Bushi i vjetër bëhet vulë në pullat postare amerikane

Periskopi.com Lajme

Shërbimi Postar Amerikan ka vendosur ta nderoj ish-presidentin e ndjerë, George H.W. Bush.

Ata do ta lëshojnë një vulë postar me fytyrën e ish-presidentit. Arti i vulës është pikturuar nga artisti i njohur, Michael J. Deas.

Vula do të filloj të shitet në ditëlindjen e ish-presidentit, me 12 qershor.

Varroset ish-presidenti i SHBA-së, George Bush

Periskopi.com Lajme

Ish- presidenti i SHBA-së, George Bush, është varrosur afër Bibliotekës së tij Presidenciale në College Station, Teksas, pranë varreve të gruas së tij Barbara Bush, e cila vdiq më herët gjatë këtij viti, dhe vajzës së tij e cila kishte ndërruar jetë në fëmijërinë e hershme.

Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara vdiq më 30 nëntor në Teksas, në moshën 94 vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit vaskular.

Presidenti amerikan, Donald Trump, së bashku me të gjithë ish-presidentët e gjallë – Barack Obama, Bill Clinton dhe Jimmy Carter – ndoqën funeralin e shtetit në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit.

Princi i Uellsit, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Mbreti i Jordanit Abdullah II ishin midis figurave të botës të cilët gjithashtu ndoqën funeralin e tij të shtetit.

Bush ia kishte kërkuar votën një kukulle në butik, duke menduar se po fliste me njeri

Periskopi.com Video

Varrimi në të cilin s’keni nevojë të qani, mund të qeshni me lot   

Dafina Demaku Op-Ed

Për më shumë se dy orë e gjysmë në ceremoninë mortore për Bushin plak, duke e shikuar drejtpërdrejt në tv, e kam zënë veten ngapak duke qarë, e më shpesh kam shpërthyer në të qeshura. Ndërkaq ne – shqiptarët-  ceremonitë mortore i kemi të frikshme, ceremonitë mortore i kemi më të frikshme se sa vetë vdekja.

Shprehia për mënyrën se si ngushëllojmë në rast vdekjesh, u vërejt shumë edhe me rastin e fundit, me vdekjen e George H.W. Bush. Është normale që në çdo gjuhë në botë, ekzistojnë rregulla stilistike që përcaktojnë mënyrën se si shpreh ngushëllim, urim, urdhër, përgëzim, etjerë. Ne, shqiptarët, në përgjithësi e kemi togfjalëshin ‘ngushëllime familjes’ që përthekon një gamë të gjërë ngushëllimesh, pavarësisht a po ia shprehim një miku shumë të ngushtë apo familjes më të njohur në Amerikë. Këtë e kemi në të shkruar, sepse në të folur kemi edhe shpreje të tjera me konotacion fetar si: zoti iu lashtë shëndosh, zoti sabrin (durimin), etj.

Sa për ngushëllimet për familjen Bush, ne edhe mund të dërgojmë ngushëllime personalisht secili, por mirë do të ishte edhe të kishim njohuri më tutje, për shembull, pse e admirojmë kaq shumë një Bush.

Të kthehemi te varrimet…

Kanë vdekur shumë figura të njohura në Kosovë, që prej kur kam nisur punën si gazetare dhe më ka rënë t’i përcjell nga fillimi deri n’fund. Ceremonitë mortore i kemi të frikshme, ceremonitë mortore i kemi më të frikshme se sa vetë vdekja. Me një fjalë, në një rast varrimi – nuk është rregull e shkruar – por kuptohemi me gjeste e veprime se na ndalohet të qeshim. Na ndalohet edhe të buzëqeshim.

Pse ndodhë kështu?

