është paralajmërim serioz për BE-në dhe siç ka thënë ai, poshtërimin që kjo po ia bën shqiptarëve, veçmas atyre në Kosovë.

“Nëse i dëgjojmë me vëmendje deklaratat e presidentit Thaçi, ka thënë se shqiptarët duhet të bashkohen qoftë në Bashkimin Evropian qoftë në kufi të vetëm, nëse Bashkimi Evropian vazhdon ta mbajë të izoluar Kosovën. Qëllimi jonë përfundimtar është anëtarësimi në BE, jo vetëm lëvizja e lirë. Por ky qëllim po duket gjithnjë e më larg, dhe jo për fajin tonë. Problemi është te Bashkimi Evropian, i cili jo vetëm me ne, por me tërë Ballkanin Perëndimor ka një hezitim të paparë”, ka thënë Çollaku.

Sipas tij, nëse dikush në BE mendon se shqiptarët e Kosovës do të presin edhe 50 vjet që të integrohen aty, e kanë gabim.

“Edhe presidenti ka thënë se nëse BE-ja nuk i do shqiptarët e Kosovës, aq më keq nëse nuk i do shqiptarët në përgjithësi, atëherë më së paku shqiptarët duhet ta krijojnë një ombrellë të vetën”, ka thënë Çollaku, në Rubikon të KTV-së.

“Ky është një paralajmërim serioz për BE-në, jo një veprim që pritet të ndodhë nesër. Edhe poshtërimi ndaj nesh e ka një fund”, ka thënë ai më tej, përcjell Koha.net.

Duke folur për idenë për bashkimin e Luginës me Kosovën, ai ka thënë se kjo është ide e vjetër sa edhe ndarja e shqiptarëve nëpër troje.

Çollaku për festën me shampanjë për viza: Talluni sa të doni, nuk më bëhet vonë

Periskopi.com Lajme

Këshilltari i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka folur për talljen që bëhet shpeshherë nëpër rrjete sociale për festën e tij dhe stafit të tij për çështjen e vizave në vitin 2016 – raporton Periskopi.

Çollaku ka thënë se atëherë Kosova e pati marrë rekomandimin pozitiv për viza nga Komisioni Evropian, dhe për këtë kishte arsye për festë.

“Le të tallen me atë shampanjë. S’më bëhet vonë. Prapë u pati dali qysh u kam thënë unë. kemi marrë rekomandim pozitiv atëherë”, ka thënë Çollaku në Rubikon në KTV.

Tutje, këshilltari i presidentit tha se është për keqardhje se si BE nuk e ka trajtuar Kosovën në mënyrë të njëjtë si vendet e rajonit.

Sipas tij, kosovarët duhet të jenë edhe vetëkritikë, pasi ka korrupsion e krim të organizuar në vend./PERISKOPI

Këshilltari i Thaçit: Krejt e dimë që ka rritje të krimit të organizuar, mos u habitni nga këto aksione

Periskopi.com Lajme

Bekim Çollaku shef i kabinetit të presidentit Hashim Thaçi ka folur për aksionin e sotëm në veri.

“Ky nuk është zhvillim i natyrës që s’e kemi parë deri sot. Edhe në të kaluarën kemi pasë aksione të tilla në veri e gjithë Kosovën”, tha ai në Rubikon të KTV-së.

Ai tha se e jashtëzakonshme sot ka qenë veç zhurma që u bë në veri, e jo aksioni.

Sipas tij, institucionet e Republikës së Kosovës, i bëjnë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Operacionet e kësaj natyre, duan përpjekje të gjata. Kjo që ndodhi sot nuk ishte e rastësishme. S’dueht t’i jepet ngjyrë politike e etnike”, tha ai.

Çollaku tha se edhe në të ardhmen do të ketë operacione si të sotmet, përfshirë veriun.

“Ne e dimë që ka rritje të krimit të organizuar”, tha ai, duke shtuar se sot pati edhe propagandë nga ana e Serbisë.

