Jahjaga: E irrituar me sulmin ndaj gruas rome, racizmi e dhuna s’kanë vend në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një publikim në rrjetin social “Facebook” ka reaguar për sulmin ndaj gruas rome – raporton Periskopi.

Ajo ka thënë se është e irrituar me video incizimet mbi sulmin ndaj gruas rome dhe është e brengosur për vlerat e shoqërisë sonë.

Ajo tutje ka shkruar se racizmi dhe dhuna nuk kanë vend në Kosovë.

Postimi i plotë i Jahjagës:

Për herë të dytë brenda vetëm një jave në Kosovë, një vendi që mëton të respektojë të drejtat e njeriut si vlerë të demokracisë dhe të fuqizojë sundimin e ligjit, ne pamë një sulm të tmerrshëm e tejet jonjerëzor ndaj një gruaje rome.

Jam e irrituar me video incizimet mbi sulmin ndaj kësaj gruaje dhe jam e thellësisht e brengosur për vlerat e shoqërisë sonë. Mbi të gjitha jam e shqetësuar mbi sigurinë e individit në këtë shoqëri. Lërë që ne si shoqëri po dështojmë ta mbrojmë këtë grua, por edhe si shtet nuk po arrijmë t’ia ofrojmë mbrojtjen dhe sigurinë që garantohet me ligj!

Racizmi e dhuna nuk kanë vend në Kosovë!

Empatinë duhet ta kultivojmë më shumë në shoqërinë tonë, ndërsa dhunën ta ndëshkojmë ashpër!

Hoxhaj: Sulm qyqar ndaj gruas rome, ofroni ndihmë asaj

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar për sulmin e dyfishtë ndaj gruas rome – raporton Periskopi.

Hoxhaj ka shkruar se është i trishtuar nga ky sulm i dyfishtë e qyqar.

“I trishtuar nga sulmi i dyfishtë e qyqar ndaj gruas së komunitetit rom të vendit tonë. Kosova është shtet multi-etnik. Është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe sulme të tilla janë të patolerueshme. Prandaj u bëj thirrje organeve të drejtësisë që fajtorët të përballen me ligjin dhe zonjës t’i ofrohet ndihma e nevojshme”, ka shkruar Hoxhaj./PERISKOPI

Ahmeti për sulmin ndaj gruas rome: Turp për shtetin, reagoni kur fëmijët tuaj shprehin ksenofobi

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar për sulmin që i është bërë gruas rome në Ferizaj gjatë ditës së sotme – raporton Periskopi.

Ahmeti ka thënë se çfarë mund të bëhet në këtë shtet, nëse dikush sulmohet e shtetit thotë se po e merr në mbrojtje, e ai sërish sulmohet.

Ai ka thënë se duhet kërkuar përgjegjësi prej shtetit, MPB’së, Policisë, e të gjithë atyre që kanë pasur përgjegjësi për ta mbrojtur atë.

Reagimi i Ahmetit në Facebook:

Gruaja rome sulmohet prapë në Ferizaj

Kur dikush sulmohet njëherë, e sulmi paralajmërohet prapë, e shteti deklarohet që po e merr në mbrojtje e pas një dite ai person sulmohet prapë brutalisht, çka me ba me këtë shtet?

Perveç turpit të përgjithshem që duhet ta kemi të gjithë, tani duhet të kërkojmë përgjegjësi prej shtetit, prej Ministrisë së Punëve të Brendshme, prej policisë e deri tek të gjitha ata që kanë pas përgjegjësi për ta mbrojtur qytetaren.

E të gjithë neve që jemi prind, ta përkujtojmë të reagojmë sa herë që e dëgjojmë fëmijët tonë kur shprehin ksenofobi, kur kanë paragjykime, kur përdorin fjalë fyese. Tolerimi i paragjykimeve e ksenofobisë sjellë mentalitete të turmes dhe sulme të tilla.

