Ja arsyet pse Premier Liga e Bjellorusisë vazhdoi gjatë pandemisë

Periskopi.com Sporti

Ndërsa Evropa u mbyll shtet pas shteti gjatë muajve të fundit, futbolli u bë një nga shumë industri që ndaloi.

Ligë pas lige u pezulluan, dhe derisa stërvitjet nëpërmjet aplikacioneve e video-lidhjeve u bën normë për sportistët elitarë, ishte një shtet që insistonte se duhet vazhduar.

Futbolli në Bjellorusi vazhdoi, luheshin ndeshjet që quan edhe në kritika të shumta përfshirë edhe nga Unioni i Futbollistëve Profesionistë (FIFPRO).

“Mendoj se ne kishim më pak se 100 raste kur filloi stinori”, ka thënë zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Bjellorusisë, Aleksandr Aleinik, shkruan “Sky Sports News”. “Ministria e Shëndetësisë mori shumë masa për të parandaluar përhapjen e virusit. Dërguan rekomandime te ne dhe ne ia dërguam klubeve”.

Tifozët vazhdonin të ishin prezent nëpër ndeshje, ndërsa Federata e Futbollit të Bjellorusisë, vendosi dezinfektues të duarve dhe po ashtu tifozëve u kontrollohej temperatura para futjes në stadiume.

“Mesatarja jonë stinorin e kaluar ishte pak mbi 2000 shikues dhe u bë më e ulët këtë stinor pas lajmit për virusin. Ne nuk mbyllëm stadiumin për publikun, por u munduam të ulim tifozët larg njëri-tjetrit. Vendosëm edhe gjel anti-bakterial dhe stafe mjekësore që kontrollonin temperaturën e tifozëve”, ka treguar Aleinik.

Ndërkohë, jashtë vendit tifozët e futbollit në mbarë botën nisën të interesoheshin për ligën. Sky Sports News ka transmetuar golat dhe një grup i shokëve në Australi ka lansuar një grup të tifozëve dhe janë takuar virtualisht për të transmetuar ndeshjet.

Pasi shikuan SFC Slutsk duke fituar 3:1 ndaj Slavia Mozyr – në një ndeshje ku u akorduan pesë penallti – ata pëlqyen kampionatin, por u bë e qartë se kishte ndjenja të përziera në mesin e atyre që luanin.

“Kishte mendime të ndryshme. Në atë kohë ishim liga e vetme që po luhej dhe kishte shumë vëmendje nga shtetet tjera dhe mediat. Disa lojtarë, veçanërisht ata nga jashtë, ishin të shqetësuar, por disa lojtarë ishin plotësisht në rregull që të vazhdonin. Ne nuk kishim lojtarë që po refuzonin të luanin apo donin të largoheshin nga klubi, por kishte mendime ndryshe”, ka deklaruar Aleinik.

Virusi ka filluar vetëm tash që të ndikojë në ligën ku ndeshja e të premtes mes FC Minsk dhe Neman Grodnos u pezullua pasi një lojtar shfaqi simptome të COVID-19.

Po ashtu ishte pezulluar ndeshja e kategorisë së dytë mes FK Arsenalit dhe Lokomotiv Gomelit dhe lojtarët e përfshirë do të testohen.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka deklaruar se sporti është anti-virusi më i mirë dhe madje ka thënë se edhe nëse pinë vodka mund të ndihmojë.

Pra, a është ndikuar vendimi i Federatës së Futbollit të Bjellorusisë nga këto deklarata?

“Një gjë është përkthimi e tjetër gjë konteksti. Vërtetë nuk dua të komentoj këtë. Vendimi i federatës është i bazuar në gjitha informatat që marrim nga autoritetet e shëndetësisë. Është e vështirë të japësh një koment të saktë për diçka që ndodh në një shtet tjetër. Kur situata me virusin u bë më keq kufijtë u mbyllën. Secili shtet merr masa ndryshe. Ka çasje ndryshe. Ne kemi një sistem shëndetësor të cilit i besojmë plotësisht dhe bazuar në komunikimin me ta ne kemi marrë vendimin. Kur dikush nga jashtë thotë se është gabim ne kemi ndjenjë më të mirë të asaj që ndodh në Bjellorusi sesa ata që janë nga jashtë”, ka thënë Aleinik.