Kosova, vendi më i papastër në Evropë, do të udhëheq fushatën botërore të pastrimit këtë vit

Periskopi.com Lajme

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot është takuar me udhëheqësen e rrjetit Let’s Do It World, Heidi Solba dhe anëtaren e Bordit, Anneli Ohvril.

Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi tregoi se në vitin 2019, Kosova do të udhëheqë dhe koordinojë fushatën botërore të pastrimit, ku do të japë mesazh ndërkombëtar për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit nga mbeturinat.

“Ky do të jetë shembulli më i mirë për shkak se me 21 shtator, kur do të organizohet Dita Botërore e Pastrimit, ne do të dërgojmë mesazhe nga ky vend. Kjo është një mundësi e mirë për të promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Por deri më 21 shtator ne kemi shumë punë për të bërë”, tha ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, tha se gjatë këtij viti, Kosova do t’i jap fund çështjes së mbeturinave përmes investimeve dhe zbatimit të ligjit.

Kemi një memorandum me Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in për ndarjen e 7 milionë euro për grumbullim të mbeturinave nëpër komuna. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë me zbatimin e udhëzimit administrativ për gjoba mandatore”, tha Matoshi.

Ndërsa udhëheqësja e Rrjetit të “Let’s Do It World”, Heidi Solba, ka lavdëruar institucionet e Kosovës për punën e bërë me projektin “Ta pastrojmë Kosovën”.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe drejtuesi i organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj i cili vlerësoi të suksesshëm fushatën për pastrimin e mjedisit.

Organizata Let`s Do It World me seli në Tallinn të Estonisë, si anëtar i akredituar në Programin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP), në dhjetor të vitit 2018, nga 158 shtete ka përzgjedhur Kosovën si fitues të çmimit për fushatën e pastrimit të tokës. /Periskopi