Thethi i mbuluar nga dëbora, pamje magjepsëse

Periskopi.com Lajme

I paprekshëm vetëm për pak ditë të ftohta dhe me shumë dëborë, i mbyllur në kornizën e bardhësisë. Sfida për të arritur Thethin në këto ditë të bardha janari u takon e gjitha aventurierëve të sporteve ekstreme. Janë të rinjtë ata që kanë sfiduar në fundjavë borën, rrugët e vështira dhe të ftohtin dhe kanë shkelur në bardhësitë e luginës.

I prezantuar si qendra turistike e veriut shqiptar, për të katër stinët e vitit, në dimër, Thethi është gati i paprekshëm. Mund të shkosh deri në Qaf Thore, një ballkon piktoresk 12 km. larg Luginës së Thethit dhe më tej është gati e pamundur ose një aventurë e rrezikshme.

Tani që bora ka mbuluar kreshtat e Alpeve dhe vetë luginën deri në afërsi të Shkodrës, drejt luginës së fshatit turistik, vizitorët aventurierë, kërkojnë të futen e të prekin nga afër këtë mrekulli të natyrës.

Drejtori i AdZM Shkodër Agim Dardha, thotë për ATSH se ”janë të shumtë vizitorët që ngjiten drejt pikave turistike si Razmës apo Bogës, por të rrallë ata që i drejtohen Thethit”.

Zona turistike e Thethit aktualisht ofron rreth 1200 shtretër, që shërbejnë në të katër stinët e vitit me të gjitha aksesorët për të pritur vizitorë edhe në mot të ftohtë.

Nga drejtuesit e AdZM së Shkodrës ku bën pjesë Parku Kombëtar i Thethit, viti 2018 është konsideruar mjaft i suksesshëm në lëvizjen turistike, duke e radhitur Thethin si një veçanti të turizmit të natyrës, të ecjes sportive, të peizazhit, të historisë dhe mitologjisë.

Dardha thotë për ATSH se turizmi familjar në këtë zonë po bëhet i suksesshëm në të katër stinët e vitit, por ka periudha kur ai bëhet i vështirë.

Është premtuar që këtë vit të nisë edhe asfaltimi i rrugës Qafë-Thore – Theth me gjatësi 17 km që do të lehtësojë shumë lëvizjen e vizitorëve edhe në dimër në këtë luginë mbresëlënëse.

Thethi “i pakapshëm” në këtë kohë me dëborë, është i arritshëm vetëm nga më të guximshmit. Dhe një prej tyre është Nard Polia, një ranger i AdZM-Shkodër që shoqëron turistët aventurierë të dëborës, madje edhe për të kaluar qafën që lidh Thethin me Valbonën.

Në qendër të fshatit është ngritur dhe qendra e vizitorëve, e cila u shërben turistëve në orientimin e tyre drejt vendeve më interesante për t’u parë e vizituar edhe tani në periudhën e vështirë të dimrit. Thethi mund të vizitohet edhe tani me dëborë/ATSH.

Thethi i mbuluar nga dëbora, të rinjtë takohen me aventurën

Thethi i mbuluar nga dëbora, të rinjtë takohen me aventurënSfida për të arritur Thethin në këto ditë të bardha janari u takon e gjitha aventurierëve të sporteve ekstreme. Janë të rinjtë ata që kanë sfiduar në fundjavë borën, rrugët e vështira dhe të ftohtin dhe kanë shkelur në bardhësitë e luginës.http://ata.gov.al/2019/01/27/thethi-i-mbuluar-nga-debora-te-rinjte-takohen-me-aventuren/

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on Sunday, 27 January 2019

 

Dëbora e madhe dhe ortekët vrasin 21 persona në Evropë

Periskopi.com Lajme

Dëbora e madhe dhe ortekët kanë ‘paralizuar’ pjesë të Evropës gjatë fundjavës, ndërsa numri i të vdekurve nga moti i ftohtë  ka shkuar në 21.

Resortet e skive janë mbyllur dhe fshatrat janë izoluar pasi dëbora bllokoi akset rrugore e linjat e transportit, si edhe dëmtoi linjat e energjisë.

Një helikopter ushtarak shpëtoi 66 adoleshentë në Austri të bolluar në disa shtëpi në mal për disa ditë. Në Zvicër, punonjësit kaluan disa orë duke hequr borën nga Hotel Saentisin Schwaegalp të premten pasi një ortek me gjerësi 300m u përplas në dritaret e restorantit. Tre persona u plagosën nga incidenti.

Dy persona që po bënin ski u vranë nga një ortek në malet e Pirin të Bullgarisë të premten dhe një shofer 48-vjeçar që po pastronte borën vdiq pasi ranë në një lumë në jug të Mynihut në Gjermani.

Pritet që stuhia e madhe e dëborës të vazhdojë nga mbrëmja e së shtunës deri të hënën në mëngjes dhe paralajmërimet për ortekë janë lëshuar për disa rajone duke përfshirë Tirolin në Austrinë perëndimore.

Të paktën 21 persona kanë vdekur për shkak të motit të ftohtë në Evropë që nga fillimi i Vitit të Ri.