 

Çollaku: Përfshirja e Gjermanisë dhe Francës, pikë kthese në procesin e dialogut

Periskopi.com Lajme

Shefi i Kabinetit të Presidentit Hashim Thaçi, flet për gazetën “Shekulli”. Bekim Çollaku, tregon prapaskenat e takimit të Berlinit. Çfarë u vendos atje, si dhe shpjegon qëndrimin e tij në lidhje me deklaratat publike të Kryeministrit Ramush Haradinaj

Takimi i Berlinit pati si temë qendrore ecurinë e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Gjermani ka kërkuar një prezencë më të madhe të saj në këtë çështje. Ajo që preokupon më shumë është çështja e taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës kundër mallrave Serbe dhe Boshnjake. Për këtë çështje ka pasur edhe një debat në Berlin. Sipas një interviste që ka dhënë Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, rezulton se Kryeministri Shqiptar Edi Rama dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ti kenë kërkuar Haradinajt në sytë e Merkleit dhe Macron që të pezullojë taksën kundër Serbisë dhe Bosnjës. Shefi i kabinetit të Presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, jep opinionin e tij për gazetën “Shekulli”. Çollaku nuk është dakord për mënyrën se si e ka trajtuar në publik Kryeministri Haradinaj këtë çështje. Sipas tij, bisedat in formale nuk duhen bërë publike.

Çollaku cilat janë konkluzionet e takimit e Berlinit, a u arritën pritshmërinë  e Kosovës apo jo?

Konkluzionet e takimit të Berlinit janë bërë publike në deklaratën e përbashkët e cila ishte e harmonizuar paraprakisht. Ne e kemi bërë të qartë edhe përpara takimit, se nuk do të këtë asgjë të jashtëzakonshme. Pra, nuk është se kemi pasur pritje për këtë takim sepse nuk mund të ndodhin mrekulli të papritura në takime të kësaj natyre.

Besoni se roli i Berlinit do te jete vendimtar për ecurinë e dialogut Prishtine-Beograd?

Takimi i Berlinit ka qenë i bashkë organizuar në Gjermania dhe Franca, respektivisht Kancelarja Merkel dhe Presidenti Makron. Përfshirja e drejtpërdrejtë e Gjermanisë dhe Francës në mbështetje të procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sigurisht që shënon një moment kthese. Këtë përkrahje dhe përfshirje e kemi kërkuar që një kohë të gjatë dhe është e mirëseardhur. Mirëpo, nuk është e mjaftueshme. Ne mendojmë se marrëveshja eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm në rast se ka një koordinim të plotë ndërmjet shteteve të Quintit, respektivisht SHBA, Gjermanisë, Francës, Anglisë dhe Italisë. Këtë e kemi bërë të qartë edhe në takimin e Berlinit. Roli i SHBA-ve në këtë proces mbetet vendimtar bazuar në përvojën e deritanishme nga të gjitha proceset që kanë ndodhur në Ballkanin Perëndimor. Prandaj shpresoj se nga tani e deri në takimin e radhës në Paris, ka kohë të mjaftueshme që një koordinim i tillë të ndodhë.

Sipas jush ka dështuar Federica Mogherini në angazhimin e saj për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë?

Në asnjë rrethanë jo. Përkundrazi. Roli i ndërmjetësues i Përfaqësues së Lartë të BE-së znj. Federica Mogherini mbetet i padiskutueshëm sepse dialogu si proces është i dizajnuar të zhvillohet nën përkujdesjen e BE. Për më tepër, ndërmjetësuesja  Mogherini ka përkrahjen e plotë të shteteve anëtare të BE-së, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, që të vazhdoj me përpjekjet e saja në kuadër të këtij procesi deri në fund të mandatit të saj. Ajo gëzon edhe përkrahjen e SHBA-ve në përpjekjet e saja që palët të arrijnë marrëveshje. Personalisht, mendoj se znj. Mogherini ka barë përpjekje të jashtëzakonshme që të nxis palët të ofrojnë qëndrimet e tyre për të arritur marrëveshje. Se a do t’ia dalë të arrijë një gjë të tillë deri në fund të mandatit të saj, mbetet të presim.

 

Urimet e përvitshme për liberalizimin e vizave, politikanët vazhdojnë t’i rrejnë qytetarët rreth kësaj çështje

Periskopi.com Lajme

Qytetarët e Kosovës shpesh kanë dëgjuar urime për liberalizim të vizave nga politikanët e tyre.

