SBASHK’u i bie pishman, tani kërkon mosdekretimin e Ligjit për paga

Periskopi.com Lajme

Disa ditë pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) hoqi dorë nga greva në arsim pasi në Projektligjin për paga u ngritën koeficientet e disa kategorive të punëtorëve të arsimit, drejtues të sindikatës tash po kërkojnë mosdekretimin e Ligjit nga presidenti, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndryshimet e koeficienteve ishin bërë një ditë para se Kuvendi të miratonte Ligjin, ku drejtues të Qeverisë, komisionit për administratë e kryetari i Kuvendit i kishin premtuar SBASHK-ut ngritje rreth 20 për qind të koeficienteve.

Drejtues të Sindikatës po konsiderojnë se Ligji duhet të mos dekretohet dhe kështu të kthehet në pikën zero. Kjo pasi mësimdhënësit e arsimit fillor (1-5) nuk janë të kënaqur me koeficientet e tyre dhe po konsiderojnë se janë diskriminuar në krahasim me mësimdhënësit e arsimit të mesëm të ulët (6-9). Diferenca në pagë është 35 euro më shumë për këta të fundit.

Menaxheri për financa në SBASHK, Ymer Ymeri, ka thënë se më e mira është që Ligji të mos dekretohet fare në mënyrë që askush të mos mbetet i pakënaqur.

 

Haradinaj nuk e komenton mos dekretimin e Gent Cakajt nga Ilir Meta

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka dashur të komentojë vendimin e presidentit shqiptar, Ilir Meta që mos ta dekretojë Gent Cakën për ministër të Jashtëm.

‘’Më falni por nuk kam të drejtë të komentoj nominimet e Qeverisë së Shqipërisë, sikurse as vlerësimin e presidentit. Kuptojeni këtë. Nuk parashihen këto vlerësime’’, ka thnëë Haradinaj, raporton Periskopi.

Tutje ai është pyetur edhe për marrdhënien e tij me Ilir Metën.

‘’ Unë  e dua Shqipërinë pa kushte. Dhe e kam shumë mik Ilir Metën. Ilirin,  po e kam shumë mik’’, shtoi Haradinaj.

Kujtojmë që pati kritika të shumta pse Ilir Meta nuk e dekretori kosovarin Gent Cakaj për ministër./Periskopi/

? Drejtpërdrejt nga konferenca pas mbledhjes së Qeverisë

Posted by Periskopi on Friday, 11 January 2019

Ilir Meta nuk i dekreton dy ministrat kosovarë

Periskopi.com Lajme

Presidenti Ilir Meta nisi paraditen e së shtunës dekretimin e ndryshimeve në Qeveri, një ditë pasi nga selia e Kryeministrisë i kishin mbërritur në tryezën e tij propozimet me firmën e Edi Ramës.

Kreu i Shtetit ka dekretuar shkarkimin nga detyra të zv/kryeministres Senida Mesi dhe të ministrave Nikolla, Ahmetaj, Gjiknuri, Peleshi, Kumbaro dhe Qato.

Çfarë bie në sy është fakti se Presidenti Meta nuk ka dekretuar shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, ndonëse nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë.

Për t’i paraprirë një situate të ngjashme me atë të krijuar disa javë më parë me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshi, burime nga Kryeministria i thanë Top Channel se Kryeministri Rama këtë herë preferoi t’ia dërgonte vetë emrat Presidentit Meta, me të cilin është takuar mbrëmjen e të premtes.

Nga ministrat e rinj, Meta dekretoi emërimin brenda pak orëve vetëm të atyre katër që janë pjesë e Parlamentit. Bëhet fjalë për dekretimin si zv/kryeministër të Erion Braces, dhe si ministra të Bledi Cucit, Eduard Shalsit dhe Elisa Spiropalit, për të cilët Kreu i Shtetit duket se ka respektuar parimin se nëse plotëson kriteret për të qenë deputet mund të jesh edhe ministër.