Kultura e ceremonive mortore që gjithësecili mund ta kemi parë pak a shumë në rast se na ka vdekur një i afërm, nuk dallon edhe kur vdes një figurë e njohur, e përmasës shtetërore. Fakti që nuk kemi arritur ta kapërcejmë stilin që ngjyroset me fjali që mund ta ketë fillin diku te komunizmi, tregohet në secilin varrim a përvjetor të ndonjë figure të njohur në Kosovë (po edhe në rajonet tjera shqiptare, ndoshta edhe në krejt Ballkanin). Pra që të vdekurin, duhet ta lartësojmë me fjalët (mundësisht) më serioze dhe më të serta që njeh njerëzimi.

A e mbani mend ju ndonjë ceremoni mortore të ndonjë figure të njohur, ku dikush ka evokuar kujtime për të (të vdekurin), përtej asaj që potencialisht mund ta gjesh si informacion edhe në faqen më të lodhur të makinerisë së kërkimit në internet: Wikipedia.

Heronjve tanë: Adem Jasharit, Adem Demaçit, Zahir Pajazitit e pse jo edhe figurave si Ibrahim Rugova e të tjerë, neve shpesh nuk na (lejohen) komunikohen anët tjera të jetës së tyre. Me çka kanë qeshur këta heronj? Kur janë nervozuar me djalin ose vajzën e tyre? Çka ka pasur tek ata përtej botës që na është transmetuar në ceremoni varrimesh e përvjetorësh dhe përtej botës që mund ta gjejmë në ndonjë libër, në ndonjë këngë ose përtej fjalimeve monotone: Kosova përherë do ta kujtojë me pietet.

 

 

 

 

Letra prekëse që Bush ia kishte shkruar nënës së marinarit amerikan (Foto)

Periskopi.com Lajme

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka publikuar në rrjetin social Facebook një letër që ish-presidenti amerikan që ndërroi jetë, George H.W Bush ia kishte shkruar nënës së veteranit të Marinës Amerikane, Bryan McGrath, raporton Periskopi.

Pas vdekjes së Bushit të vjetër, Bryan kishte publikuar letrën që ish-presidenti amerikan ia kishte dërguar nënës së tij, duke i kërkuar falje që nuk i ishte përgjigjur në një letër tjetër që ajo ia kishte shkruar më 1990, kur djali i saj po shërbente në Marinë.

“Presidenti Bush nuk i ishte përgjigjur një letre që nëna ime ia kishte shkruar atij më 1990 dhe kishte mbajtur pak mëri. Pas e zbulova këtë, unë ia dërgova një letër George H.W Bush kur ishte në pensionim – dhe kjo ishte përgjigje e tij. Përkulemi para tij”, ka shkruar Bryan në përshkrimin e letrës që ka publikuar në Twitter.

Në letër shihet se si ish-presidenti amerikan fillimisht e njofton nënën e Braynit për letrën që ky i fundit ia kishte shkruar atij për ta njoftuar për letrën e nënës së tij.

“Ua kam borxh një kërkim falje. Bryan më ka treguar se gjatë Luftës së Gjirit, kur ai po shërbente në marinën amerikane, ju më keni dërguar një letër të cilën unë kurrë nuk e kam pranuar. Pavarësisht kësaj, ju kërkoj falje që s’ju kam falënderuar për letrën. Gjatë asaj kohe ne kemi pranuar me mijëra letra të mrekullueshme, dhe ka qenë e pamundur të përgjigjemi në të gjitha”, shkruan Bush në letër.

“Gjëja më e rëndësishme këtu është që Bryan i ka shërbyer me krenari vendit të tij. Unë kam respekt të pafund për burrat dhe gratë që kanë shërbyer në Ushtrinë tonë, dhe natyrisht që jam krenar me profesionalizimin që ata kanë treguar. Duhet të jesh krenar që ke një djalë si Bryan. Shpresoj se do të më falësh, Zonja McGrath, që nuk u jam përgjigjur më parë. Dua që ta dish që e vlerësoj jashtëzakonisht shumë patriotizmin dhe mbështetjen tuaj”, shkruan Bush tutje në letër.