Këto për hajre kanë nis qysh në vitin 2010.

Dje kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj uroi qytetarët per liberalizimin e vizave, ani pse akoma nuk ka përfunduar asgjë.

Por, urimi më i famshëm do të mbetet ai i Bekim Çollakut, i cili kishte festuar me shampanjën liberalizimin e vizave vite më parë, përcjellë Periskopi.

“Urime qytetarëve, se ne si zyrtar dhe si ministra kemi pasur gjithmonë viza e nuk e kemi pasur problem”, kishte thënë Çollaku. /Periskopi/

Çollaku: Kosova nuk shkon për të bërë “spektakël” në Berlin

Periskopi.com Lajme

Samiti i Berlinit që mbahet më 29 prill, pritet të mbledhë në një takim joformal liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar projektet e përbashkëta zhvillimore të mbështetura nga Gjermania dhe vendet e Bashkimit Evropian. Ai takim, do t’i bëj bashkë edhe udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës të cilët kanë ndërprerë komunikimin që prej nëntorit të vitit të kaluar. Njëherësh, ky samit shënon edhe prezantimin e parë të përbashkët të Kosovës në një organizim ndërkombëtar, nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Të dy udhëheqësit e institucioneve të larta shtetërore ndajnë qëndrimet të ndryshme për çështjet që lidhen më dialogun me Serbinë, qoftë për idenë për ndryshimin e kufijve, apo edhe në lidhje me pezullimin apo jo të taksës doganore të cilën Qeveria e Koosvës, kryesuar nga Haradinaj e ka vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Kjo taksë, po shihet edhe si pengesë për vazhdimin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Presidenti Thaçi mbështet idenë e ndryshimit të mundshëm të kufijve dhe heqjen e tarifës për mallrat serbe, ndërkaq kryeministri Haradinaj ka qëndrime të kundërta për të dyja këto çështje.

“Kosova atje nuk shkon për të bërë spektakël mirëpo për tu paraqitur si një shtet serioz dhe i gatshëm për të marrë përgjegjësitë që na takojnë në kuadër të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, një shtet dinjitoz i cili nuk bën kompromis me asgjë kur është në pyetje interesi i vet shtetëror”, tha për Radion Evropa e Lirë, Bekim Çollaku, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi.

Sipas tij, delegacionin e Kosovës në këtë takim joformal do ta udhëheqë presidenti Thaçi në bazë të kompetencave kushtetuese si kreu i shtetit, ndërsa qëndrimet do të jenë të harmonizuara në emër të gjitha institucioneve të Kosovës. Në pyetjen nëse presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj do të takohen para forumit të Berlinit, Çollaku tha se ka pasur takime ndërmjet tyre por mund të ketë edhe të premten ose në Berlin para se të fillojë samiti.

“Qëndrimet janë të qarta dhe ato janë publike dhe transparente edhe për qytetarët e Kosovës. Kosova shkon në Berlin për t’iu bërë të qartë edhe nikoqirëve dhe shteteve fqinje që marrin pjesë që është shtet i pavarur dhe sovran dhe që perspektiva e jonë euroatlantike nuk ka alternativë si dhe që liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa vonesa të mëtutjeshme”, thotë Çollaku.

I pyetur nëse presidenti Thaçi ende mbështet idenë e korrigjimit të kufijve, Çollaku tha se presidenti “ka qëndrim të qartë se Serbia duhet ta njohë Kosovën pa asnjë kusht dhe kompromis”.

“Natyrisht, ne e kemi për detyrë të bëjmë çmos që aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës t’i bëjmë realitet”, tha Çollaku.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë të premten në një konferencë për media se Samiti i Berlinit, që do të mbahet më 29 prill, është një takim multilateral ku do të diskutohen çështje të ndryshme. Ai tha se qëndrimet që i ka Qeveria e Kosovës nuk janë qëndrime vetëm të kryeministrit por, siç tha ai janë qëndrime të Kosovës. Ai shprehi bindjen se nuk do të ketë shpërputhje mes qëndrimeve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tij.

