Lirohet i dyshuari për krime lufte, thotë se në atë kohë ishte në Holandë

Periskopi.com Lajme

Për 4 muaj rresht Shemsi Garaj i dyshuar për krime të luftës qëndroi në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Por ai një ditë më parë u lirua nga kjo qendër pasi që Prokuroria Speciale vlerësoi se kanë pushuar shkaqet dhe arsyet për vazhdimin e kësaj mase, raporton KTV.

Garaj i cili muaj më parë u arrestua nën dyshimet se kishte kryer krime luftës gjatës periudhës së luftës, thotë se arriti të sigurojë dokumente nga shteti i Holandës të cilat dëshmojnë se ai gjatë asaj kohe nuk gjendej në Kosovë.

Sipas Prokurorisë Speciale, Garaj së bashku me vëllanë e tij Galan Garaj i cili ka vdekur ndërkohë, dhe 7 persona të tjerë në mesin e tyre edhe serbë dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasje, plagosje, rrahje, maltretime, djegie, plaçkitje dhe dëbim të popullatës civile nga lagjja “Tikvesh” në Klinë.

Por në vendimin e Gjykatës Themelore të lëshuar një ditë më parë thuhet se “pas kërkesës së Prokurorisë drejtuar autoriteteve italiane dhe holandeze për vërtetimin e dokumentet mbi statusin e refugjatit në Holandë, është konfirmuar se i dyshuari Shemsi Garaj ka hyrë në Holandë me datë 24.03.199 ndërsa është depërtuar me 01.12.1999.

Derisa ai vet thotë se asnjëherë nuk veshi uniformë e policisë serbe dhe se nuk ka të bëjë fare me këto akuza.

Ndërsa Sali Mekaj, avokati i të dyshuarit Shemsi Garaj, ka thënë se prokuroria më nuk ka asnjë arsye të vazhdojë hetimet në këtë rast. Sipas Mekajt klienti i tij ka ofruar alibi se ai nuk ishte në Kosovë, në periudhën kur dyshohet se ishin kryer këto krime.

Ndërsa Prokuroria Speciale, nëpërmjet një përgjigje me shkrim vetëm ka konfirmuar se pasi ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore përfshirë këtu intervistimin e dëshmitarëve, shqyrtimin e provave materiale, ekspertizën dhe të tjera, alibia e paraqitur nga ana e mbrojtjes ka bërë që Prokuroria të kërkojë ndërprerjen e masës së paraburgimit.

“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, duke përfshirë intervistimin e dëshmitarëve dhe të pandehurit, shqyrtimi i provave materiale –dokumentacioni, ekspertiza, etj. Gjatë kësaj faze, nga ana e mbrojtjes (të pandehurit) është paraqitur si alibi pretendimi se i pandehuri Sh.G., gjatë periudhës për të cilën dyshohet (datë 27.03.1999) nuk ka qenë në Kosovë. Prandaj, PSRK ka paraqitur kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare, adresuar autoriteteve të shteteve përkatëse, me ç’rast është kërkuar ofrimi i informatave-provave material, si pjesë e hetimit të këtij rasti. Konform kërkesave të adresuara, më 26.08.2019, përmes rrugëve të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, PSRK ka pranuar përgjigjen e autoriteteve përkatëse, përmes të cilës janë vërtetuar pretendimet e mbrojtjes se i pandehuri Sh.G., gjatë periudhës kohore për të cilën është dyshuar, nuk ka qenë në Kosovë. Prandaj, bazuar në këto prova kemi ardhur në përfundim se tani më kanë pushuar shkaqet që kanë shkaktuar caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në përgjigjen nga Prokuroria Speciale.

Derisa kjo prokurori nuk ka dhënë sqarime nëse i ka mbyllur hetimet për këtë rast.

Të burgosurit në Burgun e Sigurisë së Lartë prodhojnë shtretër nga druri

Periskopi.com Lajme

Në vazhdën e aktiviteteve të punës së organizuar nëpër burgje, të mbështetur nga organizata joqeveritare “ Help Kosovo”, të burgosurit e Burgut të Sigurisë së Lartë, kanë filluar prodhimin e shtretërve nga druri.

Të burgosurit e BSL-së, përveç se kanë aktivitete të shumta sportive, ata zhvillojnë edhe aktivitete tjera, me të cilat shprehin talentin në punën dhe zanatet e tyre që ata zotërojnë.

Në njoftimin për media nga Shërbimi Korrektues, thuhet se përmes këtij projekti synohet të ndikohet në rehabilitimin dhe ri-socializimin e personave të burgosur.

“Qëllimi i projektit është ngritja e kapaciteteve të grupeve të cenueshme në sferën ekonomike dhe shoqërore, në mënyrë që të ju krijohen mundësitë për pjesëmarrje aktive në shoqëri. Kjo përmirëson mundësitë e të burgosurit për të jetuar edhe pas lirimit. Përveç kësaj, puna normalizon jetën e përditshme në burg. Secili punim i kryer nga të burgosurit në punëtoritë e SHKK-së, kryesisht përdoren për nevojat e qendrave korrektuese dhe atyre të paraburgimit. Disa prej tyre jepen edhe donacion”, thuhet në njoftim.