Ish-presidenti amerikan ka ndërruar jetë në moshën 94 vjeçare, ndërsa sot do të bëhet varrimi i tij në Hjuston, pranë gruas dhe vajzës së tij./PERISKOPI  

Sot i jepet lamtumira e fundit Bushit të vjetër, varroset pranë gruas dhe vajzës

Periskopi.com Lajme

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, do të varroset të enjtën në Hjuston.

Bush do të varroset pranë vajzës së tij që vdiq në fëmijëri, dhe gruas së tij e cila vdiq këtë vit.

Që nga e hëna kanë filluar homazhet për presidentin tashmë të ndjerë.

Arkivoli i Bushit fillimisht u dërgua në kishën në Hjuston, ku familja Bush është lutur çdo herë.

Dje në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit u zhvillua një ceremoni mortore, ku morën pjesë liderë të shumtë botërorë, ndër ta edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Vdekja e Bushit ka prekur shumë persona e vende të botës, ndërsa edhe në Kosovë sot ka qenë ditë zie, në nderim të tij.

Ndryshe, ish-presidenti George H.W Bush ka vdekur para 6 ditëve në moshën 94 në shtëpinë e tij në Hjuston.

Ndizen qirinjtë në nderim të ish-presidentit George HW Bush, në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi dhe shumë qytetarë, sonte ndezën qirinj para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të ish-presidentit amerikan, George H.W. Bush, i cili ndërroi jetë të premtën dhe u varros sot.

Me këtë rast, ministri Bytyqi tha se përveç që sot ka marrë vendim që në të gjitha shkollat e Kosovës ora e parë t’i kushtohet miqësisë mes SHBA-së dhe Kosovës, ndezja e qirinjve në orët e mbrëmjes po bëhet në shenjë rrespekti dhe nderimi për kontributin e presidentit George H.W. Bush.

“Siç jeni të informuar sot, në shenjë rrespekti, përveç që është marrë vendim që ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Kosovës t’i kushtohet miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, po ashtu edhe në orët e mbrëmjes t’i ndezim qirinjtë në shenjë respekti dhe falenderimi të angazhimit të vazhdueshëm që ka pasur ish-presidenti Bush, tash i ndjeri. Konsideroj që ky rrespekt është i nevojshëm, sepse vërtet ka bërë shumë për popullin tonë dhe për Kosovën në vitet kur ishte në pyetje egzistenca e vendit tonë dhe humbja e shpresës. Ishte pikërisht presidenti Bush, tashmë i ndjer, i cili i pari dha një sinjal dhe një shpresë të madhe për popullin tonë, kur edhe vendosi vijat e kuqe”, tha Bytyqi, raporton KP.

George H.W. Bush ishte presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shërbeu gjatë viteteve 1989-1993.

Historia e çorapeve shumëngjyrëshe të George H.W Bush

Periskopi.com Lajme

Ish-presidenti, George H.W. Bush nuk ishte i njohur për sensin e tij të modës derisa ishte në detyrë, por e ndryshoi atë më vonë.

Presidenti i 41-të, i cili vdiq të premten, kishte dëshirë për të veshur çorape interesante gjatë viteve të fundit duke zgjedhur modele të guximshme dhe ngjyra të ndezura për të gjallëruar kostumet e tij.

Që kur filloi të përdorte një karrocë me rrota në vitet e tij të mëvonshme, këmbët e ish-presidentit ishin në qendër të vëmendje në ngjarjet publike.

“Më pëlqejnë çorapët shumëngjyrësh. Unë jam një njeri i çorapeve”, i tha mbesës së tij. Jenna Bush Hager, gjatë një shou në 2012.

Çorapët e tij u bënë një temë e bisedës së vizitorëve të tij, përfshirë ish-presidentin Bill Clinton kur demokrati vizitoi republikanin në qershor.

Bush pati publikuar një foto që tregon se kishte veshur një palë çorape me fytyrën e Clintonit kur pasuesi i tij e vizitoi atë.