Nikoqirë të takimit joformal në Berlin janë kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Në këtë samit është thënë se mund të diskutohet për taksën e Kosovës ndaj importeve të Serbisë, të cilën autoritetet serbe e kanë përmendur si arsye për mosvazhdim të dialogut me Kosovën.

Çollaku: Nëse ndodh korrigjimi, do të funksionalizohet shteti dhe do të zbutet Zajednica

Periskopi.com Lajme

Këshilltari politik i presidentit Thaçi dhe ish ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku është i ftuar në emisionin Zona B ka deklaruar se korrigjimi i kufijve do ta funksionalizonte shtetin e Kosovës, shkruan Periskopi.

Ndërkohë, ka reaguar publicisti Nexhmedin Spahiu i cili ka thënë se “duhet të jesh i pitë (dehur) për ta pranuar një gjë të tillë”.

Ndaj tij me ironi ka ndërhyrë Baton Haxhiu, moderatori që ka bërë të ditura më parë qëndrimet e tij për çështjen duke i thënë “Mos më thuaj se je i shqetësuar për Bosnjen?”

Spahiu më tej ka deklaruar se një korrigjim i tillë do ta ndante Kosovën deri në lumin Ibër. /Periskopi

Këshilltari i Thaçit: Nëse do të ketë korrigjim, ai do të jetë i balancuar

Periskopi.com Lajme

Bekim Çollaku, shef i Stafit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për dialogun përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqe.

Çollaku në emisionin “Pressing” e ka lënë të hapur mundësinë e realizimit të idesë së presidentit Thaçi për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës e Serbisë, në kuadër të marrëveshjes përfundimtare.

“Nëse do të ketë korrigjim, ai do të jetë i balancuar”, është shprehur Çollaku.

Për arritjen e një marrëveshjeje duhet të ketë kompromis të dyanshëm, ka deklaruar Çollaku.

 

 

Çollaku: Letra nga SHBA s’do të doja të vinte kurrë, ta marrim seriozisht

Periskopi.com Lajme

Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka thënë se asnjëherë nuk pritet nga shteti i Serbisë që të sillet në mënyrë të civilizuar ndaj shtetit të Kosovës, ndaj dhe duhet shfaqur vëmendje në rekomandimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Çollaku derisa ka komentuar çështjen e bllokadës së krijuar në dialogun Kosovë-Serbi, në Zona e Debatit ka deklaruar se tre institucionet e vendit për të cilat ka arritur letra nga Administrata Amerikane, duhet reflektuar sa më shpejtë.

”Jemi këtu ku jemi, e duhet të mendojmë që të mos komplikojmë situatën për tu mos thelluar edhe më shumë”.

”Ne asnjëherë s’kemi pritur që Serbia të sillet në mënyrë të civilizuar, në mënyrë europiane”.

”Taksa ka qenë e arsyeshme, dhe ka arritur një efekt pozitiv por si e tillë ka qenë e papranueshme mënyra si është vendosur dhe koha kur është vendosur nga komuniteti ndërkombëtar”.

”Dhe çka është më e keqja Serbia po e përdor si pretekst, për ta sulmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare konkretisht nga miqtë e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë”.

”Letra nga SHBA-të e cila s’do të doja të arrinte kurrë, si tërheqje e vërejtjes pas dështimeve të kërkesave, duhet të trajtohet seriozisht nga të tri institucionet dhe përgjegjësit vendimmarrësit duhet të marrin vendim të menjëhershëm”.

”Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të rrezikoj që të edhe më tutje të mbahet si përgjegjëse nga ikja e tavolinës së dialogut”.

”Secila palë e cila ikë njëanshëm nga tavolina e dialogut do të gabojë shumë. SHBA-të janë të pazëvendësueshëm krahasuar me çdo aleatë tjetër”.

Ndërsa ka komentuar deklaratat e analistit Nexhmedin Spahiu se nga Qeveria e Kosovës është pohuar se për taksën SHBA-të kanë dhënë përkrahje të fshehtë, këshilltari Bekim Çollaku në Zona e Debatit tha se Administrata Amerikane nuk bënë lojë të dyfishtë, njofton Klan Kosova.