Policia identifikon 17 vjeçarin që sulmoi gruan rome, e liron me procedurë të rregullt

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës në një komunikatë për media ka bërë të ditur se e ka identifikuar dhe shoqëruar për në stacionin policor personin i cili dyshohet se ka sulmuar gruan rome në Lipjan – raporton Periskopi.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se personi i dyshuar pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

“Si rezultat i hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet dhe njëherit të shoqërohet në stacion policor, personi i dyshuar mashkull/kosovar, viti i lindjes (2002) i cili ka qenë i përfshirë në këtë rast. Personi i dyshuar pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar është liruar në procedurë të rregullt, përderisa Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saj policore me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla krijimit të lirisë së lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët pa dallime”, thuhet në një njoftim për media të Policisë.

Gruaja rome, për të cilën fillimisht ishte raportuar se po rrëmben fëmijë, ishte sulmuar dje në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan nga disa të mitur.

“Njësiti patrullues menjëherë ka ndërmarrë veprimet policore në terren për të parandaluar rastin e sulmit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes ka takuar viktimën e cila dyshohet se ka qenë cak i sulmit nga disa persona të moshës së mitur. Zyrtarët policorë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin, duke përfshirë identifikimin e viktimës f/rome/kosovare, viti i lindjes (1990) nga Podujeva, e cila nuk komunikonte në gjuhën shqipe”, thuhet tutje në njoftim të Policisë. /PERISKOPI

 

 

KMDLNj për sulmin ndaj gruas rome: Shqetësuese se si kalimtarët e rastet nuk reaguan

Periskopi.com Lajme

KMDLNj ka reaguar pas sulmit ndaj qytetares rome që sipas tyre pa asnjë arsye dhe pa asnjë faj iu nënshtrua një degradimi dhe linçimi publik me ç’rast, në Lipjan iu rrezikua jeta nga një grup huliganësh që, përveç se e fyenin në baza racore, e gjuanin me gurë duke ia rrezikuar jetën.

Për KMDLNj-në është befasuese dhe shqetësuese pse kalimtarët e rastit, qytetarët e Lipjanit nuk reaguan kundër këtyre sjelljeve huligane duke u bërë kështu pjesë pasive e një linçimi publik në baza raciste.

“Liria e lëvizjes është e garantuar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe këto liri mund t’i kufizojë vetëm ligji e që në rastin konkret ishte e kundërta; ligji nuk e mori në mbrojtje një qytetare të pafajshme që u rrezikua nga një grup huliganësh”, thuhet në deklaratë.

KMDLNj e dënon ashpër këtë dhunim të drejtave të njeriut, të lirisë së lëvizjes dhe të drejtës për jetë të një qytetareje të pafajshme e cila me asgjë nuk e ka provokuar mllefin dhe dhunën ndaj saj.

KMDLNj kërkon nga organet e hetuesisë që ky rast të trajtohet me urgjencë dhe të gjithë ata që janë përgjegjës të nxirren para organeve të drejtësisë.

Policia nis hetimet për sulmin ndaj gruas rome

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës po e heton rastin e sulmit ndaj gruas rome, që ndodhi sot pasdite në Lipjan.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Z. S. u sulmua nga një grup fëmijësh pasi që gjatë ditës në rrjete sociale u përhapën dezinformata, se ajo rrëmbente fëmijë.

Lexo edhe

A janë vetëm mediat fajtore për romen e sulmuar sot në Lipjan?

Më herët gjatë ditës, Policia kishte konfirmuar se personi në fjalë nuk dyshohej për asnjë vepër kriminale.

E riatdhesuar nga Belgjika, gruaja rome ishte parë brenda pak kohësh në disa qytete të Kosovës, dhe ishte fotografuar e tallur nga të rinj në grupe të ndryshme online.

 

A janë vetëm mediat fajtore për romen e sulmuar sot në Lipjan?

Periskopi.com Lajme

Duke ndjerë keqardhje për atë që i ka ndodhur një qytetareje në vendin tonë, për hir të sulmeve që po u bëhen tash edhe mediave, puna është kështu:

Rrugës për në punë sot taksisti ia lëshoi zërin në radio një lajmi, ku moderatorja tregonte se si ‘disa meshkuj të veshur si femra po shiheshin nëpër disa rajone dhe cak i tyre ishte grabitja e fëmijëve’.