Për emrat e tjerë të propozuar nga Rama, konkretisht Besa Shahinin si ministre e Arsimit, Gent Cakën si ministër i Jashtëm, Anila Denaj si ministre e Financave, Belinda Balluku si ministre e Transportit dhe Energjisë dhe Elva Margariti si ministre e Kulturës, Presidenti Meta mësohet se ka nisur një proces verifikimesh për të cilat Kushtetuta i njeh 7 ditë kohë.

Ministrat e rinj pritet të miratohen nga Parlamenti me nisjen e sesionit të ri më 21 janar.

 

Çuditen edhe mediat serbe: Iku nga burgu i Serbisë, u bë gjykatës në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Edhe mediat serbe kanë shkruar për kriminelin serb Radomir Laban, i cili në Kosovë ka arritur të bëhet gjykatës në Gjykatën Kushtetuese.

B92 shkruan se Radomir Laban kishte ikur nga burgu në Serbi pasi që ishte dënuar për korrupsion, ndërsa në Kosovë me dekretimin e presidentit Hashim Thaçi ai është bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, shkruan Periskopi.

Media serbe shkruan se zyra e Thaçit ka publikuar një fotografi ku shfaqet Laban dhe katër gjyqtarët tjerë duke dhënë betimin para Presidentit.

Ndërsa, ka cituar raportimin e Reuters me burim brenda policisë serbe.

“Ai është person i kërkuar nga autoritetet në Beograd. Ka një fletarrest edhe në Interpol dhe poqëse ik nga shteti, emri i tij do të paraqitet në secilin aeroport”, kanë thënë këto burime të Reuters nga qarqe të larta në Policinë e Serbisë.

Laban do të jetë njëri prej nëntë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, duke mbushur një prej vendeve të destinuara për përfaqësimin minoritar.

Laban ishte dënuar në Serbi me gjashtë vite burg për korrupsion si zyrtar i doganave të Serbisë.

Ai ka mbajtur vetëm gjysmën e dënimin gjatë procesit gjyqësors, mes viteve 2006-2009.

Pastaj ishte liruar. Pasi ishte dhënë aktgjykimi ndaj tij, ai ishte thirrur që ta vuajedhe pjesën tjetër të dënimit, por ishte arratisur në Kosovë.

E në Kosovë ka gjetur parajsën, është bërë gjykatës. /Periskopi/

 

 

Thaçi dekreton për gjyqtar kushtetues serbin që njihet si “mafioz i doganave”

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekretuar si gjyqtar kushtetues Radomir Labanin, personin me flet-arrest ndërkombëtar. Dekretimi i tij është bërë në paketë me anëtarët e rinj të gjykatës kushtetuese të cilët tash e një kohë të gjatë kanë marrë bekimin e Kuvendit të Kosovës për t’u bërë “gardianë të Kushtetutës”.

Zvarritja e dekretimit të gjyqtarëve të rinj ishte shkaktuar pikërisht për shkak të Labanit, pasi ai është i kërkuar nga Serbia për vuajtjen e një dënimi me burg për shkak të keqpërdorimeve në dogana. Laban, ndryshe njihet në Serbi edhe si “mafia e Doganava”. AktivPress ka raportuar më herët se presidenti ka kërkuar raport nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për të kaluarën e Labanit, mirëpo përgjigja që ka marrë nga to, ka qenë se ai nuk ka telashe me ligjin në Kosovë. Kaq ka mjaftuar për presidentin Thaçi që ta dekretoj atë për gjyqtar kushtetues.

Kur në vitin 2006 ishte vënë në kërkim të autoriteteve serbe si i dyshuar për korrupsion në dogana, Laban vështirë se do ta ketë besuar se karriera e tij nuk kishte filluar të shembej, por po merrte hov pikërisht nga ai moment. Si një djalë i rritur në Kosovë, me një shqipe pothuajse të përkryer, ai s’e pati problem që ta lë Kralevën dhe të gjej “strehë” në vendin e origjinës. Në janar të vitit 2011, ai nisi punën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, si këshilltar juridik senior.

