Banorët e Karaçevës i ‘viziton’ xhandarmëria serbe

Periskopi.com Video

E rëndë: Djali gjen nënën e mbytur në pusin e fshatit afër kufirit me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Më 24 dhjetor të këtij viti, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Karaçevë e Epërme të Kamenicës.

Sipas raportimeve, një grua e moshës 57-vjeçare është gjetur nga djali i saj pa shenja jete në pusin e këtij fshati.

Shaban Azizi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit ka thënë se akoma nuk dihet nëse është vetëvrasje apo jo mirëpo, sipas tij, dyshohet për vetëvrasje.

“Dyshohet se është vetëvrasje, raporti i obduksionit akoma nuk është kthyer. Ne jemi në hetim të rastit derisa prokurori thotë që të mbyllet ky rast ose nëse raporti i obduksionit thotë se ka vdekur si pasojë e ngufatjes së ujit, faktikisht ajo i bie vetëvrasje dhe mbyllet ai rast”, ka thënë Azizi për lajmin

Tutje ai ka thënë se hetimet i vështirëson edhe territori për shkak se sipas tij, vendi ku ka ndodhur ngjarja është shumë afër kufirit me Serbinë dhe Policia e Kosovës në këtë pjesë e ka të vështirë të patrullojë.

Sido që të jetë, Azizi ka thënë se Policia do ta hetojë deri në fund këtë rast pasi që kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në territorin e Kosovës.

 

Banorët e Karaçevës të shqetësuar për tokat e tyre në kufi me Serbinë

Periskopi.com Lajme

Ditëve të fundit është riaktualizuar problemi i vijës kufitare me Serbinë në fshatin Karaçevë, megjithatë ky pritet të jetë vetëm një nga rreth 200 kontestet kufitare që do t’i ketë Kosova me fqinjin verior gjatë demarkimit të kufirit. Madje sipas deputetëve, vetëm në këtë fshat janë paraqitur rreth 170 pronarë të cilët ankohen për fatin e pronave të tyre

Vendosja e një tabele kufitare nga ana e KFOR-it në fshatin Karaçevë të Kamenicës ka shqetësuar banorët e këtij fshati, megjithëse KFOR-i ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për lëvizje të kufirit, porse vetëm ka zëvendësuar tabelën e vjetër, shkruan Zeri.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës të dielën kanë vizituar Karaçevën dhe thonë se 170 deri në 180 pronarë kanë shprehur shqetësimit e tyre për fatin që do t’i kenë tokat e tyre pas demarkimit të kufirit me Serbinë që pritet të ndodhë pas arritjes së marrëveshjes finale Kosovë – Serbi, shkruan më tutje “Zëri”.

Megjithatë kontesti kufitar në Karaçevë pritet të jetë vetëm një nga rreth 200 kontestet kufitare që do të jenë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pavarësisht kësaj, nga Komisioni Qeveritar për Mirëmbajtjen dhe për Shënimin e Kufirit kanë thënë për gazetën “Zëri” se ata e kanë studiuar mirë vijën kufitare me Serbinë dhe janë përgatitur mirë për këtë çështje.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës ka folur rreth problemeve që pritet t’i ketë Kosova më Serbinë gjatë demarkimit të kufirit.

 

KFOR-i s’ia ka dorëzuar Policisë menaxhimin e pikës kufitare në Karaçevë, s’e lë as t’i bie andej

Periskopi.com Lajme

Pavarësisht deklarimeve të KFOR-it se nuk ka përgjegjësi në çështjet që lidhen me kufijtë e Kosovës, ai vazhdon të mbikëqyrë vijën kufitare me Serbinë në fshatin Karaçevë.

KFOR-i nuk ia ka dorëzuar mandatin Policisë së Kosovës për të mbikëqyrur këtë pjesë të kufirit, ashtu sikurse ia ka dorëzuar në vijat tjera kufitare.

Derisa, që nga viti 2014, Policia e ka të ndaluar nga KFOR-i edhe shfrytëzimin e rrugës “By Pass”, e cila e mundëson qarkullimin në fshatrat e kësaj zone.

Policia e Kosovës i ka kërkuar KFOR-it lejimin e shfrytëzimit të kësaj rruge, por deri tash nuk marrë ndonjë përgjigje.

