Arabia Saudite e pranon: Trupi i Khashoggit u copëtua, kërkohet dënim me vdekje për të akuzuarit

Periskopi.com Lajme

Prokurori publik në Arabinë Saudite ka kërkuar dënimin me vdekje për pesë nga njëmbëdhjetë të dyshimtit, të akuzuar për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, në një rast që ka tensionuar lidhjet e mbretërisë me aleatët perëndimorë, ka bërë të ditur të enjten zyrja e tij.

Khashoggi, kritik i njohur i politikave saudite, ishte vrarë në Konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor, pas një përleshjeje, përmes injektimit të një substance vdekjeprurëse, teksa trupi i tij ishte copëtuar dhe ishte nxjerrë jashtë objektit, u ka thënë gazetarëve zv.prokurori publik dhe zëdhënësi Shaalan al-Shaalan, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se kolumnisti i gazetës amerikane “Washington Post” ishte vrarë pas dështimit të negociatave për kthimin e tij në mbretëri dhe se personi që e kishte urdhëruar vrasjen ishte kreu i ekipit negociator, i dërguar për riatdhesimin e Khashoggit.

Vendndodhja e trupit të pajetë të Khashoggit mbetet e panjohur.

Riadi ka bërë sqarime të shumta kundërthënëse lidhur me zhdukjen e Khashoggit, para se ta pranonte se ai ishte vrarë, në një rast që ka bërë bujë në botë, e ka ekspozuar mbretërinë para sanksione të mundshme dhe e ka njollosur imazhin e princit të kurorës, Mohammed Bin Salman.