“Vizitë speciale sot nga një mik të madh – dhe tani, një autor bestseller. Për fat të mirë unë kisha një palë çorape të pastra me fytyrën e Bill Clinton për të shënuar këtë rast”, shkroi ai.

Dashuria e tij për çorapët çoi edhe në lidhje të tij me disa kompani çorapësh, duke përfshirë edhe me një sipërmarrës që kishte sindromin Doën, i cili hapi kompaninë e tij të çorapëve.

John Cronin, bashkëthemeluesi i kpmanisë të çorapëve “ John’s Crazy”, i dërgoi Bushit një kuti me çorape dhe ish-presidenti veshi një palë të tillë në Ditën e Sindromit Down.

Dhe kjo nuk ishte e vetmja herë kur ish-presidenti i kërkoi Cronin ta veshte me çorape.

Në prill, kur vdiq gruaja e tij Barbara, Bush thuhet se kishte kontaktuar me John Cocking Socks për të parë nëse kishin ndonjë palë çorape që mund t’i vishte në funeralin e saj.

Ai do të vazhdojë traditën e dërgimit të mesazheve me çorapët e tij edhe në udhëtimin e tij të fundit gjithashtu.

Zëdhënësi i Bushit, Jim McGrath, publikoi një fotografi të hënën që tregonte çorapët që Bush do t’i vesh kur të shkojë në amshim, të cilët përmbajnë aeroplanë që fluturojnë në formacion.

“Presidenti i 42-të do të shkojë në amshim i veshur me çorape që i atribuojnë shërbimin e tij duke filluar si një marins 18 vjeçar i luftës. Këtë trashëgimi tani do ta mbartin burra dhe gra trime në bordin @CVN77_GHWB duke kujtuar presidenti e 41-të”, në një postim të tij.

Haradinaj nënshkruhet në Librin e Ngushëllimeve për ish-presidentin Bush

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është nënshkruar në Librin e Ngushëllimeve që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka hapur me rastin e vdekjes së ish presidentit George W.Bush.

Haradinaj ka thënë se presidenti Bush do ta ketë gjithmonë një vend nderi në kujtesën e popullit si dritë shprese për liri dhe demokraci për Kosovën.

Postimi i Haradinajt në Facebook:

Me respekt të madh për një lider, i cili përfaqësonte vlerat më të përsosura të popullit amerikan, sot kam nënshkruar në Librin e Ngushëllimeve, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, me rastin e ndarjes nga jeta të Ish-Presidentit George H.W. Bush. Njëkohësisht, ua përcjella ngushëllimet e mia Qeverisë së ShBA-së, popullit amerikan dhe familjes Bush. Presidenti Bush Senior, do ta ketë gjithmonë një vend nderi në kujtesën e popullit tonë, si dritë shprese për liri dhe demokraci për Kosovën.

Flamuri amerikan në gjysmë shtizë në nderim të ish-presidentit George H.W. Bush

Periskopi.com Lajme

Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka ulur në gjysmë shtizë flamurin amerikan në nderim të jetës e veprës së ish-Presidentit George H.W. Bush.

Në këtë rast, kryetari i shoqatës, Agim Rexhepi tha se do t’i jenë përgjithmonë mirënjohës për kontributin dhe mbështetjen e dhënë ndaj popullit shqiptar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“E kemi ulur në gjysmë shtizë në sheshin “Bill Klinton”, që me këtë veprim duam të tregojmë se ne dimë dhe duam të respektojmë veprimet e miqve tanë e posaçërisht ish-presidenteve dhe presidenteve të SHBA-së. Kemi paraparë që me rastin e vdekjes se një miku të madh dhe një personaliteti ka ndikuar që më vijën e kuqe mos të ndodhin shumë nga veprimet në masakra të shumta që t’i ndodhin popullsisë sonë të pafajshme nga Serbia”, tha ai.