“Mbikëqyrja e vijës kufitare me Serbinë, te fshatrat Karaçevë e Poshtme, Karaçevë e Epërme dhe lagja Behovitet është e pamundur të realizohet nga ana e Policisë së Kosovës, për shkak të urdhëresës së KFOR-it të datës 12 maj 2014, me të cilën ndalohet shfrytëzimi i rrugës “By Pass”, rrugë e vetme e cila ia ka mundësuar policisë të ketë qasje në këto fshatra. Policia e Kosovës ka pasur disa takime me KFOR-in, ku është kërkuar lejimi i shfrytëzimit të rrugës për të mbikëqyrur këtë pjesë të kufirit, por deri tani nuk ka marrë përgjigje. Përkundër kësaj, Policia e Kosovës është prezente edhe në kufirin me Serbinë dhe mbikëqyr këtë pjesë të kufirit në bashkëveprim me KFOR –in”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

KFOR-i, nga ana tjetër, thotë se ndalesa e tillë nuk lidhet me problemet mes shtetit kosovar e atij serb.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë për KTV-në se janë duke punuar në koordinim të plotë me institucionet që të përfshijnë edhe Policinë e Kosovës në Karaçevë.

“Marrëveshjet aktuale me Forcat e Armatosura Serbe i referohen Vijës Kufitare Administrative, që është një vijë referuese e krijuar vetëm për qëllime ushtarake dhe nuk ka të bëjë asgjë me çështjet që lidhen me problemet e demarkacionit të kufirit apo me dy qeveritë. KFOR-i nuk ka përgjegjësi në çështjet që lidhen me kufijtë apo pretendimet rreth tyre”, ka thënë Vincenzo Grasso, nga KFOR-i.

Ndërkohë, Kosova ende nuk e ka bërë shënjimin e kufirit me Serbinë.

Zyrtarët institucionalë kanë thënë se Kosova është e gatshme për shënimin e vijës kufitare edhe me shtetin serb.

Banorët e Karaçevës të irrituar, largojnë tabelën e KFOR-it

Periskopi.com Lajme

Banorët e fshatit Karaçevë kanë larguar tabelën e fundit e vendosur afër territorit me Serbinë, raporton KTV.

Ata, zyrtarëve të KFOR-it, i kanë shprehur dyshimet se kjo zonë mund të mbetet pjesë e Serbisë gjatë një takimi që kanë pasur edhe me kryetarin e Komunës së Kamenicës.

KFOR kërkoi që takimi të jetë pa praninë e mediave dhe vetëm me përfaqësues të banorëve.

Pas takimit komandanti i KFOR-it tha se u bëri të qartë banorëve se nuk kanë arsye për shqetësim, meqë sipas tij tabelat janë vendosur si njoftim vetëm për personelin e KFOR-it dhe të UNMIK-ut, dhe jo për qytetarët e Kosovës.

Kosova ende nuk e ka bërë shënjimin e kufirit me Serbinë. Zyrtarët institucionalë kanë thënë se Kosova është e gatshme për shënimin e vijës kufitare edhe me shtetin serb.

Banorët e Karaçevës u alarmuan se u mbetën tokat në anën e Serbisë, KFOR-i flet për tabelat e vendosura

Periskopi.com Lajme

Zyrtarët e KFOR-it kanë sqaruar se me vendosjen e tabelave ditë më parë në fshatin Karaçevë të Kamenicës vetëm e kanë paralajmëruar personelin e tyre dhe të UNMIK-ut për distancën e vijës administrative dhe kufitare, në mënyrë që t’i shmangen shkeljes së marrëveshjes me forcat e armatosura serbe dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me banorët e zonës, shkruan sot gazeta “Zëri”. 

Banorët e fshatit Karaçevë, kishin thënë se te vendi i quajtur “Uji i Çeshmes”, KFOR-i ka vendosur tabelat për shënjimin e kufirit të përkohshëm të Kosovës, veprim ky që ka shqetësuar ata pasi me tabelën e vendosur tokat e tyre kanë mbetur në anën e Serbisë e jo në Kosovë, siç kanë qenë gjithherë.

“Ky veprim i KFOR-it ka shqetësuar banorët”, kishte deklaruar Selver Lenjani, kryetar i Bashkësisë Lokale në Karaçevë.

“Vija administrative kufitare dhe shenjat nuk ndikojnë në jetën dhe në aktivitetet e qytetarëve në Kosovë. Vija administrative kufitare nuk është një vijë kufitare, por është një linjë referimi për të përcaktuar se ku KFOR-i, UNMIK-u dhe forcat e armatosura serbe mund t’i kryejnë misionet e tyre”, kanë thënë për “Zërin” zyrtarët e zyrës për informim të KFOR-it.

“Kufiri i ri” në Karaçevë, mobilizohen banorët e Kamenicës

Periskopi.com Lajme

Të shqetësuar me vendosjen e tabelave nga KFOR-i në fshatin Karaçevë në kufi me Serbinë, banorët e kësaj ane të hënën vendosën t’i drejtohen Komunës së Kamenicës.