”Kjo është joserioze sepse asnjëherë Administrata Amerikane nuk vepron si e tillë me politikë të fshehtë”.

”Administrata Amerikane flet me një zë të vetëm dhe nuk ka asnjë dilemë. Të vetmin informacion që mund ta ketë Kryeministri apo Presidenti është ajo që e kam edhe unë”.

”Një gjë e tillë nuk ekziston, Administrata Amerikane nuk bënë lojë të dyfishtë dhe nuk del përtej asaj që e kërkon apo e thotë”.

 

‘Për fëmijët serbë në Kosovë, Adem Jashari është terrorist’. ‘A me shku me i arrestu nxënësit?’- Përplasja e ashpër Çollaku-Mushkolaj

Periskopi.com Lajme

Këshilltari i presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, Bekim Çollaku është përplasur ashpër në debat live me analistin Imer Mushkolaj – raporton Periskopi.

“Nuk jemi duke diskutuar se a do të bëhet Kosova shtet apo jo. Nuk kemi duke negociuar se a do ta shpall Kosova pavarësinë apo jo. Ju lutem mos”, ka thënë Çollaku.

Atij i ka reaguar ashpër Mushkolaj.

“Ne jemi duke diskutuar se si do të bëhet Kosova shtet. Gjatë gjithë kohës Qeveria Thaçi ka pranuar bisedime edhe për çështje të rregullimit të brendshëm të Kosovës”, tha Mushkolaj.

“Çfarë rregullimesh të brendshme? Mos. Mos. Mos” – i replikoi Çollaku.

“Presidenti ka paralajmëruar reformim të sistemit të arsimit, shëndetësisë e gjitha gjërave tjera në veri. A ka ndryshuar diçka gjatë këtyre gjashtë viteve”- reagoi Mushkolaj.

“Qysh a ka ndryshu, në çfarë kuptimi. Sinqertisht s’po të kuptoj” – po i thoshte Çollaku i habitur nga pyetja e tij.

“Në veri shkollat mësojnë me sistem të Serbisë. Shërimin e bëjnë në sistem të Serbisë. Politikat sociale rregullohen sipas Serbisë”- sqarohej Mushkolaj.

“E ti do me jau ndalu ku shkojnë me u shëru ata a?. E shqiptarët e Kosovës që shkojnë për shërim në Gjermani e vende tjera? Ju po ankoheni pse qytetarët e Kosovës të komunitetit serb shkojnë për shërim në Serbi” – i reagoi Çollaku.

“Jo jo, nuk po flasim për Serbi, po për Kosovë. Këto struktura paralele serbe janë funksionale në Kosovë” – i tha Mushkolaj atij, i habitur se si ai s’po e kuptonte për çfarë e kishte fjalën.

“Në Kosovë janë more këto. S’po të kuptoj çka po thua” – i reagoi sërish Çollaku.

“Nuk janë në sistem të Kosovës. Mos na hidhni hi syve. Nxënësat e Kosovës në Graçanicë e Mitrovicë mësojnë se Adem Jashari është terrorist” – tha Mushkolaj i nervozuar.

“E çka me ba. A me shku me i arrestu nxënësit a?” – i tha Çollaku.

“Thaçi duhet me na tregu qysh zgjidhen këto çështje. Unë s’paguhem prej presidentit me ju tregu se si”- iu kundërpërgjigj Mushkolaj atij.

Në fund, Bekim Çollaku tha se nuk është i kënaqur me këtë kulturë të debatit./PERISKOPI

Këshilltari i Thaçit: Trump po na bën presion të arrijmë marrëveshje me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Bekim Çollaku, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se i pari i shtetit në daljet e tij publike përçon mesazhe tjera për ndërkombëtarët, ndërsa tjera për qytetarët e Kosovës.

Çollaku ka thënë se Kosova nuk mund të presë anëtarësim në Bashkim Evropian nëse refuzon dialogun me Serbinë.

“Kosova është status quo në aspektin e perspektivës tonë euro-atlantike. Nuk mund të presim që Kosova të bëhet shtet i BE-së pa përmbyllur këtë proces më Serbinë”, tha ai në RTV Dukagjini.