Rexhepi paralajmëroi edhe aktivitet tjera në nderim të ish-Presidentit amerikan.

“E kemi paraparë që të hapet Libri i Zisë qe do të jetë sot edhe nesër në zyrat e shoqatës, si dhe kemi paraparë që të mbajmë disa ligjërata në disa shkolla fillore ose të mesme apo në kolegje të caktuar private”, shtoi kryetari Rexhepi, shkruan kallxo.com

Ai njoftoi se para një muaji në ‘Facebook’ kishte paralajmëruar se kishin përgatitur një palë rroba nacionale kanë planifikuar t’ia dërgojnë ish presidentit tashmë të ndjerë.
George. H.W. Bush, Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka vdekur me 01.12.2018 në moshën 94 vjeçare.

 

 

 

 

Të dua edhe unë ty – Fjalët e fundit që Bushi i Vjetër ia tha Bushit të Ri

Periskopi.com Lajme

Në momentet e fundit të jetës, George H.W. Bush e kishte pranë shokun e tij James A. Baker.

ABC shkruan se Bush i tha atij: Bake, ku do te shkojmë tani? Miku i tij i ngushtë i është përgjigjur: Do të shkojmë në parajsë.

Në ato momente bisede, ka telefonuar George W. Bush ku ka shkëmbyer fjalët e fundit me të atin. Telefonit ia kanë lëshuar zërin që ta dëgjojnë të gjithe dhe sic shkruan ABC, Bushët kanë bërë një bisede të shkurtër.

Bush e ka falënderuar shumë të atin qe ‘ka qenë një baba i mrekullueshëm dhe në fund i ka thënë: të dua shumë’, ka rrëfyar Baker.

‘Të dua edhe unë ty’- ia ka kthyer H.Ë. Bush dhe gjithcka ka përfunduar. /Periskopi/

 

 

 

 

Obama kujton Bushin: Ishe shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë ne

Periskopi.com Lajme

Ish-zonja e parë e SHBA-ve, Michelle Obama ka kujtuar ish-presidentin George Bush, i cili ndërroi sot në moshën 94 vjeçare.

Ajo në një fotografi të publikuar në profilin e saj në Facebook, ka shkruar se ish-presidenti do t’u mungoj të gjithëve.

 

Më poshtë postimi i Obamas:

Si shërbyes, baba dhe gjysh, presidenti George H.W.Bush ishte një shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë ne. Shpirti i tij i shërbimit dhe mirësjelljes do t’i mungoj shumë njerëzve, përfshirë edhe familjen tonë. Shpresoj që kujtimi për të do të jetë dritë udhëzuese për vendin tonë dhe mbarë botën.

Trump shpall 5 dhjetorin ditë zie kombëtare për vdekjen e George H.W. Bush

Periskopi.com Lajme

Presidenti amerikan, Donald Trump, planifikon të marrë pjesë në funeralin në Washington të ish-presidentit George H.W. Bush dhe ka shpallur të mërkurën (5 dhjetor) ditë zie kombëtare në nderim të presidentit të 41-të, ka thënë Shtëpia e Bardhë të hënën.

Edhe përkundër viteve të armiqësisë së thellë mes Trumpit dhe familjes Bush, që përfaqësojnë brende të ndryshme të Republikanizmit, Trumpi lavdëroi trashëgiminë e Bushit si veteran i Luftës së Dytë Botërore dhe shërbyes i përjetshëm publik, raporton “The Washington Post”.

Gjesti pajtues i Trumpit erdhi nga Argjentina, ku po merr pjesë në samitin G20 në Buenos Aires. Ai anuloi një konferencë të planifikuar për media të shtunën pasdite, duke shkruar në Twitter se nuk do të pranojë pyetje nga gazetarët “nga respekti për familjen Bush dhe ish-presidentin George H.W. Bush”. Dhe Trumpi tha se vdekja e Bushit e “çorienton” në darkën e tij të planifikuar me presidentin kinez, Xi Jinping, për t’i vazhduar negociatat tregtare.