Banorët janë takuar edhe me zyrtarë të KFOR-it për të marrë sqarime se pse janë vendosur tri tabela në fshatin e tyre që paralajmërojnë fundin e territorit të Kosovës, raporton KTV.

Por, komandanti i KFOR-it, përgjegjës për këtë rajon, ka deklaruar se banorët nuk kanë nevoje të shqetësohen, meqë sipas tij, asgjë nuk ka ndryshuar.

“Tabelat kanë qenë gjithmonë aty, ne vetëm i kemi ndërruar, nuk ka ndryshuar asgjë nga këndvështrimi ynë dhe nuk ka nevojë për shqetësime, banorët nuk kanë nevojë të ndihen të pasigurt”, ka thënë Daniele Bajata nga KFOR-i.

Kryetari i Kamenicës, në anën tjetër, thotë se nuk kanë qenë të njoftuar për një veprim të tillë dhe paralajmërojnë një takim tjetër bashkë më banorët dhe përfaqësuesit e KFOR-it, për të kuptuar arsyen e vendosjes së këtyre tabelave.

Me gjithë deklarimet e KFOR-it se tabelat kanë qenë gjithnjë aty, tabela të ngjashme ishin larguar në vitin 2010 nga banorët, të cilët që nga përfundimi i luftës disa herë kanë alarmuar për futjen e xhandarmërisë serbe në këtë zonë.

E derisa Kosova ende nuk e ka bërë shënjimin e kufirit me Serbinë, qeveria në një përgjigje me shkrim ka thënë për KTV-në se çdo veprim i KFOR-it deri më sot është bërë në koordinim me mekanizmat e qeverisë dhe mekanizma të tjerë relevantë institucionalë.

“Mekanizmat e sigurisë bashkëpunojnë me KFOR-in në mënyrë të vazhdueshme kur është në pyetje siguria e qytetarëve”, ka thënë zëdhënësja Donjeta Gashi.

KFOR-i nuk e ka mandatin për caktimin e kufirit të Kosovës, ai ekziston para ardhjes së tij

Periskopi.com Lajme

Demarkacioni Kosovë – Serbi, pritet të jetë kushti i radhës që BE-ja do t’ua shtrojë dy vendeve për në proceset integruese.

Ditë më parë u raportua se KFOR-i vendosi kufirin Kosovë – Serbi në Karaçevë të Kamenicës, ndonëse u kundërshtua nga banorët.

Koha.net ka kontaktuar me kryetarin e Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit të Kosovës, Shpejtim Bulliqin, politologun Belul Beqaj, Avni Arifin nga Qeveria e Kosovës dhe me kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastratin. Të gjithë këta kanë dhënë vlerësimet e veta rreth kësaj çështjeje. Në ndërkohë, portali i është drejtuar edhe KFOR-it që të komentojë raportimet rreth zhvendosjes së kufirit mes Serbisë e Kosovës në Karaçevë. Ata kanë thënë se do të kthejnë përgjigje sa më parë të munden, ndërsa është ende në pritje të përgjigjeve të tyre.

Për vendosjen e kufirit në Karaçevë të Kamenicës, kryetari i kësaj Komune, Qëndron Kastrati, tha se ka qenë një veprim shqetësues për të gjithë banorët, madje edhe vetë komunën, pasi, siç tha ai, ka ndodhur pa dijeninë e tyre dhe pa paralajmërim.

“Nesër e kemi një takim me KFOR-in për këtë çështje. Besoj nesër do të jemi edhe më të qartë me qëndrimet tona”, tha Kastrati.

Politologu Belul Beqaj sqaroi se vendosja e tabelave të KFOR-it ndërlidhet me çështjen e ndarjes territoriale, pavarësisht se nuk është apostrofuar publikisht gjatë bisedave të deritanishme.

“Për shkak të injorancës dhe mosdijes kosovare, ka qenë vazhdimisht e pranishme në mendjen dhe kalkulimet e pushtetit serb, por kjo është çështje e njohur nga strategët ushtarakë të NATO-s. Karaçeva do të jetë një nga çështjet e hapura, të cilat do t’i asociojnë qytetarët në Kullë dhe Çakorr….e cila do të përfundojë sipas vlerësimit strategjik të NATO-s”, thotë Beqaj.

Ai thotë se në rast se demarkacioni Kosovë – Serbi nuk politizohet, atëherë është çështje e lehtë për t’u zgjidhur.