Këshilltari i presidentit Thaçi ka thënë se Kosova të vetmin presion që ka nga vendet mike dhe Donald Trump është arritja e një marrëveshje, përcjell Telegrafi.

“Nuk kemi pasur presione dhe nuk kemi as sot nga askush për çfarëdo opsioni. Presioni i vetëm që na bëhet nga shtetet partnere duke përfshirë presidentin Trump dhe SHBA, është që ta shfrytëzojmë këtë mundësi unike dhe të arrijmë një marrëveshje. Ky është presioni i vetëm”, ka shtuar Çollaku.

Çollaku ka thënë se afati kohor për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve është duke u zvogëluar.

Ai ka thënë se Kosova ka arritur maksimumin me njohjet ndërkombëtare, dhe vetëm marrëveshja finale dhe evitimi i vetos ruse do të na dërgojë në OKB.

Çollaku tregon se çka e pyeti Thaçi Putinin

Periskopi.com Lajme

Manifestimin e organizuar në shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris, presidenti i vendit, Hashim Thaçi e ka shfrytëzuar për të takuar liderët më të fuqishëm të botës. Ai ka takuar edhe presidentin rus, Vladimir Putin, i cili, sipas Thaçit, i ka thënë se çfarëdo marrëveshje që arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, Rusia e përkrah.

Këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka folur për takimin e Presidentit me homolgun e tij rus, Vladimir Putin gjatë shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në Paris.

“Presidenti ka shfrytëzuar këtë mundësi të jashtëzakonshme që në mënyrë direkte, drejtpërdrejt, t’i bëjë atë pyetjen e vetme e cila na intereson neve si shtet dhe si qytetarë se në qoftë se ne arrijmë marrëveshje me Serbinë a do të jetë Rusia pengesë edhe më tutje apo jo për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, tha Çollaku, në rtv21.

Sipas tij në kuadër të shënimit të këtij përvjetori të Luftës së Parë Botërore Kosova ka arritur maksimumin në kuadër të diplomacisë.

Këshilltari i presidentit: Kosova e gatshme për marrëveshje me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Bekim Çollaku, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, konsideron se secili veprim i zhvilluar në tryezën e bisedimeve në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi, është i analizuar dhe hulumtuar mirë.

Derisa ka diskutuar çështjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, Çollaku në Zona B theksoi se  procesi i dialogut ka qenë i domosdoshëm për të eliminuar disa skenare të rrezikshme për vendin, njofton Klan Kosova.

”Në dialog asnjëra palë nuk mund të shtrojë një temë një anshëm pa harmonizimin e palëve të tjera”.

”Nëse kthejmë kokën prapa dhe shikojmë arritjen e marrëveshjes së vitit 2013, tani mund të themi se ky proces i dialogut ka qenë i domosdoshëm”.

”Në këtë takim ka pasur mospajtime, por qëndrimi ka qenë shtetëror”.

”Kosova është e gatshme dhe mbetet e përkushtuar për të arritur një marrëveshje përfundimtare dhe obligative”.

”Qasja gjithnjë ka qenë shtetërore dhe divergjenca ka qenë simbolike”.

Këshilltari i Presidentit: Korrigjimi i kufijve nuk do të krijojë precedent

Periskopi.com Lajme

Gazeta javore e mirënjohur franceze “Le Journal du Dimanche”, në numrin e saj të fundit, i ka kushtuar vëmendje të veçantë dialogut Kosovë- Serbi. Sipas këtij mediumi, koha është çështje thelbësore, megjithëkëtë presidenti serb, Vuçiq dhe presidenti kosovar Thaçi, refuzuan të zhvillojnë negociatat e tyre në prani të ndërmjetëses evropiane, Federica Mogherinit.

“Megjithatë, dy javë më parë në Vjenë, ata kishin rënë dakord të bëjnë gjithçka për të arritur një marrëveshje të paqes deri në pranverën e vitit 2019. Pa këtë marrëveshje, të dyja shtetet nuk do të jenë në gjendje të aplikojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe as Kosova nuk do të jetë në gjendje të anëtarësohet në OKB, pasi që kandidatura e saj është duke u bllokuar nga Rusia”, shkruan “Le Journal du Dimanche”.