Trumpi u njoftua gjatë natës atje [në Argjentinë] për vdekjen e Bushit dhe tha të ketë folur në telefon me djemtë e presidentit të ndjerë, ish-presidentin George W. Bush dhe ish-Guvernatorin e Floridës, Jeb Bush, për t’iu shprehur “bashkëndjesinë më të thellë”.
“Presidenti George H.W. Bush jetoi një jetë të gjatë, të suksesshme dhe të bukur. Kurdo që isha me të, shihja gëzim absolut për jetën dhe krenari të vërtetë me familjen e tij. Arritjet e tij ishin të mëdha nga fillimi në fund. Ishte një njeri vërtet i mrekullueshëm dhe do t’i mungojë të gjithëve”, shkroi Trumpi në Twitter.

Ish-presidenti amerikan, George Herbert Walker Bush, vdiq në shtëpinë e tij në Hjuston, të Teksasit. Ai ishte 94 vjeç

 

Letra të cilën Bush ia kishte shkruar Millosheviqit rreth Kosovës

Periskopi.com Lajme

Në vitin 1992 kur në Ballkan patën nisur luftëra, presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W Bush i cili vdiq sot, i pat shkruar një letër , Sllobodan Millosheviqit, ku e paralajmëronte atë se në rast shkaktohet konflikt në Kosovë nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë të përgatitura ta përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe Serbi.

Ish- presidenti George H. W Bush ish ndër të parët i cili doli në mbështetje të Kosovës dhe kundër politikave agresive të Millosheviqit. George H. W Bush, i njohur si Bushi i vjetër vdiq sot në moshën 94 vjeç.

Ai kishte qenë presidenti i 41- të i Amerikës, ndërmjet viteve 1989- 1993, teksa më parë kishte shërbyer në dy mandatë si zëvendës president i Ronald Regan.

 

George H. W. Bush, arkitekti i ribashkimit të Gjermanisë

Periskopi.com Lajme

Helmut Kohl, kancelari më jetëgjatë gjerman dhe një prej arkitektëve kryesorë të ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1989, e ka cilësuar dikur presidencën e George H. W. Bush si një “goditje fati” për Gjermaninë.

Kuptohet, ishte aftësia diplomatike e ish-presidentit amerikan, i cili vdiq dje në moshën 94-vjeçare, që ndihmoi në rënien e sundimit komunist në Gjermaninë Lindore. Ai ishte gjithashtu lideri i parë që përdori termin “ribashkim”.

Në vitin 1989, gjatë rënies së qeverisë në Gjermaninë Lindore, Bushi kishte krijuar marrëdhënie miqësore me Mikhail Gorbaçov, lideri i tetë dhe i fundit i Bashkimit Sovjetik.

Ai mbështeti ambicien e Kohlit për të bashkuar dy Gjermanitë përballë kundërvënies së fuqishme nga kryeministri francez, Francois Mitterrand dhe ajo britanike, Margaret Thatcher.

Një ditë pas rënies së Murit të Berlinit, Bushi i telefonoi Kohlit për t’i uruar atij fat për ditët dhe muajt në vijim.

Ndonëse ai ndikoi në zhvillimin dhe përhapjen e të drejtave të njeriut, ai nuk pranoi të shpallte “fitore” mbi Luftën e Ftohtë, sepse komente të tilla mund të shkaktonin një reagim të ashpër nga ekstremistët sovjetikë.

Në muajt që vijuan rënien e Murit, Bushi qetësoi Gorbaçovin duke thurur procesin diplomatik që do të mundësonte ribashkimin në vitin 1990.