“Mendoj se zgjidhja e demarkacionit me Serbinë megjithatë është e thjeshtë, nëse nuk politizohet. Problemi disavjeçar i demarkacionit me Malin e Zi është një shembull shumë i keq që mund të shfrytëzohet si model ogurzi për zgjidhjen edhe të këtij kufiri. Po shpresojmë se lidershipi politik ka nxjerrë ndonjë përvojë pozitive nga odiseja me Malin e Zi”, tha Beqaj për Koha.net.

Ngjashëm mendojnë edhe nga Qeveria e Kosovës. Avni Arifi, shef i negociatave me Serbinë, në një përgjigje për portalin Koha.net, thotë se pret që kjo çështje të zgjidhet dhe mos të ndodhin problemet e mëparshme.

“Dihet se çështja e demarkacionit duhet të zgjidhet para se Kosova dhe Serbia të hyjnë në BE. Kosova nuk dëshiron të eksportojë problem në BE, e as BE-ja të importojë probleme nga Kosova”, tha ai.

Arifi tha se kjo është çështje që e pret Kosovën të ballafaqohet në një të ardhme të afërt. “Por Kosova kuptohet se s’duhet të bëjë gabime si ato të mëparshmet”.

Se a do të sjellë çështja e demarkacionit me Serbinë probleme në vend, Arifi thotë se s’do të duhej të ndodhte.

“Kjo nuk do të duhej të ndodhte, sepse gjithçka tani është e qartë. Megjithatë, u takon ekspertëve të flasin për këtë çështje më shumë.Kufijtë dihet se janë përcaktuar. Unë mendoj se është e çuditshme se s’i ka ndodhur në të kaluarën problemi i demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, por besoj dhe uroj që ta tejkalojmë edhe këtë çështje”, tha Arifi për Koha.net.

Politologu Beqaj, thotë se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative, nënkupton edhe zgjidhjen e çështjes së demarkacionit me Serbinë.

“Demarkacioni me Serbinë do të jetë edhe më i vështirë se ai me Malin e Zi, për shkak të së kaluarës jo shumë të largët, edhe më shumë për shkak të banorëve etnikë përgjatë brezit kufitar, veçmas nëse përdoret si instrument për të mbetur apo për të ardhur në pushtet”, tha tutje Beqaj.

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, tha për Koha.net se çështja e demarkacionit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet.

“Rreth vënies së “demarkimit” si kusht i mundshëm nga BE-ja, nuk kam çka të them, pasi nuk jam në dijeni se çfarë kushti do të mund të jetë. Një gjë është dëshmuar, BE-ja Kosovës padrejtësisht i ka vënë kushte vazhdimisht, ndërsa për të tjerat shtete ka shikuar përmes gishtërinjve. S a duhet të definohet apo përmbyllet çështja e kufirit me Serbinë, përgjigjja do të ishte po. Patjetër kjo çështje duhet të përmbyllet kurdo që ka vullnet dhe mundësi. Besoj se kushtëzimet do të duhej të vlenin për Serbinë, pasi që Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj saj, ndërsa sa u përket proceseve integruese, Kosova edhe ashtu është e diskriminuar në raport me Serbinë dhe të tjerët. BE-ja ka qenë më dorëlire ndaj Serbisë në çdo fazë”, tha Bulliqi për Koha.net.

Sa i përket vendosjes së tabelave në Karaçevë, Bulliqi mendon se KFOR-i, si mision i respektuar ndërkombëtar në Kosovë, do të duhej që ta kursejë veten nga këto lloj problemesh, pasi që dihet mandati i tyre.

“Dua të sqaroj për opinionin se me gjithë respektin e madh për KFOR-in, të gjithë duhet ta dinë se ata nuk kanë mandat të përcaktojnë vijë kufitare (as delimitim e as demarkim), Kosova nuk është vend që nga asgjë u paraqit më 12 qershor 1999. Kosova ka pasur vijë ndarëse kufitare/administrative territorial me të gjitha republikat fqinje në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe Serbinë”, tha tutje Bulliqi.

Ai thotë se në raport me Serbinë, për çfarëdo ndryshimi që ka ndodhur, sado në favor apo disfavor të Kosovës që të mund të ketë qenë, është e dokumentuar me vendime politike të kohës, pra, sipas tij, ka fakte se çka ka ndodhur dhe kur ka ndodhur.