Angazhimin e tij e ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese ndonëse nuk është lëshuar në të kaluarën e tij. “Në vitin 2011, së bashku me Formularin e aplikimit për punë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, z. Laban ka dorëzuar njëherësh edhe të gjitha dokumentet e kërkuara për punësim sipas ligjeve në fuqi”, ka qenë përgjigja e Gjykatës, kur është pyetur nga AktivPress, nëse është verifikuar biografia e Labanit, para se të pranohej në punë.

Thaçi ka thënë se dekretimin e gjyqtarëve e ka bërë në mbështetje të Kushtetutës, Ligjit për Presidentin, Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me propozimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ceremonia e  betimit e gjyqtarëve të rinj para presidentit Thaçi është zhvilluar sot, ku e pranishme ka qenë edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Bajram Ljatifi, Safet Hoxha, Remzije Istrefi–Peci, Radomir Leban dhe Nexhmi Rexhepi, që sot kanë dhënë betimin para presidentit Thaçi, paraprakisht kishin kaluar të gjitha procedurat në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe emrat e tyre ishin shqyrtuar nga Komisioni i Posaçëm për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të procedurave të votimit të fshehtë të mbajtura në seancat plenare të Kuvendit.

Gjatë procesit të votimit të fshehtë, Remzije Istrefi-Peci kishte marrë gjithsej 83 vota, Radomir Leban kishte marrë 71 vota, Nexhmi Rexhepi kishte marrë 66 vota, Safet Hoxha kishte marrë 62 vota dhe Bajram Ljatifi kishte marrë gjithsej 58 vota. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese, për herë të parë në historikun e saj, tanimë është vetëm me gjyqtarë vendorë. Prej mesit të muajit maj, Kushtetuesja pati mbetur në vetëm katër gjyqtarë. /AktivPress/

 

Identifikohet njeriu i PDK-së që po përvidhet brenda Gjykatës Kushtetuese

Periskopi.com Lajme

Organizata Çohu ka reaguar pas përzgjedhjes së tre anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës më 6 korrik. Të paktën një prej 3 të përzgjedhurve, që presin dekretimin e Presidentit të Kosovës, sipas Çohu, ka të kaluar funksionale politike në Partinë Demokratike të Kosovës.

Çohu ka vlerësuar se përzgjedhja e Safet Hoxhës si anëtar i Kushtetueses, i cili ishte asamblist i PDK-së në Suharekë dhe që kishte marrë pjesë në tubimet politike të po kësaj partie, e më pas kishte kandiduar për anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së, nuk i përmbush kriteret profesionale dhe vë në dyshim pavarësinë dhe paanësinë e Kushtetueses, shkruan Periskopi.

“Duke u thirrur në përzgjedhjen dhe votimin e fundit, njëri nga anëtarët e votuar, Safet Hoxha, përveçse ka qenë Këshilltar Komunal i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Suharekës, ai gjithashtu kishte marrë pjesë në tubimet politike të kësaj partie në Komunën e Suharekës, të cilën e kishte konfirmuar edhe ai vetë. Për më tepër, në zgjedhjet e përgjithshme për Këshill Drejtues të PDK-së në vitin 2013, Safet Hoxha edhe ishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të Përgjithshëm të PDK-së. Konsiderojmë se kandidatët si z. Hoxha nuk përmbushin kriteret e nevojshme të integritetit dhe të pavarësisë profesionale, duke cënuar kështu paanshmërinë dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagim.

Çohu ka kërkuar nga Presidenti Thaçi që të mos e dekretojë Safet Hoxhën, në mënyrë që të mos rritet mosbesimi i qytetarëve ndaj gjykatës më të lartë në vend. /Periskopi/

Këtu e gjeni reagimin e plotë të Organizatës Çohu