Gazeta franceze shkruan se, sidoqoftë, përparim i pamohueshëm është arritur në procesin e dialogut. Sipas saj, të dy burrështetasit kanë kaluar tashmë shumë orë bisedimesh, dhe këtë verë ata vendosën të shikojnë në një shkëmbim të mundshëm të territoreve, nëpërmjet një ndryshimi kufitar që do të merrte parasysh peshën e pakicave etnike.

“Ata kanë mësuar të respektojnë njëri-tjetrin. Marrëdhënia e tyre nuk bazohet në besim ose miqësi, por në nevojën për të diskutuar dhe negociuar në favor të një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe paqësore”, ka thënë Bekim Çollaku, ish-ministër kosovar për Integrimin Evropian dhe njëri nga negociatorët kryesorë i delegacionit të Prishtinës, shkruan “Le Journal du Dimanche”.

Sipas tij, gjatë këtyre viteve të dialogut ata kanë mësuar të respektojnë njëri-tjetrin dhe kanë arritur të kuptojnë se ata duhet të tregojnë përgjegjësi dhe kurajë nëse duan të fitojnë miratimin publik – brenda shteteve të tyre përkatëse – për një marrëveshje paqeje, e cila ka kohë që mendohet si e pamundur.

Çollaku është pyetur edhe për marrëveshjen përfundimtare, për mbështetjen e SHBA-së dhe Francës për korrigjimin e kufijve, si dhe për kundërshtimin e Gjermanisë, e cila frikësohet se Kosova mund të shërbejë si model për riorganizimin e kufijve të shteteve të tjera në Ballkan.

Por Çollaku për “Le Journal du Dimanche” ka mohuar që një gjë e tillë mund të ndodhë. Ai ka theksuar se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të krijojë paqe afatgjate.

“Ne nuk besojmë se korrigjimi i kufirit tonë me Serbinë do të shërbejë si pretekst për vendet e tjera të rajonit për të modifikuar kufijtë e tyre”, shton Bekim Çollaku.

Ai ka thënë se faza e fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojë sa më shpejt.

“Por kjo do të dëshmojë se ky ndryshim mund të negociohet me sukses dhe në mënyrë paqësore”.

 

Çollaku: Po i ndjehet fundi dialogut me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Shefi i stafit të presidentit Thaçi, Bekim Çollaku, përmes një kolumne të publikuar në mediumin evropian “EurActiv”, ka thënë se ka filluar të ndjehet fundi i dialogut me Serbinë.

Ai ka shkruar  se kanalet direkte të komunikimit janë të hapura, duke kufizuar eskalimin e panevojshëm të tensioneve, diçka që do të kishte qenë e paimagjinueshme para vitit 2011, kurse perspektiva e njohjes së plotë të Kosovës po rritet dita ditës.

“Përveç zgjidhjes së një konflikti të gjatë midis dy kombeve evropiane, do të ketë edhe përfitime të rëndësishme për ekonomitë e rajonit”, ka pohuar ai.

Sipas Çollakut, të dy palët kanë bërë një rrugë të gjatë dhe ky udhëtim nuk ka qenë i lehtë për asnjë nga palët e përfshira, përcjell KP.

“Ashtu si me shumë dialogje ndërshtetërore, shumë shpesh ndihet sikur hapat tonë përpara u pasuan nga disa hapa prapa. Zotimet e fundit të Bashkimit Evropian për rajonin tonë, nga deklarata e Jean-Claude Juncker e vitit 2017 deri te Samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër  vetëm në muajin e kaluar, kanë mbajtur në qendër të vëmendjes suksesin tonë të mundshëm, të Kosovës dhe Serbisë, dhe nëpërmjet saj çlirimin e ambicieve dhe të ardhmes së popujve tanë. Dhe tani që po arrijmë në pengesat përfundimtare të këtij dialogu, është jetësore që të gjithë t’i mbajmë përpjekjet tona të përqendruara, sepse është e qartë se kjo gjendje limboje aktuale nuk i shërben interesave të askujt, jo qytetarëve të Kosovës apo të Serbisë dhe me të vërtetë as aleatëve tanë më gjerë në Bashkimin Evropian”, ka theksuar shefi i stafit të Thaçit.