“KFOR-i deri vonë ka pasur mandat edhe për në brendi të territorit të Serbisë (zona tokësore e sigurisë dhe zona ajrore e sigurisë), misioni i tyre është i qartë, pra nuk është caktimi i vijës kufitare. Pa marrë parasysh se çfarë detajesh teknike hartografike iu ka imponuar Serbia në Marrëveshjen e Kumanovës më 1999, ata (KFOR-i) në Kosove duhet të konsultohen me institucionet vendore rreth kësaj çështje e jo të marrin vendime të njëanshme, të cilat shkaktojnë tensione dhe pakënaqësi. Nuk duhet t’i japin Serbisë material pretekst se gjithçka është në rregull, vija është aty ku po thotë KFOR-i, pasi që kufiri i Kosovës nuk ka lindur me hyrjen e KFOR-it në Kosovë, kufiri ka qenë aty dhe është i dokumentuar”, sqaroi tutje Bulliqi këtë çështje për Koha.net.

Bulliqi thotë se problemi qëndron se me Serbinë, siç thotë ai, “kemi problem politik, të imponuar nga ta, mos definimi/demarkimi i vijës ka mbetur peng i Serbisë, pasi që ata ende kanë pretendime territoriale ndaj Kosovës në dy aspekte, njërin që e konsiderojnë Kosovën pjesë të Serbisë, dhe tjetri që po tentojnë që së paku të shkëpusin territor nga Kosova”.

Bulliqi thotë se Bashkësia ndërkombëtare në këtë rast do të duhej ta kushtëzojë Serbinë që të ulet dhe ta pranojë kufirin/vijën ndarëse ekzistuese.

“Unë mendoj se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të lehtësojë këtë proces, pse jo edhe me kushtëzime ndaj Serbisë, nuk e kanë të vështirë sepse i kanë mundësitë”, tha ai.

Sa i përket realizimit teknik në terren, Bulliqi thotë se duhet që të ketë veprime të bashkërenduara mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve që ky proces të shkojë sa më mirë.

“Ka materiale nëpër institucione vendore, por ka edhe në Serbi, që e dëshmojnë saktësisht se ku është vija kufitare. Duhet vetëm vullnet dhe presion (nga ndërkombëtarët) që Serbia t’i sjellë ato gjëra në tavolinë. Kosova është më kooperuesja në këtë proces, nuk kërkon asgjë të re, kërkon respektimin e vijës kufitare të vendosur me dashje apo pa dashjen e saj, nga institucionet e Kosovës dhe Serbisë gjatë kohës së ish-Jugosllavisë”, përfundoi sqarimin e tij Shpejtim Bulliqi për Koha.net.

Në ndërkohë, për këtë çështje pati reagime edhe nga pala serbe.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka thënë se për Serbinë një zgjidhje kompromisi me Kosovën është “demarkacioni dhe ndalimi i shtrirjes së Shqipërisë së Madhe”.

Vulin ka thënë se pret që Kosova t’i vazhdojë provokimet dhe përpjekjet për të stopuar dialogun.

“Ata e dinë se negociatat me Aleksandër Vuçiqin nuk janë të mira për ta, dhe këtë e pranojnë me vështirësi”, ka thënë Vulin

KFOR’i vendos kufirin Kosovë-Serbi në Karaçevë

Periskopi.com Lajme

​ Shtëpinë e ka ndërtuar pak pas përfundimit të luftës, por Rasim Lenjani, afër të 80-ave, thotë se të paktën edhe dy breza të familjes së tij, kanë jetuar në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Rrjedhimisht, të gjitha obligimet i kanë paguar në Komunën e Kamenicës, raporton KTV.

Por, shtëpia dhe toka e Rasim Lenjanit, banor i Karaçevës, dhe e afër 170 pronarë të tjerë, përfaqësues të këtij fshati thonë se do të kalojnë në kuadër të komunës së Bujanocit.

Një gjë e tillë, sipas banorëve, do të ndodhë nëse përcaktohet kufiri sipas tabelave që janë vendosur gjatë kësaj së premteje nga KFOR-i.

Tabela të ngjashme, të vendosura në hyrje të Karaçevës, ishin larguar në të kaluarën nga banorët dhe nuk ka pasur të tilla që nga viti 2010.

Kështu shprehet edhe Ismajl Kastrati, që i ka gati 85 vjet, dhe ishte prezent kur ishin hequr tabela të tilla edhe në vitin 2008.

Një prej banorëve më të zëshëm nga kjo anë, Selver Lenjani, thotë se do të presin që nga fillimi i javës së ardhshme, të qartësojnë këto veprime të fundit.

Që nga përfundimi i luftës, banorët e kësaj zone disa herë kanë alarmuar për futjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Komunës së Kamenicës.

Kosova ende nuk ka bërë shënjimin e vijës kufitare me Serbinë. E ky proces ka qenë mjaft kontradiktor me dy shtete të tjera, Maqedoninë e Malin e Zi së fundmi.