Lirohen gjatë natës 12 grekët e shoqëruar për incidentet në Bularat

Periskopi.com Lajme

Janë liruar gjatë natës 12 shtetasit grekë të shoqëruar pas varrimit të Konstandinos Kacifas, ditën e djeshme në Bularat.

Të 12 personat do të procedohen të lirë.

Shoqërimi i shtetasve grekë ka ardhur pas përfundimit të ceremonisë së varrimit si dhe bllokimit të rrugës për më shumë se 10 minuta në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë.

Emrat e personave të ndaluar:

  1. Andrea Panajot Kuri.
  2. Thoma Filip Stefo
  3. Kristo Anastas Duci
  4. Haralamb Nikolla Karathano
  5. Thanas Vangjel Papas
  6. Pirro Kosta Panajoti
  7. Dhimiter Nasipa Kostandinos
  8. Nina Dhionis Dinos
  9. Kostantandinos Grigoris Gizolis
  10. Anestis Kostaqis Panajotis
  11. Jorgos Dhimitris Varelas
  12. Athanasis Jorgos Papas dhe nga forcat anti terror Fier, janë ndaluar Apostol Jorgo Thoma dhe Theodhor Nikolla Petropulos.

 

Thirrje nacionaliste në Bularat: Vorio Epiri është grek (Video)

Periskopi.com Lajme

Shtetasit grekë që kanë mbërritur në Bularat për ceremoninë e varrimit të Kostandinos Kacifas po bëjnë thirrje për 35-vjeçarin që e konsiderojnë hero dhe për Vorio Epirin.

Fluksi i grekëve që po hyjnë në territorin shqiptar për të qenë pjesë e ceremonisë mortore të Kacifas është i madh.

Mësohet se radha në territorin grek arrin deri në 3 km, ndërkohë që po kryen kontrolle fizike mbi çdo person./ Top Channel

Flasin banorët e fshatit ku u vra ekstremisti grek nga RENEA

Periskopi.com Lajme

Pamje “live” u sollën në “Open” nga “vatra” e të shtënave në fshatin Bularat, ku mbeti i vrarë një ditë më parë 35-vjeçari Kostandinos Kacifas pasi qëlloi me armë ndaj policisë.

Gazetarja foli me banorët mbi ngjarjen, të cilët fillimisht nuk pranojnë të flasin, ndërsa më pas shprehen se e njihnin viktimën.

Ata thonë se policia nuk duhet të kishte qëlluar. “Djali nuk ka goditur mbi policinë, por në ajër”, shprehet njëri.

Ndërsa një tjetër thotë se viktima ishte fanatik dhe nuk duronte dot praninë e policisë. Një tjetër banor thotë se policia ishte e orientuar për të vrarë 35-vjeçarin.

Ndërkohë flamuri grek vazhdon të valëvitet në Bularat…

Ngjarja e Bularatit diskutohet në parlamentin grek

Periskopi.com Lajme

Ministri i Brendshëm grek, Aleksis Haritsis, ka deklaruar që zbardhja e plotë e ngjarjes së djeshme në Bularat përbën një prioritet absolut të qeverisë Tsipras.

Duke folur në parlament, Haritsis iu referua notës së protestës që ka bërë Greqia dhe shtoi se qeveria greke po e ndjek ngushtë këtë çështje dhe madje, kjo ndjekje nuk do të jetë vetëm në nivel teorik, por gjatë ditëve të ardhshme edhe në nivel praktik”, pa dhënë sqarime të mëtejshme.

Ministri i Brendshëm grek tërhoqi vëmendjen ndaj disa pozicionimeve në Greqi që sipas tij “u japin shansin britmave të ekstremit të djathtë që të manipulojnë një çështje kaq serioze dhe komplekse”.

Më herët, përfaqësuesi parlamentar i Demokracisë së re, Makis Voridis, e kishte cilësuar si “absolutisht të papranueshëm” prononcimin e kryeministrit shqiptar në rrjetet sociale.

Sipas deputetit konservator familja e Katsifas ka paditur policinë shqiptare.

“Përderisa ka një proces në zhvillim e sipër, deklarata e kryeministrit të Shqipërisë që pozicionohet ndaj kësaj çështjeje gjyqësore, është absolutisht e papranueshme”, tha deputeti i Demokracisë së Re.

Deklaratës se kryeministrit Rama iu referua edhe deputetja e Lëvizjes për Ndryshim (ish PASOK), Evi Christodulopulou.

“Ne besojmë se deklaratat e kryeministrit shqiptar i hedhin benzinë zjarrit. Është e qartë se duhej të shprehte trishtimin e tij, por edhe të urdhëronte fillimin e një hetimi. Ato që tha, kështu siç i tha, nuk ndihmuan”, tha deputetja socialiste.

Përfaqësuesi i partisë komuniste, Thanasis Vardalis, vuri në dukje se “shfrytëzimi i ngjarjes nga forcat nacionaliste në të dy vendet është diçka që vetëm shqetësim mund të shkaktojë”.

Gjithë partitë parlamentare greke kanë qenë në unison në kërkesën për zbardhjen me transparencë të plotë të ngjarjes.