Këshilltari i ledhatuar i Hashim Thaçit, të cilin e ulë në klasin e parë në aeroplan

Periskopi.com Lajme

Në udhëtimin e tij për në ShBA në prill të 2012-tës Hashim Thaçi kishte ulur në ulëset Bussnes Clas vetëm Bekim Çollakun. Faturat e biletave të aeroplanit dëshmojnë se pjesa tjetër e ekipit ishte ulur në ulëset e klasit ekonomik që atëkohë kushtonin rreth 2 mijë euro më lirë.

Kallxo.com zbulon se për udhëtimin  në vizitë në Amerikë, Hashim Thaçi kishte paguar 3 mijë e 240 euro. Por, i vetmi që kishte pasur mundësinë të ‘ulet’ afër shefit, ishte këshilltari i tij, Bekim Çollaku, bileta  të cilit kishte kushtuar po aq sa e atëkohë kryeministrit.

Për Thaçin e Çollakun shteti kishte paguar 6 mijë e 480 euro. Por, shumë më lirë kishin kushtuar biletat e vartësve tjerë, edhe pse të gjitha biletat ishin rezervuar në të njëjtën ditë.

Bashkë me Thaçin, në Amerikë në prill të 2012-tës kishin shkuar edhe Dhurata Hoxha, Mrika Kotorri, Edi Sejdiu, Astrit Ibrahimi dhe Xhavit Ferizi. Por biletat për secilin nga ta kishin kushtuar nga 922 euro. Ose në total për 5 zyrtarë shteti kishte paguar  4 mijë e 610 euro.

Llogaritja tregon se dy biletat e Thaçit dhe Çollakut, kishin kushtuar afër 2 mijë euro më shumë se sa të gjitha biletat e 5 vartësve të ish kryeministrit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.

Festa e zbehtë për vizat – Nga shampanja, në tortë me yje të flamurit të BE’së

Periskopi.com Lajme

Në Odën e Ekonomike të Kosovës sot është kremtuar rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarë të Kosovës. 

Është prerë edhe torta e janë thënë fjalë të mira për këtë që tashmë nga politikanët e quajnë “lajm të mrekullueshëm”.

Foton nga ky manifestim në Facebook e ka publikuar kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

Ai me këtë rast edhe ka shkruar:

“Liberalizimi i vizave, qytetarëve të Kosovës ua lehtëson jetën, dhe veçanërisht është lajm i mrekullueshëm për bizneset në vend.

Në vizitën e sotme në Odën Ekonomike të Kosovës, rikonfirmova përkushtimin e Qeverisë për të rritur parametrat në ekonomi, si dhe për të vazhduar partneritetin me sipërmarrësit dhe bizneset.

Bizneseve në vend me ndërtimin e termocentralit “Kosovës së Re” u garantohet stabilitet energjetik. Po ashtu, kemi ndërmarrë hapa konkret në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore që na lidhë me shtetet fqinje e më gjerë. Komunave u kemi siguruar hapësirë të veçantë për zona ekonomike. Kurse, politikat fiskale i kemi ndër më të mirat në rajon.

Ekonominë po e orientojmë drejt partnerëve tanë strategjikë dhe me lëvizjen e lirë në vendet e BE-së do të fuqizohen lidhjet ekonomike me Europën”.

Kjo festë për rekomandimin për vizat mund të cilësohet si më e zbehtë, nëse krahasohet me festë që më 2015 kishte bërë ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

Ajo festë ishte bërë me shampanjë, e jo me tortë.

Ekziston një video që qarkullon në rrjete sociale, më shumë sa për t’u dëfryer e qeshur, ku Çollaku kishte festuar për liberalizimin e vizave qysh në vitin 2015, përkundër se vizat nuk shiheshin në horizon.

Në ato momente, Çollaku që njihet si vartës i Hashim Thaçit, thoshte si me mburrje dhe sikurse ta kishte kryer një punë të cilën s’e kishte përgjegjësi: “Urime qytetarëve, se ne zyrtarët e ministrat nuk e kemi pasë problem për viza”.