 

Shikoni se si George H.W Bush shpëtohet nga Marina amerikane pasi avioni i tij u rrëzua nga forcat japoneze

Periskopi.com Lajme

Para presidencës së tij, George HW Bush shërbeu në Marinën e SHBA si një pilot dhe fluturoi mbi misionet e bombardimeve kundër japonezëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Bush mësoi për sulmin japonez në Pearl Harbor si adoleshent, dhe gjashtë muaj më vonë, në ditëlindjen e tij të 18, ai u regjistrua në Rezervën Detare të SHBA. Ai vazhdoi të bëhet një nga aviatorët më të rinj në marinën dhe u caktua një oficer fotografik me një skuadron silur.

Gjatë një sulmi kundër Chichi Jima, një ishull të fortifikuar që forcat japoneze përdorën për komunikime dhe furnizime, avioni i Bushit, një TBM Avenger u godit me zjarr anti-ajror. Dy anëtarët e ekuipazhit të Bushit u vranë në sulm.

Bush u shpëtua përfundimisht nga USS Finback, një nëndetëse.

Pas dorëzimit të Japonisë në vitin 1945, Bush u shkarkua me nder nga detyra aktive dhe vazhdoi të merrte pjesë në Universitetin Yale.

Bush vdiq në 94 , të premten mbrëma. Flamujt e Shtëpisë së Bardhë u ulën në gjysmështizë.

Transportuesi i avionëve USS George HW Bush (CVN 77) u pagëzua për nder të Bushit në vitin 2006.

Bushi do të ketë funeral shtetëror, njofton Shtëpia e Bardhë, tregon nëse do të marrë pjesë Trump

Periskopi.com Lajme

Ish presidenti amerikan që vdiq dje, George H.W. Bush do të nderohet me një funeral shtetëror, ka njëftuar Shtëpia e Bardhë të shtunën, dhe poashtu që presidenti Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump do të marrin pjesë, përcjell në shqip Periskopi.

Trumpi do të flas gjatë ditës me ish presidentin tjetër, birin e të ndjerit, George W. Bush të shtunën për t’i shprehur ngushëllimet.

Presidenti dhe zonja e parë Trump njoftuan për vdekjen e ish presidentit.

Data e funeralit nuk u bë e ditur. /Periskopi

Historia e dashurisë mes Bushit dhe Barbarës që zgjati 73 vite

Periskopi.com Lajme

George H.W. Bush ishte pranë gruas së tij kur ajo u largua nga kjo botë në prill të këtij viti, duke ia mbajtur dorën tërë ditën deri kur ndërroi jetë, në shtëpinë e tyre në Houston. Vetëm tetë muaj më vonë pasi kishte derdhur lotë në varrimin e gruas së tij, ndërroi jetë edhe Presidenti. George dhe Barbara Bush lanë një vepër të pasur jetësore pas vetes, falë kontributit të tyre të gjatë në politikë dhe angazhimit në vepra bamirësie.

Për gati 80 vjet, ata qëndruan pranë njëri-tjetrit, duke e përkrahur njëri-tjetrin në të mirë dhe në të keq dhe duke u përballur me fitore spektakolare, por edhe pikëllime të rënda, qofshin ato në aspektin privat apo politik.

“Ende jam në dashuri me burrin që u martova para 72 vitesh”, kishte thënë Barbara, para se të ndërronte jetë. Këto fjalë të thjeshta shërbejnë si testament i një dashurie të pabesueshme, e cila filloi gjatë një vallëzimi për Krishtlindje në vitin 1941. Më vonë, ata krijuan familje me gjashtë fëmijë dhe 14 nipa e mbesa, duke u bërë familja më e madhe presidenciale, shkruan Express.

Ndonëse ai shihej gjithmonë si njeri i fortë, nuk mundi t’i mbante lotët, përderisa djali i tij e lexonte me zë të lartë njërën nga letrat e dashurisë që ia kishte shkruar dashurisë së jetës së tij. Çifti u martuan më 6 janar 1945, pak kohë pasi George u kthye nga Lufta e Dytë Botërore.