Sapo arrita në zyrë, pak pas orës 9 të mëngjesit, provova të kontaktoja me disa zyrtarë (zëdhënës) të policisë. Asnjë nuk ishte i qasshëm. Komunikuam me grupin / stafin dhe i thamë njëri – tjetrit që kushdo që mund ta konfirmojë nëse është e vërtetë kjo ose jo, ta lajmërojë tjetrin.

Dhe kështu, kaluan më shumë se dy orë e informacioni jonë mbetej i pakonfirmuar.

Është e natyrshme të ndjesh frikë kur dëgjon lajme të tilla (të rreme, të parreme, të verifikuara, të paverifikuara) sepse nuk jetojmë në një sistem edhe fort efikas të ‘thirrjeve’. Kujtojeni këtu për shembull pse është protestuar me sloganin: Edhe sa thirrje të humbura. Sepse janë humbur jetë edhe shkaku i thirrjeve që s’kanë marrë përgjigje nga organet e sigurisë.

Prandaj, kur ndodh një gjë e tillë, kur një foto e një qytetari postohet në rrjetet sociale, që kanë numër të konsiderueshëm ndjekësish (si p.sh në Instagram, e edhe në portale me numër të madh ndjekësish në Facebook) me dyshime të atilla, organet e sigurisë do të duhej të reagonin menjëherë me ndonjë sqarim.

Pothuajse të gjitha portalet, e publikuan këtë lajm dhe natyrisht se kanë/kemi përgjegjësi për informacionin e pakonfirmuar, por Policia e Kosovës do të duhej të mos lejonte thirrje të humbura.

Periskopi e ka publikuar këtë lajm por pas afro 15 minutash, e kemi hequr për shkak të dyshimeve dhe për shkak të pamundësisë së komunikimit me Policinë. Më vonë, lajmin e kemi publikuar që ‘nuk është e vërtetë ajo që raportohej për këtë qytetare’. Pasi kemi marrë konfirmimin e Policisë, pas më shumë se dy orë tentative për një përgjigje.

Dafina Demaku

Kryeredaktore e Periskopit

Çitaku reagon për sulmin ndaj gruas rome: Turp dhe marrëzi

Periskopi.com Lajme

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka reaguar për sulmin që iu bë një qytetareje të Kosovës, e përkatësisë rome, nga disa të rinj në Lipjan – raporton Periskopi.

Çitakua ka shkruar se sulmi është kryer me pretekstin e disa pohimeve të paverifikuara.

Këtë që ka ndodhur, ajo e ka quajtur ‘turp dhe marrëzi’.

“Një qytetare e Kosovës, e përkatësisë rome, u sulmua nga disa të rinjë në pikë të ditës. Pretekst ishin disa pohime të paverifikuara të cilat u raportuan në disa mediume të Kosovës. Turp dhe marrëzi”, ka shkruar Çitaku.

Para pak çastesh nëpër media qarkulloi një video në të cilën shihej sulmi ndaj saj.

Një fotografi dhe një video e kësaj gruaje u publikua në disa media, dhe u tha për të se po kidnapon fëmijë që sheh vetëm në rrugë.

Por, një gjë të tillë e demantoi edhe Policia për Periskopin.

Policia e Kosovës njofton se nuk janë të vërteta infirmacionet për personin për të cilin është raportuar se është grabitës fëmijësh.

‘Policia e ka identifikuar personin ne fjale dhe i perket komunitetit rom, dhe deri tani nuk ka asnjë raport zyrtar për përfshirje në ndonjë rast. Po ashtu nuk ka asnje viktimë të paraqitjes së ndonjë rasti për zhdukjen e ndonjë fëmije ku personi i apostrofuar është personi i dyahuar.

“Policia e Kosovës e ka ndaluar atë edhe më datën 23 të këtij muaji, por nuk kishe hasur në diçka të dyshimtë te ky person.Po ashtu edhe sot eshte ndaluar në Fushë Kosovës nga policia, por prapë nuk u pa se kishte rrezik nga ajo,” ka thënë Baki Kelani për Periskopin./PERISKOPI