Në banesën e djegur jetonte i vetmuar një djalë, qe tre muaj nuk kishte rrymë

Periskopi.com Lajme

Nga një shpërthim zjarri në një banesë në lagjen Ulpiana deri më tani gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Një nga ta është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërkohë që 5 të tjerët tretmanin e kanë marrë në vend ngjarje ( probleme me frymëmarrje nga tymi).

Dëshmitarët thonë se në banesën e djegur ka banuar një djalë i cili qe tre muaj nuk ka pasur energji elektrike.

Fqinjët dyshojnë së zjarri ka mundur të vijë nga ndonjë qiri ose nga ndonjë bombolë gazi. Ata madje e kanë hequr nga banesa personin pasi që kishte marr lëndime.

Afrim Gashi thotë se së bashku me një shok e kanë shpëtuar viktimën me emrin Enis,por që mbiemri i të cilit mbetet i panjohur për redaksinë.

Gashi thotë se personi rreth moshës 30 vjeçare është rast social dhe në banesë nuk ka rrymë që tre muaj.

“Enisi është pronari i banesës.  Ai njeri është rast social rrymë që tri katër muaj nuk ka ne shpeshherë u kemi thënë atyre të KEK-ut vendosjani rrymën se nuk ka rrymë se është rast social….Nuk e di pse ka ndodhur zjarri a u djeg  me qiri apo nuk është djegur, rrymë në atë banesë nuk ka pasur…Shkaku i rrymës ka mundur të ndodh kjo e ka ndez qiriun natën apo diçka tjetër dhe ka ardhur deri tek zjarri. E kam parë Enisin ka qenë duke bërtitur flokët e përzhitura, i djegtë ngapak e kemi kap me një shok dhe e kemi qit  jashtë”, tregon  Gashi.

Por shkaktarët e zjarrit ende nuk ndihen. Kështu të paktën thotë Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti  tha për KosovaPresss se sot rreth orës 09  e 30 ka pranuar informatën për shpërthim zjarri në këtë ndërtesë. Sipas saj zjarri është lokalizuar dhe aktualisht njësitet e Policisë në bashkëpunim me zyrtarët relevant nga institucionet përkatëse, po punojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat të cilat kanë ndikuar në shkaktimin e këtij rasti.

Në vendin e ngjarjes kishin dal edhe njësitet e zjarrfikësve.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për rajonin e Prishtinës, Latif Zeka lidhur me rastin tha se me të marr informatën për shpërthimin e zjarrit kanë dal në vend të ngjarjes dhe kanë arritur ta fikin zjarrin. Sipas tij ende shkaktarët e këtij shpërthimi nuk dihen.

Latifi po ashtu tha se viktima nuk ka,  janë tre persona të lënduar, njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë.

“Kur kemi ardhur  e kemi gjetur në fazën e jashtëzakonisht të vrullshme e zjarrit në banesë e kemi futur nën kontroll dhe e kemi fikur…. Shkaqet nuk dihen ende por janë ekspertët e parandalimit të zjarrit dhe policisë dhe ata do të zbulojnë se nga çka ka ardhur… Më vjen mirë që të vdekur nuk ka të lënduar po sipas informatave kanë qenë tre, një është në shkallë më të lartë të lëndimit”, tha ai.