175 fëmijë të pastrehë në Kosovë: Prishtina iu bën zgjidhje vetëm njërit nga shtatë prej tyre

Periskopi.com Lajme

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me përfaqësuesit e organizatës “Terre des hommes (Tdh)” sot kanë përuruar Qendrën për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge.

Përmes kësaj qendre synohet të ulen rreziqet dhe abuzimet që u kanosen kësaj kategorie të fëmijëve.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tha se përmes kësaj qendre po ofrohet mundësia që fëmijët e margjinalizuar t’i realizojnë ëndrrat e tyre.

Ai tha se Qendra për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge aktualisht ka kapacitet për 25 fëmijë në qëndrim ditor, por që shprehu gatishmërinë për zgjerimin e kapaciteteve varësisht nga kërkesat.

Kjo i bie që një në shtatë fëmijë të pastrehë, do të kenë mundësinë të trajtohen në këtë qendër, pasi një regjistrimi bërë vitin e kaluar për fëmijët në rrugë janë identifikuar 175 fëmijë në situatë rruge.

Drejtoresha e “Terre des hommes (Tdh)” në Kosovë, Florina Sefaj tha se kjo qendër synon t’i ndihmojë fëmijët në situatë rruge duke u munduar që t’i parandalojë rreziqet me të cilat fëmijët ballafaqohen gjatë qëndrimit në rrugë.

Sefaj tha se kjo qendër i plotëson kushtet e nevojshme, derisa theksoi se në bazë të një regjistrimi të bërë vitin e kaluar për fëmijët në rrugë janë identifikuar 175 fëmijë në situatë rruge.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë,  Jean-Hubert Lebet teksa u shpreh i lumtur që edhe në Kosovë tashmë ka një qendër të tillë, shprehu gatishmërinë e shtetit zviceran  për vazhdimin e bashkëpunimit.

Në këtë përurim të qendrës ditore për fëmijët me situatë rruge disa nga fëmijët që janë pjesë e qendrës përmes një performance bënë thirrje që fëmijët të mos punojnë.