Presidenti Bush ishte shumë i rrezikuar në luftë. Në vitin 1944, aeroplani i tij dhe disa aeroplanë të tjerë ishin rrëzuar nga forcat japoneze, ndërsa George ishte i vetmi pilot që arriti të dilte nga aeroplani dhe t’i shmangej kapjes nga ushtarët japonezë. Në shenjë dashurie, ai i kishte emërtuar tre aeroplanë sipas emrit të të dashurës së tij, Barbara.

Në vitet e fundit të jetës, çifti patën një jetë më të qetë dhe kishin më shumë kohë që ta kalonin së bashku, në shtëpinë e tyre në Teksas. Vitin e kaluar, ata u shtrinë në të njëjtin spital, njëri për shkak të pneumonisë, tjetra për shkak të bronkitit. Barbara kishte thënë se ata luten çdo natë së bashku, por nganjëherë grinden se kush duhet t’ia fillojë me lutje, shkruan “Daily Mail”.

​Veseli: Bush ishte ndër liderët e parë botëror që kuptoi vuajtjet e popullit të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë në ngushëllimin për vdekjen e Presidentit George H. W. Bush, se ai ishte një nga zërat e parë të lidershipit botëror që kuptoi vuajtjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Mbështetja që ai i ka dhënë kauzës sonë të shenjtë për liri, ishte një mesazh i qartë anekënd botës. Kjo do të mbetet përherë në kujtesën tonë dhe do të na shërbejë që ta forcojmë edhe më tej miqësinë me Shtetet e Bashkura të Amerikës. Ngushëllime të përzemërta për familjen dhe popullin amerikan. Zoti e bekoftë këtë misionar të paqes dhe demokracisë!”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Clinton: Bushi ishte një rival që m’u bë shok

Periskopi.com Lajme

Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, dhe ish-sekreatarja e shtetit, Hillary Clinton, e kanë publikuar një deklaratë për vdekjen e ish-presidentit George H.W. Bush, i cili vdiq të premten në moshën 94-vjeçare. Clintoni e kishte mposhtur Bushin në zgjedhjet presidenciale të vitit 1992, ndërsa pas tyre ata u bënë miq të mirë.

Më poshtë mund ta lexoni deklaratën e plotë të familjes Clinton:

Hillary dhe unë e vajtojmë vdekjen e Presidentit George H.W. Bush dhe e falenderojmë për punën, dashurinë dhe miqësinë e tij në jetën e tij të gjatë e të mrekullueshme.

Unë do të jem gjithmonë mirënjohës për miqësinë që e krijuam. Që nga çasti që e takova si guvernator i ri, i ftuar në shtëpinë e tij, isha i mahnitur me mirësjelljen e tij ndaj vazjës sime, Chelsea, dhe me përkushtimin e tij ndaj Barbaras, fëmijëve dhe tërë familjes së tij.

Shumë pak amerikanë kanë qenë të aftë për t’u krahasuar me shërbimin që ia ka bërë ai Shteteve të Bashkuara dhe kënaqësinë që ndiente ai nga kjo punë, përfshirë shërbimin ushtarak në Luftën e Dytë Botërore, punën e tij në Kongres, në Kombet e Bashkuara, në Kinë, në CIA, si Zëvendëspresident dhe si President, drejt arritjes së unitetit, paqes dhe lirisë,  në një botë që sapo kishte dalur nga Lufta e Ftohtë.

Ai kurrë nuk u ndal së shërbyeri. E kam parë këtë për së afërmi, pasi kemi punuar bashkë në Azi dhe këtu pas uraganit Katrina. Libershipi i dalluar dhe zemra e tij e madhe ishin gjithmonë në pah.

Jam thellësisht mirënjohës për çdo minutë që e kam kaluar me Presidentin Bush dhe gjithmonë do ta ruaj miqësinë me të si njërën nga dhuratat më të mëdha që m’i ka dhënë jeta.

Zemrat dhe lutjet tona janë për tërë familjen Bush, thuhet në letrën e ngushëllimit, shkruan “Huffington Post.