Takimet interesante të ish-presidentes Jahjaga që sot i publikoi shpesh

Periskopi.com Lajme

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka njoftuar për takime të rëndësishme që ka pasur sot me figura të rëndësishme ndërkombëtare – raporton Periskopi.

Fillimisht ajo është takuar me ish-sekretaren amerikane të shtetit dhe miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright, me të cilën ka diskutuar për programin e shënimit të 20 vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë.

“Gjithmonë kënaqësi të takoj ish sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, të cilën e falënderova për përkrahjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë. Me sekretaren Albright diskutuam edhe për programin për shënimin e 20 vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë duke riafirmuar kontributin e jashtzakonshëm të NATO-s si faktor për paqe dhe stabilitet në Kosovë, rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.

Pak orë më vonë, ajo njoftoi edhe për një takim tjetër me një përfaqësues ndëkombëtar.

Ajo shkroi se pati një takim fantastik me presidentin e Këshillit Amerikan për Edukim Ndërkombëtar.

“Takim fantastik me Këshillin Amerikan për Edukim Ndërkombëtar nën administrimin e të cilit janë Fondi Kosovaro-Amerikan për Edukim (KAEF) dhe programi Kennedy-Lugar për shkëmbim të të rinjve dhe studim (YES). Përmes këtyre programeve të rinjtë nga Kosova kanë mundësi të ndjekin studimet në disa prej shkollave dhe universiteteve më të mira në SHBA. Me Presidentin e këtij këshilli, z. Lorne Craner dhe pjesën tjeter të ekipit diskutuam për mundësitë e zgjerimit të këtyre programeve për aftësimin e të rinjëve tanë dhe nevojën për mbështetje të vazhdushme edhe nga institucionet tona në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria e tyre”, ka shkruar ajo.

Takimin e fundit për sot, Jahjaga e pati me udhëheqësin e zyrës së USAID’it për Evropë dhe Euroazi, Brock Bierman, të cilin thotë se e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë përmes programeve zhvillimore.

“Takim i mirë me udhëheqësin e zyrës së USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Brock Bierman të cilin e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë përmes programeve zhvillimore. Nga z.Bierman gjithashtu kërkova që të shqyrtohet mundësia për zgjerimin e programeve të bursave për studentët kosovarë si dhe programe tjera për aftësimin e të rinjëve tanë, sidomos në fushën e shkencave, teknologjisë, inxhinierisë, dhe matematikës (STEM)’, shkroi Jahjaga në Facebook para gjysmë ore.

Pas përfundimit të mandatit si presidente, Jahjaga është distancuar nga skena politike në Kosovë.

Ajo ka themeluar Fondacionin “Jahjaga” dhe është personi publik më i zëshëm në Kosovë për mbrojtjen e grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, numri i të cilave besohet se arrin deri në 20 mijë. /PERISKOPI